VIT ZGJEDHOR / Liderët në RMV gojën plot me premtime

    Rritja e pagave dhe pensioneve, investimet në komuna – ndërtimi i çerdheve, shkollave, ambulancave, urave dhe rrugëve, vettingu për zyrtarët, misioni “Presidenti shqiptar”, heqja e kryqit në oborrin e manastirit të Kodrës së Diellit, gazetarët di të lirohen nga kontributet sociale dhe shëndetësia, anëtarësimi në BE në mandatin e ardhshëm…Këto janë vetëm disa nga premtimet parazgjedhore që bëhen disa muaj para se qytetarët të dalin për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 prillit, gjegjësisht të 8 majit të këtij viti.

    “Më shumë për të gjithë” dhe “Është e rëndësishme” janë parullat që dëgjohen nga dy partitë më të mëdha – LSDM dhe VMRO-DPMNE, ndërsa liderët e tyre njëkohësisht po promovojnë projekte të financuara nga shteti në terren. Rreth dy miliardë denarë (32.5 milionë euro), Qeveria dhe ministritë kanë rishpërndarë në 44 komuna në mesin e dhjetorit për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, shkollave, sallave sportive, ndërsa VMRO-DPMNE, e cila ka pushtetin lokal në shumicën e komunave, nga ana tjetër, paralajmëron një cikël të madh investues prej 934 milionë denarë (15 milionë euro).

    FUSHATË E NXEHTË, KUSH ËSHTË PATRIOT E TRADHTARË

    Fushata zgjedhore veçmë ka filluar, vlerësojnë analistët politik, ndërsa në periudhën e ardhshme vetëm se do të intensifikohet. Analisti Petar Arsovski thekson se në kohët moderne nuk ndalet dhe partitë janë në komunikim të vazhdueshëm me elektoratin e tyre. Duke qenë se komunikimi i elektoratit po modernizohet, thotë ai, fushata nuk mund të përcaktohet se kur do të fillojë, ajo fillon ditën që ju zgjidheni.

    “Sa i përket se kur do të fillojë pjesa zyrtare, pres që të bëhet më negative dhe më intensive, duke qenë se jemi një shoqëri thellësisht e ndarë dhe kemi qëndrime diametralisht të kundërta se ku duhet të lëvizë shteti. Pres që ato tensione dhe ai kontrast të intensifikohen gjatë zgjedhjeve dhe komunikimi të bëhet më negativ”, thotë Arsovski.

    Sipas tij, anëtarësimi në BE do të jetë një nga temat kryesore dhe do të mbizotërojë standardi i jetesës, ekonomia dhe eventualisht dallimet etnike lidhur me atë se në cilin drejtim duhet të lëviz shteti.

    Qëndrime të njëjta ka edhe analisti politik Sefer Selimi, i cili thotë se së paku dy-tre vjet jemi në një cikël të një skene politike proaktive, një ritëm që mund të lodhë qytetarët. Sipas tij në periudhën e ardhshme fushata e zezë do të intensifikohet.

    “Tani, natyrisht, kjo do të intensifikohet edhe më shumë dhe pres që të ketë përpjekje që të ketë një lloj fushate që do të propozojë zgjidhje për problemet e ndjeshme të qytetarëve. Gjithsesi, pres akuza të ashpra mes kundërshtarëve, kush ka vjedhur më shumë dhe kush është më i kriminalizuar si aktor politik në skenën tonë. Dhe tema tjetër që do të jetë më e pranishme sigurisht që do të jetë BE-ja, nga njëra anë kush është më patriot dhe kush përkushtohet më shumë që vendi ynë të jetë në BE”, thotë Selimi.

    TË MËRKURËN NË VOTIME

    Afatet ligjore parashikojnë që fushata zyrtare zgjedhore të nisë 20 ditë para zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes nga takimi i liderëve më 4 dhjetor 2023, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa më 8 maj do të ketë zgjedhje të dyfishta – raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Por ajo që do t’i paraprijë është zgjedhja e një qeverie teknike që do të jetë përgjegjëse për zbatimin e tyre. Ai do të drejtohet nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, që do të jetë hera e parë në historinë e vendit që të ketë një kryeministër shqiptar. Xhaferi në brifingun e fundvitit tha se nuk do të ketë spastrim në kabinetin që do ta pason, por nëse ndonjëri nga ministrat gabon do ta shkarkojë.

    Qeveria teknike duhet të zgjidhet më 28 janar, ndërsa pozitën Xhaferit në Parlament do ta marrë koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski.

    VMRO-DPMNE si partia më e madhe opozitare duhet të marrë pjesë edhe në qeverinë e Xhaferit, me ministra për punë të brendshme dhe për politikë sociale, si dhe tre zëvendësministra (për financa, bujqësi dhe për shoqëri informatike dhe administratë). Partia opozitare ka deklaruar se nuk do ta mbështesë Xhaferin, por pritet të propozojë përfaqësuesit e saj në Qeveri. Emrat nuk dihen ende. Xhaferi thotë se pavarësisht se nuk e duan, atij nuk i pengon asnjë person dhe se do të bashkëpunojë me të gjithë ministrat.

    Në resoret ku opozita do të ketë ministrat e saj, LSDM do të ketë zëvendësministra shtesë. Për këto pozita socialdemokratët vendosën të propozojnë ministren aktuale Jovanka Trençevska për punë dhe politikë sociale dhe Mitko Bojmacaliev, i cili është shef i kabinetit të ministrit aktual Oliver Spasovski, për punë të brendshme. Kjo do të thotë se Spasovski, i cili ishte kryeministër i qeverisë teknike para zgjedhjeve të vitit 2020, së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në fund të janarit do të largohen nga postet qeveritare. Ministrat dhe zëvendësministrat e tjerë të LSDM-së, por edhe partnerët e koalicionit pritet të mbeten të njëjtë.

    Një muaj pas zgjedhjes së qeverisë teknike, Parlamenti i udhëhequr nga Mitreski do të duhet të shpallë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Përveç faktit që periudha parazgjedhore do të sjellë për herë të parë një kryeministër shqiptar, zgjedhjet e vitit 2024 do të jenë specifike edhe në atë që në vend të votimit të zakonshëm të dielën, tani do të jetë të mërkurën, të dyja 24 prill dhe 8 maj.

    Këtë përvojë vendi e ka pasur edhe në vitin pandemik 2020, kur zgjedhjet parlamentari ishin më 15 korrik (e mërkurë). Më pas qeveria shpalli ditë jopune në mënyrë që zgjedhjet të mund të zhvillohen pa probleme.

    PËRDITËSIM I LISTËT ZGJEDHORE

    Ajo që do të duhet të bëhet në prag të zgjedhjeve është përditësimi i Listës Zgjedhore, ku duhet të përfshihen të gjithë qytetarët madhorë dhe me vendbanim në njësinë zgjedhore ku votojnë. Këto do të jenë zgjedhjet e para pas regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ku popullsia totale e regjistruar në vend ishte 2.097.319 persona, nga të cilët 1.836.713 (përfshirë të miturit) jetojnë në vend. Për krahasim, në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, në Listën zgjedhore janë regjistruar pothuajse po aq votues sa popullsia rezidente – 1.824.864.

    VIT ZGJEDHOR EDHE NËPËR BOTË

    Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të jenë të 11-at me radhë që nga viti 1990. Në anën presidenciale, qytetarët e Maqedonisë do të votojnë këtë vit për të shtatën herë që nga hera e parë që kreu i shtetit u zgjodh me zgjedhje të drejtpërdrejta në vitin 1994. Mandati i parë i presidentit Kiro Gligorov nga viti 1991 u bazua në zgjedhjen nga Parlamenti.

    Por viti 2024 nuk do të votohet vetëm në vendin tonë dhe do të hyjë në histori si viti kur u zhvilluan një numër rekord procesesh zgjedhore në botë. Varësisht nëse datat janë zyrtare apo jo, zgjedhje do të ketë në mbi 40 vende, prandaj mediat e kanë shpallur tashmë një vit zgjedhor. Rezultati i zgjedhjeve, parashikohet, do të formësojë botën dhe Evropën për brezat e ardhshëm. Ndër proceset më të rëndësishme zgjedhore për këtë vit janë zgjedhjet presidenciale në Rusi dhe SHBA në mars dhe nëntor. Janë edhe zgjedhjet evropiane në qershor për përbërjen e Parlamentit Evropian. Nga rajoni do të ketë votime parlamentare dhe presidenciale edhe në Kroaci. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Për sa kohë duhet t’i ruani në frigorifer ushqimet që ju kanë tepruar

    Lajmi i rradhës

    Lëkura e ashpër nga i ftohti – Si ta trajtoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë