Zona e çmilitarizuar në Ukrainë: shans apo iluzion?

    SHBA propozon një zonë të çmilitarizuar 30 kilometra të gjerë midis forcave ukrainase dhe ruse. Sa realiste do të ishte kjo – dhe kush duhet ta kontrollojë atë?

    SHBA propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar në Ukrainë të kontrolluar nga Ukraina dhe Rusia.  Është një zonë e vendosur 15 kilometra nga fronti aktual në të dyja anët, midis forcave të armatosura të Ukrainës dhe trupave ruse.

    Këtë ide e ka shprehur përfaqësuesi special i presidentit amerikan për Ukrainën, ish-gjenerali Keith Kellogg, në një intervistë për Fox News. “Kjo do të thotë se do të krijohet një zonë 30 kilometra e kontrolluar qartë. Do të regjistrohen të gjitha shkeljet e mundshme,” tha i dërguari special i SHBA, duke shtuar se kontrolli i territorit të sigurisë mund të merret nga një “koalicion i vullnetshmëve”. Ukraina duket se është gati për një zonë të përkohshme të çmilitarizuar.

    Sipas Kellog, Ukraina mund të rimarrë kontrollin e territoreve të humbura me kalimin e kohës, siç ndodhi me Gjermaninë, e cila u nda në dy shtete pas Luftës së Dytë Botërore dhe u ribashkua në vitin 1990. Ose si shtetet baltike, që u bënë pjesë e BRSS, që nuk u njoh nga Perëndimi. “Territori që ju tani kontrolloni dhe luftuat për të ju takon juve, dhe se çfarë do të ndodhë në pesë apo dhjetë vjet është një pyetje tjetër. Kjo do të thotë një ngrirje e luftimeve në pozicionet aktuale. Dhe kjo është pikërisht ajo që ukrainasit janë të përgatitur të bëjnë,” tha Kellogg.

    Do donin ukrainasit ta ngrinin luftën?

    Në kohën e publikimit të këtij artikulli, Kievi zyrtar nuk e ka komentuar ende këtë çështje. Taras Shamajda, kreu i lëvizjes Hapësira e Lirisë, kërkoi një sqarim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës nëse Ukraina ishte vërtet e gatshme të tërhiqte trupat e saj me 15 kilometra dhe cilat zona duhet të çmilitarizohen.

    “Mbi bazën e cila ligjeve do të qeverisej ky territor? Çfarë lloj autoritetesh do të ekzistonin atje? Cili do të ishte misioni i trupave të huaja në këtë zonë? A do të vendoseshin atje trupa nga shtetet neutrale apo edhe nga shtetet që janë në anën e Rusisë? Çfarë do të bënin këto trupa, nëse rusët do të donin papritur të pushtonin të gjithë ose një pjesë të këtij 30-kometri sigurie?” ka shkruar aktivisti në faqen e tij në Facebook. Nuk ka ende përgjigje për këto pyetje.

    Do të rritet presioni amerikan ndaj Rusisë?

    Petro Burkovsky, drejtor ekzekutiv i Fondacionit ukrainas Ilko Kucheriv për Iniciativa Demokratike, e sheh propozimin e Shteteve të Bashkuara si të arsyeshëm.  Ukraina mundet të pajtohet me këtë, sipas eksperti, i cili përmend përvojën e Marrëveshjes së Camp David midis Egjiptit dhe Izraelit në 1979 si një shembull pozitiv historik i një zone të çmilitarizuar. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara vepruan si ndërmjetësuese, u krijua një zonë e çmilitarizuar nën kontrollin e vëzhguesve amerikanë dhe trupat u ndanë pas një armëpushimi.

    Burkowskyj beson se një tërheqje e trupave dhe një armëpushim i përkohshëm mund të jetë hapi i parë i prekshëm drejt përfundimit të luftës. Një armëpushim 30-ditor dhe krijimi i një zone të çmilitarizuar prej 30 kilometrash mund të jetë teorikisht i mundur, thotë ai. Por parakushti më i rëndësishëm është Po-ja e Rusisë, e cila deri më tani nuk ka treguar një vullnet të tillë. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov u shpreh në Kremlin, se “nuk kishte dëgjuar ende ndonjë deklaratë nga Kievi për dëshirën e tij për një zonë të çmilitarizuar”.

    Oleksandr Chara, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategjitë e Mbrojtjes me bazë në Kiev, tha se propozimi i SHBA për një zonë të çmilitarizuar 30 kilometra mbetet vetëm një “ide në letër”. “Rusia ka burimet dhe ka një qëllim. Ata nuk do të ndalen derisa ne të dorëzohemi. Ata mund të kombinojnë strategji diplomatike, ndërkohë që amerikanët vazhdojnë të bëjnë presion mbi ne. Ndërkohë, koalicioni evropian që na mbështet do të prishet. Dhe në të njëjtën kohë, ata vazhdojnë të na vrasin”, tha Chara.

    Tërheqje trupash ka pasur një herë

    Vladyslav Seleznev është gazetar i çështjeve ushtarake dhe ish-drejtues i shërbimit të shtypit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës. Ai e përshkruan formatin e propozuar për përfundimin e luftës si joefektiv. Ukraina e ka “përjetuar” këtë njëherë me tërheqjen e trupave nga vija e frontit në Donbass nga viti 2014 deri në vitin 2022. Në atë kohë kishte më shumë se 20 marrëveshje armëpushimi, por të gjitha rezultuan joefektive, thotë Seleznev. “Madje as grupi i monitorimit të OSBE-së nuk ishte në gjendje të siguronte një vijë ndarëse të përhershme dhe të sigurt përgjatë frontit. Të shpresosh se do të funksionojë këtë herë duket e kotë.”

    Kreu i Qendrës së Ukrainës për Siguri dhe Bashkëpunim, Serhiy Kuzan u shpreh një qëndrim disi më optimist për DW. Ideja e ndarjes së trupave dhe krijimit të një zone të çmilitarizuar është realiste, por vendimtare mbetet kontrolli efektiv i kësaj zone të sigurisë. Ai ka dyshime dhe nuk beson, se vendet evropiane e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” tdo ë pranojnë të dërgojnë trupat e tyre në zonë. Kjo për shkak të rrezikut të lartë të përshkallëzimit dhe viktimave të mundshme midis paqeruajtësve, shton Kuzan.

    Ekspertët pajtohen se propozimi i SHBA duhet të shqyrtohet me kujdes dhe ai mund të zbatohet vetëm nëse është ekonomikisht e pamundur për Rusinë të vazhdojë luftën e agresionit. Dhe për këtë, ata besojnë se janë të nevojshme sanksionet dhe presioni ndaj Moskës. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Egoizmi politik çon në bllokim Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë