Zgjedhjet po afrohen, Qeveria shpeshton premtimet për rritjen e pagës

    Zgjedhjet po afrojnë, por edhe premtimet e Qeverisë për rritjen e pagës janë shpeshtuar. Në anën tjetër, sindikatat paralajmërojnë se standardi i jetesës po bie, me kosto që tejkalojnë të ardhurat e qytetarëve. Derisa me hyrjen në një vit zgjedhor në të cilin do të votohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Qeveria gjithnjë e më shumë mburret se pagat po rriten, ndërsa në të njëjtën kohë – të dhënat e sindikatave tregojnë rritje të shportës së konsumit për 56.522 denarë për një familje me katër anëtarë.

    Tani, shpenzimet mujore të një familjeje janë rritur për 13.359 denarë në krahasim me dhjetorin 2022. Këtë shifër e ka publikuar Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sipas metodologjisë së re për llogaritjen e shportës së konsumit sindikal. Llogaritjet e reja tregojnë se dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë mujore të një familjeje. Përveç të punësuarve, të ardhurat mujore nuk mjaftojnë për një numër të madh pensionistësh, pensionet e të cilëve nuk mbulojnë as ushqimin.

    Qeveria miratoi së fundmi Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe deklaroi se nëse disa të drejta të konsumatorëve cenohen nga përdorimi i praktikave të padrejta tregtare, praktika mashtruese dhe agresive tregtare nga tregtari, ligji duhet t’u mundësojë atyre të drejtën e dëmshpërblimit të dëmit që kanë pësuar, si dhe uljes proporcionale të çmimit dhe që tregtarët të marrin gjoba dhe sanksione për ndalimin e kryerjes së veprimtarisë.

    Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për media, u shpreh se beson që deputetët në Parlament do të kenë sukses që deri më 31 janar ta miratojnë ligjin, pasi ligji është propozuar me flamur evropian. Nëse ligji miratohet, siç tha ai, masat do të shfuqizohen. Ministri i Ekonomisë vlerëson se rritja e pagave në vitin e kaluar është mesatarisht më e lartë se rritja e çmimeve.

    “Nëse bëhet krahasimi i rritjes së pagave në vitin e fundit, mesatarisht apo minimale, apo në kategori të ndryshme, është më e lartë se inflacioni”, thotë Bekteshi. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH) tregojnë se rritja e inflacionit në vitin 2023 ishte 9.4 për qind krahasuar me vitin 2022 dhe indeksi i çmimeve me pakicë është 7 për qind.

    Nga LSDM, thonë se përkundër vështirësive për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve me të cilat po ballafaqohen qytetarët, Qeveria konsideron se po zbaton politika të suksesshme ekonomike, duke thënë se rrit pagat në të gjithë sektorët.

    Sipas metodologjisë së re të llogaritjes së dy profesorëve universitarë dhe ish-ministrave të financave, Nikolla Popovski dhe Dragan Tevdovski, për familjet me katër anëtarë që paguajnë qiranë, shporta sindikale është 78.846 denarë. Kjo është për 21.324 denarë më shumë se ato 56.522 për shkak të shpenzimeve për qira, ujë, rrymë dhe ngrohje. LSM thotë se përllogaritja e re e shportës sindikale është një argument i fortë se duhet të rritet paga e punëtorëve. Ata thonë se deputetët po e shpërfillin kërkesën e tyre për rritjen e pagave të punëtorëve dhe pensionistëve.

    “Asnjë parti e vetme politike, asnjë deputet nuk guxoi propozimin tonë për ndryshimin e ligjit. Si pozita ashtu edhe opozita heshtin shumë për sa i përket pagave. Kjo nuk na zemëron ne punëtorët dhe pensionistët, gjegjësisht se nuk ka rritje për ne, por ka për ata”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.

    Nga atje shtojnë se paga më të larta duhet të marrin edhe të punësuarit në sektorin privat.

    Të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), tregojnë se shuma mesatare është pothuajse 39.000 denarë. Paga minimale është 20.175, ndërsa nëse rritet nga prilli do të jetë 23.000 denarë. LSDM në pushtet kohët e fundit u mburr se politikat e tyre janë të suksesshme dhe se pagat po rriten. Nga partia thonë se të ardhurat mujore të ushtarëve janë rritur mbi 100 për qind, ndërsa punonjësit e MPB-së janë rritur me 35 për qind.

    Partia opozitare, VMRO-DPMNE akuzon Qeverinë se ka kohë që nuk mund të përballet me inflacionin e lartë. “Jemi dëshmitarë se kemi 50 për qind inflacion më të lartë se Eurozona, ku ndodhen partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë. Ndërsa të jetosh në Maqedoni është më keq se 7 vite më parë.

    “Sot në Maqedoni jetojnë më keq se të gjitha vendet e fqinjësisë nga BeH deri në Shqipëri”, thonë nga VMRO-DPMNE. Pavarësisht rritjes së pagave, ka pasur një rritje enorme të çmimeve të ushqimeve gjatë dy viteve të fundit, gjë që ka ulur ndjeshëm vlerën e të ardhurave.

    Inflacioni arriti kulmin në nëntor 2022 kur u rrit në gati 20 për qind. Rritja e pagave ka më pak vlerë, sepse qytetarët mund të blejnë më pak produkte në krahasim me një apo dy vjet më parë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Benzema mundësi e mirë për Interin”

    Lajmi i rradhës

    Pse sot është më vështirë të shkohet në Hënë sesa para 50 vjetëve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë