Rritet numri i viktimave nga të shtënat në Teksas

    LAJMI ËSHTË PËRDITËSUAR

    Nga një sulm amok në një shkollë fillore në Teksas, SHBA janë vrarë të paktën 19 fëmijë dhe tre të rritur. Presidenti, Joe Biden bën thirrje t’i tregohet vendi lobit të armëve.

    Objekt i sulmit amok ishte një shkollë në qytetin e vogël, Uvalde, 135 kilometër larg San Antonios. Autori i krimit, sipas të dhënave të deritanishme, është një 18 vjeçar, që ishte i armatosur me pistoletë dhe automatik, sipas guvernatorit të Teksasit, Greg Abbot, dhe se bëhet fjalë për një person të vetëm që ka qëlluar. Me gjasë një polic e ka qëlluar për vdekje agresorin.

    Sipas të dhënave të fundit kanë humbur jetën 19 fëmijë dhe tre të rritur. Shumë të tjerë janë plagosur. Televizioni CNN raportoi, se 18 vjeçari kishte qëlluar gjyshen e tij në fillim, para se të shkonte në shkollë, por kjo nuk është konfirmuar ende.

    “Kur për hir të zotit do t’i tregojmë vendin lobit të armëve?”

    Presidenti amerikan, Joe Biden doli menjëherë para kamerave pas kthimit nga Azia, pas tragjedisë dhe kërkoi ashpërsim të ligjit të armëve. Si komb SHBA duhet të pyesë veten, “se kur për hir të zotit do t’i tregojmë vendin lobit të armëve?” Sipas tij është thjesht e gabuar, që një 18 vjeçar të shkojë në dyqan armësh dhe të blejë dy automatikë. Nuk mund të ndalësh çdo tragjedi me ligje më të ashpra, por ligje të tilla do të kenë efekte pozitive, është shprehur Biden. Nxënës të klasës së dytë, të tretë apo të katërt lanë jetën “në një masakër tjetër”. Prindërit “nuk do t’i shohin më kurrë fëmijët e tyre, nuk do t’i çojnë më kurrë në shtrat dhe nuk do mund t’i përkëdhelin më kurrë.”

    Nga sulmet amok me armë në SHBA janë të prekura shpesh shkollat. Kështu në dhjetor 2012 një i ri qëlloi në shkollën fillore Sandy Hook 20 fëmijë dhe 6 të rritur. Në vitin 2018 një 19 vjeçar atëherë hapi zjarr mbi nxënësit dhe fëmjët dhe vrau 17 vetë. 

    FBI publikon një statistikë tronditëse

    FBI sapo ka publikuar një statistikë tronditëse për vitin 2021. Sipas statistikës të publikuar të hënën në vitin e kaluar ka pasur 61 sulme amok në Shtetet e Bashkuara, që do të thotë 50% më shumë se një vit më parë. Që nga viti 2017 këto sulme janë dyfishuar. Në vitin 2021 në SHBA kahë humbur jetën 103 vetë nga sulmet amok dhe 140 janë plagosur. 60 nga 61 personat sulmues kanë qenë burra.

    FBI përdor për këtë statistikë një përcaktim të qartë: bëhet fjalë vetëm për raste, kur një agresor qëllon njerëzit në publik me qëllim që t’i vrasë. Këtu nuk llogariten rastet e njohura kriminale të dhunës me armë apo shkëmbimet me armë mes bandave. 

    Vetëm para një jave një person kishte sulmuar me kallashnikov në Bufalo në një supermarkt duke vrarë 10 vetë. 18 vjeçari ishte arrestuar në vend. Sipas hetimeve, sulmi kishte motive raciste, 11 nga 13 viktimat ishin afroamerikanë.

    Në tërësi në SHBA përmasat e dhunës me armë me pasoje shpesh vdekjen janë shumë të mëdha. Autoriteti Shëndetësor i SHBA, CDC në statistikën e fundit llogariti me 45.222 viktima të dhunës me armë në vitin 2020, që do të thotë më shumë se 120 viktima në ditë.

    Vriten 14 nxënës dhe një mësuese në një shkollë të Teksasit
    12:34 AM

    Katërmbëdhjetë fëmijë dhe një mësues u vranë gjatë të shtënave në një shkollë fillore në Teksas të martën, tha guvernatori Greg Abbott.

    Sulmuesi, 18-vjeçar po ashtu ka vdekur, tha guvernatori. Sulmuesi, një banor lokal, hapi zjarr në shkollën fillore Robb në Uvalde, qytet që gjendet afër 136 kilometra në perëndim të San Antonios.

    “Ai qëlloi me armë dhe vrau në mënyrë të pakuptueshme 14 nxënës dhe një mësues”, tha guvernatori.

    Sulmuesi, banor lokal, hyri në shkollë duke bartur një armë zjarri, me gjasë një pushkë, dhe hapi zjarr, tha Abbott. Ai tha se sulmuesi me gjasë u vra nga zyrtarët policorë, por ende janë duke u zhvilluar hetime për të qartësuar këtë ngjarje.

    Spitali Uvalde Memorial tha më herët se 13 fëmijë ishin transportuar me ambulancë ose autobus dhe një tjetër spital tjetër raportoi se një grua 66 vjeçe ishte në gjendje kritike. Ende është e paqartë sesa persona janë të plagosur nga të shtënat.

    Shkolla ku ndodhi të shtënat ka afër 600 nxënës. Autoritetet thanë se të gjitha shkollat në këtë zonë u mbyllën pas të shtënave.

    Të shtënat në Teksas vijnë më pak se dy javë pasi një sulmues hapi zjarr në një supermarket në Bufallo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 afrikano-amerikanë. Autoritetet thanë se sulmi në Nju Jork ishte krim i urrejtjes.

    Qyteti Uvalde në Teksas është shtëpi e 16,000 banorëve. Ky qytet gjendet rreth 120 kilometra larg kufirit me Meksikën.

    Lajmi Paraprak

    Si të mbroheni prej alergjisë nga dielli

    Lajmi i rradhës

    Hungaria shpall “gjendje rreziku” për shkak të luftës në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë