Vizita e penguar e Trendafilovas në Kosovë

    Protestat në Kosovë e penguan konferencën e shtypit të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, por jo takimet e saj me autoritetet në Prishtinë.

    Megjithë anulimin e konferencës për shtyp të Kryetares së Dhomave të Specializuara,  Ekaterina Trendafilova të martën (13.05) ajo zhvilloi disa takime në Kosovë.  Trendafilova u takua me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, i cili i shprehu shqetësimet Trendafilovas, “nëse po garantohet gjykim i drejtë dhe i paanshëm për të akuzuarit”. “Mënyra se si funksionon gjykata duke konsoliduar të gjitha nivelet e saj në një strukturë të vetme, lë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”, ka thënë Qelaj. Si shqetësim tjetër ai ka përmendur edhe kohëzgjatjen e paraburgimit, që ai e konsideron problem në vete. “Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”, thotë avokati Qelaj.

    Për një grup veterenaësh Trendafilova jo e mirëpritur

    Shkak për anulimin e konferencës së shtypit të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova të martën (13.05) u bë protesta e një grupi veteranësh. Ata së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar konferenca, e cila ishte paraparë të mbahej me gazetarë, por pa praninë e kamerave. Gjatë protestës, veteranët hodhën tym të zi para hyrjes së hotelit, ku kishte edhe prani të shtuar të policisë së Kosovës. Udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, që ishte pjesë e protestës, tha se “Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë. Sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen për një të keqe. Unë mendoj se kjo ka ardhur vetëm ta destabilizojë Kosovën”, deklaroi Gucati, duke shtuar se “u arrit qëllimi i veteranëve”, meqë Trendafilova anuloi konferencën për media.

    Në një reagim të mëhershëm, organizatat e dala nga lufta paraprakisht thanë se “vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara në Prishtinë është e papranueshme dhe përbën fyerje për qytetarët e Kosovës”. Sipas tyre, “vizita e saj nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe transparencën”, dhe thanë se “gjykata ka një qasje arrogante dhe nuk i shërben drejtësisë”.

    Gjermania e përkushtuar në mbështetjen e gjykatës

    “Mund të konfirmoj që ngjarja e është anuluar për arsye të sigurisë publike dhe bazuar në këshillën e Policisë së Kosovës. Kjo është gjithçka që mund t’ju them për momentin. Do të shohim më vonë për ndonjë informacion shtesë”, tha Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale. Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova zhvilloi takime edhe në ambasadën gjermane në Prishtinë. Kjo e fundit, në rrjetin social Facebook, shprehu mirënjohje për vizitën e saj në ambasadë duke publikuar edhe një fotografi nga vizita. “Mirënjohës për vizitën e gjykatëses Trendafilova, Presidente e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Ambasadën tonë sot. Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë gjykatë të rëndësishme, procedurat e saj dhe zbatimin e rekomandimeve të saj, për shembull krijimin e një fondi për kompensimin e viktimave”, shkroi ambasada gjermane.

    Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, por e ka selinë e saj në Hagë. Ajo heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së: ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Sa ditë mund t’i mbani ushqimet në frigorifer para se të prishen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë