Nuk është e vërtetë se qytetarët me panik i tërheqin depozitat nga bankat e Maqedonisë

    Nga BPRMV për „Vërtetmatësin“ deklaruan se nuk janë të sakta informacionet se ditëve të fundit po bëhet një tërheqje plot panik e depozitave nga bankat” dhe theksojnë se „solvenca e bankave të Maqedonisë, në asnjë mënyrë nuk është rrezikuar”. Sa i përket inflacionit, ky është mbi projektimet fillestare, me 6,7 përqind inflacion në janar. Mirëpo, ky është inflacion i moderuar, e jo galopues. Me rëndësi është që të theksohet dhe të bëhet dallim në publik se inflacioni nuk është edhe devalvim. Deklarojmë me përgjegjësi se denari është dhe do të mbetet stabil, thonë nga BPRMV.

    Рo recenzojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin është ndarë një artikull me titull: „Tërheqje plot panik e depozitave nga bankat në Maqedoni“.

    Në tekst janë shpalosur disa pretendime. E para, thuhet se:

    Sipas informacioneve të Infomaks, ditëve të fundit qytetarët e Maqedonisë masovikisht po i tërheqin paratë nga bankat, para së gjithash për shkak të situatës së paqartë në të cilën ndodhet bota dhe vendi.

    Në artikull thuhet edhe se:

    Kjo e dhënë duhet të na shqetësojë të gjithëve sepse nëse vazhdon me vëllim të rritur, vihet në diskutim solvenca e bankave të Maqedonisë.

    Për këtë trend shqetësues kontribuoi edhe rënia e normës së interesit për depozitat e afatizuara në vitin e kaluar dhe muajin e kaluar.

    Pastaj në tekst konkludohet:

    Se ku i shpenzojnë qytetarët paratë nga këto depozita mund të shohim nga raftet e zbrazëta nëpër marketet e mëdha dhe blerjen me panik të produkteve themelore ushqimore nga ana e qytetarëve.

    Gjithashtu, thuhet se „vitin e kaluar ekonomia e Maqedonisë ka shënuar inflacion prej 7,6 përqind i cili e ka ulur standardin e qytetarëve”, e sipas këtij artikulli pritet që inflacioni të galopojë edhe më tej në kushte kur prej nesër shkrihen çmimet e produkteve themelore të cilat ishin të ngrira nga ana e Qeverisë për shkak të rritjes të jashtëzakonshme të tyre”.

    „Vërtetëmatësi” u drejtua deri te Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut me më shumë pyetje në lidhje me vërtetësinë e deklarimeve të vendosura në  tekstin që shpërndahet me këtë postim në Facebook. Në BPRMV pyetëm:

    • A është e vërtetë se në ditët e fundit qytetarët në mënyrë masovike i tërheqin depozitat nga bankat e Maqedonisë?
    • A ekziston ndryshim në solvencën e bankave të Maqedonisë, për të cilën është njoftuar BPRMV-ja?
    • A mund të na japin numër konkret se sa është shkalla e interesit për depozitat e afatizuara dhe a shënon ai rënie në vitin dhe muajin e kaluar (siç shënohet në tekstin e mësipërm)?
    • A pritet që inflacioni të galopojë?

    Nga Banka Popullore kërkuam edhe nivelin e depozitave dhe tërheqjeve në denarë dhe deviza nga ana e qytetarëve dhe ndërmarrjeve nëpër banka në 15 ditët e fundit, të dhëna kumulative. Ose nga ana tjetër, të dhëna në format në të cilin ato i sistemojnë, e të cilat do ta tregojnë nivelin e depozitave dhe tërheqjeve të mjeteve para dhe pas fillimit të invazionit të Rusisë në Ukrainë, prej të cilave mund të bëhet krahasim.

    Nga BPRMV për „Vërtetmatësin“ deklaruan se „nuk janë të sakta informacionet se ditëve të fundit po bëhet një tërheqje plot panik e depozitave nga bankat”.

    Sipas të dhënave të BP-së, e ne e ndjekim lëvizjen e përgjithshme të depozitave në bazë ditore, lëvizjet e depozitave nuk dallojnë nga ndryshimet e zakonshme gjatë muajit. Përkundrazi, të dhënat tregojnë se vazhdon trendi i rritjes kumulative të depozitave në bankat e vendit edhe gjatë Shkurtit, deklarojnë prej atje.

    Nga institucioni shtojnë se në bazë ditore lëvizjet e depozitave gjithsej janë të kushtëzuara nga më shumë faktorë, e para së gjithash, nga të hyrat më të mëdha nëpër llogari në ditët e pagesës së rrogave, pensioneve dhe të ardhurave të tjera dhe shlyerjes së rregullt të obligimeve dhe shpenzimeve të qytetarëve në ditët në vijim.

    Analiza e ndryshimeve javore të depozitave të amvisërive mesatarisht na tregon lëvizje më të volitshme në depozitat e javës së fundit të shkurtit (deri  më 27 shkurt) në krahasim me javën paraprake të muajit. Kështu, mesatarisht në javën e fundit depozitat e amvisërive janë rritur për rreth 230 milionë denarë në ditë ose 1,6 miliardë denarë për gjithë javën, kurse javën paraprake mesatarisht në bazë ditore ato kanë rënë për rreth 114 milionë denarë ose rreth 800 milionë për gjithë javën. Njëherit, deri më 27 shkurt, në bazë mujore depozitat e amvisërive janë rritur për rreth 2 miliardë denarë, deklarojnë nga BP-ja.

    Ato shtojnë se solvenca e bankave të Maqedonisë, në asnjë mënyrë nuk është rrezikuar”.

    Përkundrazi, ndër vite janë formuar mjaftueshëm mekanizma mbrojtës dhe stabiliteti i sistemit bankar është në nivelin më të lartë, gjë që është vërejtur edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare financiare. Gjithashtu, në sistemin bankar vendor nuk ka bankë ku pronësinë dominuese e kanë aksionarë nga Rusia ose Ukraina, me çka, nga ky aspekt, nuk ekziston ekspozim për ndikim mbi stabilitetin e sistemit bankar, sqarojnë nga BP-ja.

    Sa i përket normës së interesit të depozitave, ajo në janar të vitit 2022 ka rënie në baza mujore dhe vjetore për 0,003 përqind, gjegjësisht 0,22 përqind.

    Mirëpo, nëse e shikoni ka rënie edhe të normës së interesit tek kreditë në bazë mujore dhe vjetore për 0,002 përqind, përkatësisht 0,27 përqind. Rënia e normave të interesit edhe te kreditë edhe te depozitat është rezultat i liberalizimit të politikës monetare nëpërmjet të uljes së interesit bazë, me qëllim që të sigurojë likuiditet më të madh në ekonomi me qëllim të mbështetjes së kompanive dhe qytetarëve gjatë pandemisë botërore. Sa i përket inflacionit, ky është mbi projektimet fillestare, me 6,7 përqind inflacion në janar.Mirëpo, ky është inflacion i moderuar, e jo galopues. Çmimet globale të ushqimit dhe të energjensëve rriten dhe kjo është dukuri botërore, e jo vetëm në vendin tonë. Në shumë ekonomi vërehen shkallë edhe më të larta të inflacionit. Zhvillimet e përditshme të marrëdhënieve ruso-ukrainase kanë ndikuar në mënyrë plotësuese tek tregjet globale të produkteve primare, por efektet dhe kohëzgjatja e këtyre trendeve do të varen nga zhvillimi i mëtutjeshëm i krizës. Rrjedhimisht, gjithkund rivlerësohen supozimet lidhur me inflacionin, por në asnjë skenar qoftë për ekonominë globale apo vendore, nuk bëhet fjalë për inflacion galopues. Me rëndësi është që të theksohet dhe të bëhet dallim në publik se inflacioni nuk është edhe devalvim. Deklarojmë me përgjegjësi se denari është dhe do të mbetet stabil. Disponojmë me numër të madh të instrumenteve monetare, ndër të cilat më të rëndësishme janë rezervat devizore të cilat janë në nivel të lartë, dyfish më shumë se në vitin 2008. Stabiliteti i kursit të denarit nuk do të vihet në diskutim, na sigurojnë nga BP-ja.

    Për shkak të gjithë fakteve të sipërshënuara, vlerësojmë se nuk është e vërtetë ajo që është shënuar në postimin që po e recenzojmë se „qytetarët me panik po i tërheqin depozitat nga bankat e Maqedonisë”.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    P.S. Teksti është publikuar më 8 mars, 2022 në Vërtetmatës

    Lajmi Paraprak

    LIJA E MAJMUNËVE | Cana: Nuk ka nevojë për panik

    Lajmi i rradhës

    Nuk është e vërtetë që ish-miss Ukraina është përfshirë në luftimet në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë