Koalicioni VLEN ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për tre ministritë e reja në përbërjen e riorganizuar të Qeverisë, pas mbledhjes së Presidencës së mbajtur të mërkurën në mbrëmje, përcjell Nistori.
Sipas njoftimit të VLEN-it, për postin e ministrit të Drejtësisë është propozuar profesori universitar Jeton Shasivari. Për Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati, ndërsa për Ministër të Kulturës dhe Turizmit është propozuar Sedat Sulejmani.
Në përbërjen e re qeveritare do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën edhe ministrat aktualë të VLEN-it. Bekim Sali mbetet zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi vazhdon si ministër i Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Muhamet Hoxha si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në komunikatën e saj, VLEN thekson se përzgjedhja e kandidatëve synon të sjellë “energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve”, duke shtuar se koalicioni mbetet i përkushtuar ndaj reformave, zhvillimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve.
Emrat e propozuar pritet të kalojnë procedurat përkatëse institucionale përpara se të marrin zyrtarisht detyrën në kabinetin qeveritar.






