Yuri Kim: Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e investimeve, të luftojë korrupsionin

    Ambasadorja Yuri Kim, gjatë fjalës së saj në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë theksoi se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë por duhet të ruhet dhe të forcohet pa pushim.

    Kim u shpreh se lidhjet e biznesit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shohin një rritje të ndjeshme.

    “Siç e dimë nga përvoja jonë, demokracia nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë; duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë pa pushim. Edhe bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes po arrin lartësi të reja, veçanërisht pas stërvitjes ushtarake historike “Defender Europe 2021”. Ajo stërvitje – nëse ju kujtohet – solli deri në 6000 trupa amerikane vetëm në Shqipëri dhe mendoj se bazuar në atë që gjeneralët amerikanë panë këtu, ne shohim një potencial të jashtëzakonshëm për zgjerimin e marrëdhënieve tona në mbrojtje.

    Jam gjithashtu krenare të them se nga këto tre shtylla kryesore të agjendës sonë – demokracia, mbrojtja dhe biznesi – biznesi është gjithashtu në rritje, një rritje e jashtëzakonshme. Ne po shohim, siç tha Enio, një rritje të madhe të investimeve të SHBA-së në Shqipëri. Lidhjet e biznesit SHBA-Shqipëri po shohin gjithashtu rritje të ndjeshme. Bizneset amerikane vazhdojnë të rrisin investimet në Shqipëri. Investimet e huaja të drejtëpërdrejta të SHBA-ve arritën një nivel të ri prej 235 milionë dollarësh në fund të vitit 2022, më shumë se dyfishi i asaj që ishte përpara pandemisë. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe në vitin 2022, eksportet shqiptare drejt SHBA-së ishin tre herë më të larta se një vit më parë dhe pothuajse katër herë më shumë se dy vjet më parë. Pjesa e eksporteve totale që shkojnë në SHBA është dyfishuar vitin e fundit”, deklaroi ajo.

    Megjithatë Kim u shpreh se duhet të përmirësohet klima e investimeve në Shqipëri, duke luftuar korrupsionin me anë të reformave të vazhdueshme.

    “Ja ku të gjithë ju – Dhoma Amerikane e Tregtisë – hyni për të bërë ndryshimin. Avokimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka përmirësuar klimën e investimeve në Shqipëri, ndërsa ju bëni presion për të standardizuar politikat tatimore dhe të nxisni reforma të vazhdueshme kundër korrupsionit. Dhoma Amerikane duhet të vazhdojë të ofrojë rekomandime dhe ide konkrete se si të përmirësohet mjedisi i biznesit dhe të përkrahen kushte te barabarta dhe të drejta për të gjithë.

    Jo të gjitha këto rekomandime zbatohen menjëherë, por ato zbatohen, dhe kjo varet nga këmbëngulja juaj. Shoh një grup shumë të fuqishëm, 3 miliardë të ardhura totale, 40 mijë punonjës. Kjo ju jep një zë, kështu që vendosni se cilat janë përparësitë tuaja dhe ndiqin ato. Na tregoni cilat janë përparësitë tuaja dhe ne mund t’ju ndihmojmë, por ju takon juve të udhëhiqni”, tha Kim. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Presion në rritje ndaj Sunak për emigrantët nën moshë

    Lajmi i rradhës

    Ruajtja e fuqisë punëtore nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë