Nga VLEN kanë akuzuar publikisht kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovskës për bashkëpunim me BDI-së dhe Levicëc, për siç thonë ata, një skemë të rëndë nepotizmi dhe shpërdorimi të fondeve publike. Në një konferencë për shtyp të mbajtur, nga VLEN prezantuan dokumente që sipas tyre dëshmojnë për kontrata të dyshimta dhe përfitime të paligjshme nga të afërm të zyrtarëve të lartë.
Sipas VLEN, Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale – Shkup” ka nënshkruar më 25 shkurt 2025 kontratë me kompaninë “Veda DOOEL”, e cila është në pronësi të Valon Bexhetit, djalit 18-vjeçar të kryetarit të Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti. Kontrata, me vlerë 775.000 denarë (rreth 12.000 euro), ka si objekt “shërbime intelektuale për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, megjithëse nuk ka të dhëna për ndonjë rezultat konkret të ofruar nga kompania.
VLEN publikoi gjithashtu faturën, siç thonë ata me nr. 73818, të lëshuar nga kompania për të njëjtën shumë, duke pretenduar se ajo është paguar pa asnjë dëshmi për fillimin apo përfundimin e shërbimit.
“Në të njëjtën ditë është lëshuar edhe fatura nr. 73819, këtë herë në emër të Besar Saqipit, të afërm të ushtruesit të detyrës së drejtorit të ndërmarrjes, Sabahudin Rustemi. Edhe kjo kontratë ishte me të njëjtën shumë dhe përshkrim të ngjashëm të shërbimeve, duke e çuar dëmin e pretenduar në 1.550.000 denarë. Paratë e qytetarëve të Shkupit po përfundojnë në xhirollogaritë familjare të bashkëpunëtorëve politikë, ndërsa qyteti fundoset në mbeturina dhe papastërti,” deklaroi Jasir Asani nga VLEN.
VLEN kërkon nga Prokuroria Publike nisjen e menjëhershme të një procedure për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash; nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit – hetim për konflikt interesi dhe nepotizëm; dhe nga MPB – Njësia për krimin ekonomik – hetim financiar për të gjitha pagesat ndaj “Veda DOOEL”.