“Vetura” e Merkos do të “udhëtojë” në gjykatën e Strugës

    Aktakuzën e propozuar për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, sektori joqeveritar e konsideron si përpjekje të institucioneve, që para zgjedhjeve të tregojnë se po bëjnë diçka. Përkatësisht, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka reaguar vetëm nëntë muaj pasi Merko u fut në listën e zezë amerikane, pra 6 vite pas blerjes së makinës Audi dhe 3 makinave të tjera, në vlerë prej 114 mijë euro, të cilat tashmë janë objekt i procesit ligjor. Dimitar Nikollovski nga Qendra për Strategji Evropiane e vlerëson këtë hap si përpjekje për të ulur pakënaqësinë nga lufta e dobët kundër korrupsionit të lartë në vitet e fundit.

    “…Në këtë shembull me Merkon, mendoj se para zgjedhjeve po mundohet të ulet, të zbutet pakënaqësia dhe të thuhet se po veprohet me këto raste, edhe pse shohim që në shumë raste të tjera nuk u veprua”, tha Dimitar Nikollovski, Qendra për strategji evropiane “Eurothink”.

    Ndërkohë Gjykata Themelore Penale Shkup sot është shpallur jo-kompetente për të vepruar. Rasti do të kalojë në Gjykatën në Strugë për shkak se vepra është kryer në atë rajon. Në Prokurorinë Themelore Publike Strugë ndaj Merkos aktualisht janë aktive dhjetë procedura të tjera. Nikollovski thotë se fati i këtyre veprimeve do të varet zhvillimet politike:

    “Nuk pres që prokuroria dhe gjyqësori të pavarësohen nga presioni politik edhe pas zgjedhjeve. Pra, fati i Merkos varet shumë nga mundësitë politike pas zgjedhjeve”, u shpreh Dimitar Nikollovski “Eurothink”.

    Departamenti Amerikan i Shtetit verën e kaluar e futi Merkon në listën e zezë për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gjykata Penale: nuk jemi kompetent për akuzën kundër Ramiz Merkos

    Lajmi i rradhës

    Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë