Faton Hajrizi i cili kërkohej nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e policit dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Siç raporton mediumi serb, N1info, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili i ka kërkuar ujë. Sipas Daçiq, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.
“Ne publikuam një foto këtë mëngjes që njerëzit ta raportojnë nëse e shohin atë. Një banor i një qyteti fqinj e ka parë sepse po i kërkonte ujë. Ai nuk e njeh gjuhën dhe sapo u largua, vendasit iu desh të bënte një ose dy kilometra në këmbë për të raportuar se e kishte parë këtu. Ekipi ynë u largua menjëherë”- tha Daçiq për RTS, duke folur nga vendi i likuidimit në Trbushnicë.
Ai shtoi se rreth 400 policë po e kërkonin Hajrizin. Duke treguar zonën ku u vra ai, Daçiq tha “ai ishte fshehur, ka një lumë, ka një kufi, ai po kërkonte një mënyrë për të kaluar lumin”.
“Erdhi policia, qëlloi”. Ai ka qëlluar dy herë në drejtim të makinës së policisë, policia është kundërpërgjigjur. Një e shtënë e goditi dhe ai filloi të ikte nga rruga këtu dhe më pas e kapën policët e tjerë. Ai qëlloi gjithsej nëntë fishekë, një kornizë të plotë. Policia e likuidoi. Thjesht nuk ishte e mundur, ai nuk e kishte në plan të dorëzohej” – ka thënë Daçiq.
Daçiq ka thënë se policia e ka ndjekur Hajrizin në kamera të ndryshme për dy ditë, se ai është parë duke vjedhur një biçikletë.
“Ne po gjenim shenja në gardhe, po ndërronte rrobat”. Kjo është arma e tij këtu” – tregoi Daçiq armën e gjetur e cila mbanë mbishkrimin UÇK.
Sot (19.07.2024), Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka thënë se është duke e kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, si i dyshuar për incidentin në Lloznicë, në të cilin një zyrtar policor vdiq e një tjetër u plagos më 18.07.2024, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Kjo Ministri ka publikuar fotografinë e Hajrizit duke u bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë informatat me policinë.
“Pjesëtarët e MPB-së janë duke kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, i cili dyshohet se mbrëmë në Bregun e Lipnicës ka vrarë policin Nikolla Krsmanoviq dhe ka plagosur policin Vjekoslav Iliq. I bëjmë thirrje qytetarëve që nëse e vërejnë personin në fotografi apo kanë informacion për lëvizjen e tij të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt” – thuhet në postimin e MPB-së së Serbisë më 19.07.2024 në rrjetin social “Facebook”. /Kallxo/