VJETËRSIMI I LËNDËVE GJYQËSORE | Gjykatat punojnë me ritëm të ngadaltë

    Puna e ngadaltë e gjykatave si dhe hetimet e tejzgjatura të prokurorëve në Maqedoninë e Veriut janë ndër shkaktarët kryesorë për vjetërsimin e lëndëve gjyqësore ndërkaq edhe pse në shikim të parë mund të duken normale, shpesh herë nga qytetarët dhe ekspertët këta dy veprime janë parë si mjete për shpëtimin e personave të përfshirë në raste të kundërligjshme, sidomos kur të akuzuar janë politikanë e ish-politikanë.

    Së fundmi, me propozim të partisë “E Majta” kuvendi ka miratuar nevojën e ndryshimit të Kodit Penal sipas së cilit parashihet zgjatja e afatit të vjetërsimit të veprave penale, përkatësisht ndjekjes dhe zbatimit të masës me burg. Por sipas avokatit Zvonko Davidoviç, kjo nuk do ta zgjidhë problemin.

    “Ne vazhdimisht flasim për reforma dhe reformat tona kanë të bëjnë me ndryshime ligjore sa për  makijazh, në vend që në mënyrë reale dhe objektive t’i vlerësojmë situatat dhe të ndërmarrim masa dhe veprime të cilat do ta zgjidhnin problemin. 1:03 Në këtë mënyrë, me rritjen e afateve për vjetërsim, do të vinim në situatë që gjykatat ende më ngadalë të punojnë, në vend që t’i përshpejtojnë procedurat dhe të vijmë në situatë që të marrim drejtësi të shpejtë dhe kualitative”, tha Zvonko Davidoviç, avokat.

    Sipas tij nuk është e logjikshme që një lëndë e cila sipas ligjeve pozitive vjetërsohet pas 30 vitesh, tani t’i shtohen edhe 30 tjera që përbën një jetë njeriu. Shtoi se kjo mund të zgjidhet vetëm në qoftë se gjykatësit që qëllimisht zvarritin lëndët, të mbahen përgjegjës.

    “Kjo mund të zgjidhet jo përmes rritjes së afateve për vjetërsim por përmes vlerësimit të lëndëve të cilat janë vjetërsuar në qoftë se kanë ekzistuar arsye objektive, apo janë subjektive, dhe për këto subjektive ai i cili ka çuar deri në vjetërsim të përgjigjet. Në mënyrë të vazhdueshme flasim për përgjegjësinë e gjykatësve, dhe me këtë nuk merret parasysh përgjegjësia e gjykatësve por zgjatet koha e gjykimit”, shtoi ai.

    Sipas ligjeve aktuale, veprat që dënohen me burg të përjetshëm vjetërsohen pas 30 vitesh, veprat që dënohen mbi 10 vite vjetërsohen pas 20 vitesh ndërsa veprat që dënohen mbi 5 vite, vjetërsohen pas 10 vitesh.

    Shumë ish-funksionarë dhe funksionarë të akuzuar në lëndët e ish Prokurorisë Speciale shpresën për t’i shpëtuar burgut shpesh herë e kanë parë te instituti i vjetërsimit. Së fundmi u vërtetua që gjykatësit Enver Bexheti dhe Lirije Elezi në lëndët “Target Fortesa” dhe “Thesari” ku i akuzuar është ish shefi policisë sekrete Sasho Mijalkov, pa arsye kanë lënë në sirtarë lëndët.

    Se kjo çështje vazhdon të jetë problematike, tregojnë edhe anulimet dhe shtyrjet e vazhdueshme të seancave gjyqësore për aksidentin në Llaskarcë dhe Bullgari, djegien e Spitalit Modular si dhe seancat ku të akuzuar janë politikanë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kriza ekonomike dhe energjetike kanë thelluar varfërinë në shumë familje

    Lajmi i rradhës

    BDI e quan VMRO-DPMNE-në organizatë kriminale: Krimin e shpikët ju!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë