Më shumë se dy javë kanë kaluar që kur është premtuar se pjesa e dëmtuar e urës mbi lumin Shkumbin do të sanohet. Nga Komuna e Tetovës kishin njoftuar se para një jave do të fillonin punët, por në terren ende nuk ka filluar intervenimi. Ura mbi Lumin Shkumbin që ndodhet në rrugën Industriale në Tetovë, sipas informacioneve paraprake, ishte dëmtuar nga një aksident trafiku ku ishte përfshirë edhe një automjet i rëndë.
Nga pushteti lokal në Tetovë kanë bërë të ditur se intervenimi është vonuar për shkak të disa problemeve administrative dhe është premtuar se javën që vjen do të fillojnë punimet. Po ashtu kërkohet që derisa të sanohet problemi drejtuesit e automjeteve të kenë më shumë kujdes.
“Intervenimi në sanimin e dëmit të shkaktuar në urën mbi Lumin Shkumbin ka qenë i paraparë për javën e kaluar. Por, për shkak të disa procedurave që është dashur të ndiqen, intervenimi është shtyrë për javën që vjen. Sanimi do të bëhet me vendosjen e shtresës së betonit ndërsa apelojmë që në ndërkohë vozitësit të jenë më të kujdesshëm sepse njëra anë e urës është pa mburojë dhe mund të ketë edhe aksidente me pasoja të rënda”, thotë për gazetën Koha, Albion Alili nga shërbimi për informim i Komunës së Tetovës.
Dëmi i shkaktuar është në pjesën e mburojës prej metali vetëm në një njërën anë të urës, por megjithatë është evidente se rreziku ekziston që nga pakujdesia të ndodhin edhe aksidente tjera. Dëmtimi urës në këtë pjesë të Tetovës që ka ndodhur tash e dy javë ka vënë në pikëpyetje edhe më shumë sigurinë në këtë rrugë. Krahas kësaj, në këtë rrugë ka një frekuentim enorm gjatë tërë vitit të automjeteve pasi që është i vetmi bulevard funksional, por siguria ka qenë gjithmonë e ulët. Para disa viteve ishte menduar që të vendosen edhe rrethrrotullime tjera por më pas të njëjtit nuk u realizuan. Jo rrallë herë bulevardi “V.S.Bato” apo i njohur në mesin e popullatës lokale si rruga Industriale, ka qenë arenë e aksidenteve tashmë dy dekada me rradhë, kjo edhe për shkak të sinjalistikës së mangët por edhe për shkak se është një nga daljet për automjetet që lëvizin në drejtim të Shkupit dhe të Gostivarit.
Kohë më parë ishte paralajmëruar se është përpunuar edhe një plan konkret që kjo rrugë e rëndësishme për Tetovën dhe jo vetëm, të ketë më shumë siguri, por ende i njëjti plan nuk është duke u zbatuar në praktikë.
Megjithatë, krahas kësaj, ky bulevard edhe pse është asfaltuar para disa viteve megjithatë në disa vende ka dëme të theksuara si pasojë e dëmtimit edhe të asfaltit por edhe të pusetave të kanalizimit që e vështirëson edhe më shumë zhvillimin normal të komunikacionit.
Nga komuna e Tetovës kanë kërkuar mirëkuptim nga ana e drejtuesve të automjeteve deri në sanimin e dëmit të shkaktuar. Krahas kësaj, në vendngjarje mungojnë edhe shenjat paralajmëruese për dëmtim të urës që edhe më shumë e shton rrezikun për të pasur aksidente tjera.