Vritet ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe

    Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara, raporton transmetuesi japonez, NHK.

    Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.

    Sulmuesi i dyshuar – një burrë në mesin e 40-tave – u arrestua në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë.

    “Sipas një zyrtari të lartë të LDP-së [partisë së Abes], ish-kryeministri vdiq në një spital në Kashihara, rajoni Nara, ku po merrte trajtim mjekësor. Ai ishte 67 vjeç”, raportoi NHK.

    “Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”, tha sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.

    Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

    Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz – një sëmundje e zorrëve.

    Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida.

    Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.

    Ngritja në pushtet

    Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe është djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.

    Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.

    Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës.

    Megjithatë, një sërë skandalesh – duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria – kanë prekur administratën e tij.

    Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz.

    Abe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.

    Ai është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

    Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.

    Një nacionalist i diskutueshëm

    Abe është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Për kohë të gjatë, ai ka kërkuar të ndryshojë Kushtetutën pacifiste të Japonisë së pasluftës.

    Pikëpamjet e tij nacionaliste shpesh i kanë rritur tensionet me Kinën dhe Korenë e Jugut, veçanërisht pas vizitës së tij – në vitin 2013 – në faltoren Yasukuni të Tokios. Ky është një lokacion i diskutueshëm që lidhet me militarizmin japonez para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Në vitin 2015, ai ka kërkuar të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive, duke i mundësuar Japonisë që t’i mobilizojë trupat jashtë shtetit, për të mbrojtur veten dhe aleatët nën sulm.

    Pavarësisht kundërshtimeve nga fqinjët e Japonisë e, madje, edhe nga publiku vendas, Parlamenti japonez e ka miratuar këtë ndryshim.

    Sulmi kundër Shinzo Abes, 8 korrik 2022.
    Sulmi kundër Shinzo Abes, 8 korrik 2022.

    Trajtimi i ekonomisë dhe i pandemisë COVID-19

    Abe, gjithashtu, njihet si “Abenomics” – një referencë për politikën e tij ekonomike, të ndërtuar mbi lehtësimin monetar, stimulin fiskal dhe reformat strukturore.

    Këto masa kanë çuar në rritje ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, por ngadalësimet e mëvonshme kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e tyre.

    Përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë janë përballur me sfida, kur Japonia, në pranverën e vitit 2020, ka hyrë në recesion, për herë të parë që nga viti 2015.

    Popullariteti i tij është goditur edhe më, pas kritikave për trajtimin e pandemisë COVID-19.

    Ka pasur shqetësime se fushatat për nxitjen e turizmit vendas kanë kontribuar në rritjen e numrit të rasteve me këtë sëmundje. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Protestat ishin një përpjekje e pasuksesshme për rrëzimin Qeverisë”

    Lajmi i rradhës

    Putin porosit Kievin: Prano kushtet ose përgatitu për më të keqen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë