ZRRE-ja paralajmëron se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) ka thënë të hënën se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi nga 1 maji, në pritje të marrjes së vendimit për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind.

    “Vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do nisin të aplikohen nga data 1 maj të këtij viti,” tha Petrit Pepaj nga ZRRE-ja gjatë një takimi me gazetarë.

    Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke nxitur reagime dhe protesta.

    Shtrenjtimi i rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të shtunën në kryeqytet.

    ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

    Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

    ZRRE-ja ka argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

    Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

    Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

    Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

    Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

    Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

    Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

    Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania nuk kryeson më renditjen e BE në kërkesat për azil

    Lajmi i rradhës

    Mexhiti: përveç Taravarit, askush tjetër në VLEN nuk ka dilema

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë