Zelensky falënderon Gjermaninë si “mikun e madh”

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qëndron për vizitë në Gjermani. Ai falënderoi Berlinin për mbështetje në luftën kundër trupave ruse, me fjalët se Gjermania është “miku ynë i vërtetë dhe aleati i besueshëm”.

    Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky theksoi gjatë qëndrimit në Berlin se Gjermania qëndron me vendosmëri në anën e popullit ukrainas në luftën për të mbrojtur lirinë dhe vlerat demokratike. Të dielën presidneti ukrainas u prit në Berlin nga homologu i tij gjerman Frank-Walter Steinmeier. Presidenti Zelensky falënderoi Steinmeierin për “mbështetjen e tij personale të Ukrainës” dhe popullin gjerman për “solidaritetin fantastik”. Në gjermanisht, Zelensky në librin në kështjellen presidenciale në Berlin shkroi ndër tjerash: “Faleminderit Gjermani!”, duke shtuar se “Gjermania është miku ynë i madh”. Në fillim të luftës Ukraina dhe presidenti ukrainas kanë kritikuar Steinmeierin për qëndrimet e tij të mëparshme ndaj Rusisë dhe Ukrainës, por këto mosmarrëveshje janë tejkaluar ndërkohë në tërësi, që shihet edhe në përzemërsinë e dy presidentëve gjatë vizitës së parë të Zelenskyt në Berlin, prej fillimit të luftës.

    Vizita e parë në Berlin

    Presidenti ukrainas ka mbërritur në Gjermani një ditë më parë. Kjo është vizita e tij e parë në Gjermani që nga fillimi i luftës dhe agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pas takimit me Steinmeier, ai u prit me nderime ushtarake edhe nga kancelari Olaf Scholz (SPD).

    Të shtunën, qeveria federale njoftoi se ka miratuar një paketë armatimesh për Kievin me vlerë prej 2,7 miliardë eurotë tjera. Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, dërgesat e planifikuara me vlerë më shumë se 2.7 miliardë euro përfshijnë sisteme të mbrojtjes ajrore, tanke dhe municione. Zyrtarët e qeverisë ukrainase vlerësuan shumë këtë vendim. Zelensky foli për një “paketë të fuqishme”.

    Pasdite presidenti ukrainas dhe populli ukrainas do të nderohen me çmimin ndërkombëtar Karli i Madh. Kancelari Scholz do të mbajë fjalimin në Aachen ku ndahet ky çmim. E do të flasin edhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki. Çmimi Karli i Madh jepet për meritat e mëdha në Evropë. /dw/

    Lajmi Paraprak

    SHQIPËRIA VOTON | Raportohen raste incidentesh në disa qytete

    Lajmi i rradhës

    Pse është e rëndësishme vaksina kundër lisë së pyllit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë