“Vjedhësit e qebapave në burg. Hajnat akademikë në UT”; “Plagjiaturat në mjekësi = Kanceri në mushkëri” / FNA me aksion qytetar në Ditën e librit

    Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), sot në Tetovë në vigjilje të Ditën Botërore të Librit & Të drejtave autoriale ka zhvilluar një aksion qytetar, kështu duke ngjitur pllakata në rrugët e qytetit me mbishkrime: “Vjedhësit e qebapave në burg. Hajnat akademik në UT”; “Plagjiaturat në mjekësi = Kanceri në mushkëri”; “Plagjiatura është krim akademik”; “Profesor, a bën me kopju edhe unë si ju?”; “Mantelbardhë, faqezinj”, shkruan Nistori.

    Sipas FNA-së kjo ditë duhet shënuar si ditë zie për arsimin në RMV dhe jo festë. UT-ja dhe institucionet tjera kompetente në vend, nuk e panë të rrugës as të pezullojnë marrëdhënien e punës me të akuzuarit për plagjiaturë derisa rasti të marrë epilog ndërsa gjithë këtë, vendosën ta lënë në harresë.

    “Sipas të gjitha definicioneve, plagjiatura është vjedhje ndërsa kryerësit e kësaj vepre janë hajna, hajna të punës, përkushtimit dhe pronës intelektuale të dikujt. Kjo përbën një ndër shkeljet më të rënda akademike. Përkundër kësaj, edhe pse praktikat e shteteve shumë më të zhvilluara se ne tregojnë që hajnat akademik janë përzënë nga jeta e tyre publike dhe u janë hequr gradat shkencore të përfituara nga plagjiatura, UT-ja dhe institucionet tjera kompetente në vend, nuk e panë të rrugës as të pezullojnë marrëdhënien e punës me këta të akuzuar deri sa rasti të merrte epilog ndërsa gjithë këtë, vendosën ta lënë në harresë.”, thonë nga FNA.

    Forumi kërkon nga institucionet shtetërore kompetente të ndërmarrin masa konkrete dhe të mos lejojnë që arsyetimi i “autonomisë akademike të universitetit” të shërbejë për të amnistuar hajdutët akademikë.

    “Meqë Universiteti i Tetovës ka lejuar që përplot dy vite të jetojë me njollën e akuzave për vjedhje akademike, duke mos bërë asgjë në drejtim të heqjes së kësaj njolle apo heqjes së këtyre “profesorëve” që njollosin këtë institucion. Kërkojmë nga institucionet shtetërore kompetente të ndërmarrin masa konkret dhe të mos lejojnë që arsyetimi i “autonomisë akademike të universitetit” të shërbejë për të amnistuar hajdutët akademikë. Përveç kësaj, ky universitet nuk është as i pari, as i fundit që ka profesorë me punime shkencore të vjedhura – krejt kjo, për shkak të, fillimisht mospasjes së një sistemi të mirëfilltë për detektimin e plagjiaturës si dhe mungesës së një sistemi të mbrojtjes së pronës intelektuale, nga institucionet kompetente të vendit. Andaj, lirshëm mund të thuhet se Maqedonia e Veriut është një parajsë për hajnat akademikë.”, shtojnë nga Forumi.

    FNA rikujton opinionin publik që për plagjiatura të mundshme u akuzuan shtatë profesorë të Fakultetit të Mjekësisë. Deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti dhe vendosjes së një sistemi efikas anti-plagjiaturë, Ditën Ndërkombëtare të Pronës Intelektuale, organizata do ta shënojë si ditë zie dhe vaji për arsimin e vendit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm me bursa dhe punë të garantuar të rinjtë në RMV mund të joshen që të zgjedhin arsim profesional

    Lajmi i rradhës

    Të ndryshojmë Shqipërinë, të shpëtojmë Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë