Zhan Mitrevi, ofron 1 milion euro garancë se nuk do të arratiset nga vendi

    Prokuroria ka dëgjuar më shumë se tetëdhjetë për qind të dëshmitarëve – viktima të trajtimit hemofiltrues në spitalin “Zhan Mitrev”, të cilët janë trajtuar për COVID 19. Sipas vlerësimeve të tyre, hetimet ndaj spitalit dhe mjekut Zhan Mitrev duhet të përfundojnë brenda dy deri në tre muaj. Ky informacion, si dhe informacioni se Mitrev ka ofruar garanci prej 1 milion euro para, është bërë i ditur sot për gazetarët në një konferencë me kryeprokurorin Gavril Bubevski, përcjell Nistori.

    Mjeku Zhan Mitrev ka paguar një milion euro para në llogarinë e Gjykatës Penale. Me këto para pronari i spitalit privat garantoi se nuk ka ndërmend të arratiset nga Maqedonia derisa hetimet e prokurorisë vazhdojnë. Si masë garancie dhe dyshimi për rrezik arratisjeje, edhe Zhan Mitrev mbeti pa pasaportën e RMV-së, pasi ia kishin marrë më 12 gusht, ose më pak se një muaj pas shembullit të dokumentarit “Gjaku i pistë”.

    Krahas marrjes në pyetje të qytetarëve, hetuesit e krimeve kompjuterike dhe financiare grumbulluan të dhëna për krimin për të cilin dyshohet doktor Zhan Mitrev – mashtrim.

    Në filmin dokumentar “Gjaku i pistë”, laboratori i reporterit hulumtues prezantoi dëshmi të pacientëve me COVID-19, të cilët i janë nënshtruar metodës së hemofiltrimit, pa u njoftuar nga klinika Zhan Mitrev se kanë qenë objekt i një prove klinike. Mjeku Mitrev e reklamoi në mënyrë agresive këtë metodë (pastrimi i gjakut) si e vetmja mënyrë për të kuruar virusin Korona. Hulumtimi i IRL-së ka treguar se për këtë lloj trajtimi pacientët kanë pasur kërkesë nga spitali privat – të paguajnë 12 mijë euro paradhënie që të hospitalizohen. Gjithashtu, studimet klinike që janë kryer në spital me bazë hemofiltrimi nuk janë raportuar në Agjencinë e Barnave (MALMED) dhe pacientët nuk e kanë ditur se janë objekt i hulumtimit të brendshëm, përcjell Nistori.

    Hetimi i IRL zbuloi se gjatë pandemisë, spitali i mjekut Zhan Mitrev nuk ka paraqitur asnjë infeksion intraspitalor në Qendrën për shëndet publik edhe pse detyrohet ligjërisht.Familjet e pacientëve që vendosën të trajtoheshin atje për shkak të COVID-19 dëshmuan se spitali privat kishte shumë infeksione intraspitalore që vranë të dashurit e tyre. Dëshmitë mbështeten edhe në studimet e publikuara nga klinika “Zhan Mitrev”, ku shkruhet se te shumica e pacientëve ka pasur prani të baktereve të rrezikshme.

    Paralelisht me hetimin “Mashtrimi” i udhëhequr nga Prokuroria e Shkupit, Ministria e Shëndetësisë formoi një grup punues për të hetuar se si pacientët me COVID-19 janë trajtuar me hemofiltrim. Janë siguruar 560 dosje dhe komisioni përbëhet nga mjekë specialistë të klinikave shtetërore për kardiokirurgji, infektivë, terapi intensive dhe nefrologji. Më 29 korrik, ministri i Shëndetësisë i kërkoi publikut kohë për të studiuar me kujdes dokumentet, por nuk specifikoi se sa kohë duhet që grupi i punës të paraqes një raport përfundimtar.

    Por, pas vetëm dy muajsh nga kërkesa për durim nga ministri Bekim Sali më 27 shtator, ai deklaroi se kontrollet janë duke vazhduar dhe dinamika e procesit tregon se raporti përfundimtar i grupit të punës do të jetë gati për 18 muaj.

    Derisa institucionet kompetente po hetojnë se si dhe në çfarë kushtesh është ofruar hemofiltrimi si shpëtim nga pandemia, klinika Zhan Mitrev pohoi se hemofiltrimi ishte një metodë trajtimi, ndërsa përdorimi i pajisjes mjekësore nuk mund të përbëjë raport klinik. Në mbrojtje të spitalit privat, pesë pacientë të shëruar nga COVID-19 me hemofiltrim u mblodhën më 4 shtator para klinikës “Zhan Mitrev” për të ndarë publikisht eksperiencat e tyre pozitive me trajtimin e hemofiltrimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Theksohen manipulime me sasinë e produkteve dhe çmimeve

    Lajmi i rradhës

    BB me parashikime të zymta për gjendjen ekonomike në Maqedoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë