A doni diploma zonja dhe zotërinj?

    Emir Hamzi, gazetar / Fotografia: Rromir Imami

    Emir Hamzi
    Komunikolog

    Na ka mbetur toka pa plug, se gjithë fshati është bërë me diploma! Nuk na gjen më një marangoz për të ndrequr derën që kërcet sa herë e hap, se ai tani ka bërë master për menaxhim dhe përpunim të drurit. Automekaniku? Nëse e gjen ndonjë, ai do të vijë vetëm me laptop për të diagnostikuar me fjalë makinën që s’ndizet kurrë më.

    E çezmaxhiun? Ai po lexon për doktoraturë mbi mënyrat e rrjedhjes së ujit në “gypat e xhamit” që priten të vendosen në qytetin tonë. Kurse arat tona që dikur buçisnin nga prodhimi, tani kanë ngelur dëshmitare të heshtura të një shoqërie që më mirë i mban duart në xhepa se sa në lopatë.

    Në vend të kumbimit të çekanit e tingujve të frezës, sot dëgjon vetëm klithmat për diplomë nga nxënës e studentë që shohin më shumë TikTok se sa librin. Çdo vit me ceremoni madhështore shpërndahen diploma si petulla në panair, ndërsa në administratë, spital dhe shkollë ndodh një fenomen shumë interesant: punët bëhen gjithnjë më ngadalë, me shumë gabime e kësisoj shumë rrudha shtohen në ballin e qytetarëve.

    E kur vjen puna për të ngritur zërin kundër padrejtësive? Harroni fare! Me kë të bësh protestë? Me ata që kanë frikë mos t’iu rrëzohet ndonjë fije floku? Me ata që sorrollaten me vetura në qytet dhe bllokojnë rrugët dhe transportin publik? Apo me ata që kanë studiuar aq shumë sa nuk e kanë idenë ç’ndodh në jetën reale?

    Për profesorët? Shyqyr i kemi të urtë, nuk bëjnë zhurmë, nuk janë problematikë. Kërkojnë t’i mëshirojmë, nuk duan të përzihen në opinionin publik. Kur i kontakon një gazetar për një çështje të caktuar, thotë: “më kurse kësaj radhe!” Çfarë të them, hall profesorësh që i ka punësuar partia, se ashtu shkojnë punët te ne: ky është i yni, ai i tjetrës parti!

    Keq, se as sot nuk mund të flasim për vetëdije kolektive, sepse ‘korbave’ tanë u vjen turp të protestojnë, aq sa po u “ra hunda” nuk ulen ta marrin. Arrogancë e pashpejgueshme, sepse dijet nuk kanë depertuar si duhet e ata vet të pasinqertë.

    Janë pikërisht këta studentë e nxënës që paraqiten disa herë në fakultet ose nuk paraqiten fare dhe në fund si më i miri në rreshtin e parë të ceremonisë së diplomimit. Studentët dhe unionet e studentëve asnjeherë nuk ka kundërshtuar si duhet politikat universitare dhe ndaj bandës që ka krijuar çerdhe në universitet! Kuptohet as shitësi dhe as blerësi i dijes nuk do të ngrihen për ta thënë këtë publikisht! Është një sado-mazohizëm profesor – student, ku të dyja palët përjetojnë “kënaqësi të çuditshme” nga dhënia dhe marrja e sfidave akademike.

    Dëshminë e cilësisë së dobët po e shohim çdo ditë te personat e përfshirë në procese të ndryshme të punës; ata i hasim në administratë, spital apo nëpër shkolla. Epo kështu është kur shesim dije false dhe blejmë status social të rremë. Kur vjen dita për të korrur, nuk mbjellim as drejtësi, as protestë dhe as grurë. Vetëm heshtje të diplomuar, të rafinuar me arrogancë e mungesë përgjegjësie.

    Në fund të fundit, arsyeja është e thjeshtë: çerdhja e “korbave të diplomuar” ka rrënjë të thella në universitet. E siç duket, këta ‘korba’ nuk janë mësuar të fluturojnë, por vetëm të zvarriten në administratë me një buzëqeshje të “diplomuar” dhe ti rri e prit te sporteli se ku do ta kesh fatin e aventurës nëpër korridoret e komunizmit! Diplomat i kemi marrë, tash kush do të na bëjë punët — do thoshte një shoqja ime gazetare.

    *Emir Hamzi është gazetar dhe udhëheqës i portalit Nistori. Në artikull përfaqëson qëndrimin e tij personal dhe jo të politikës redaktuese të portalit ku punon. Lejohet marrja e artikullit me kushtin që të citohet autori dhe të mos ndryshohet teksti.

    Lajmi Paraprak

    Aksioni “Vardar” / Sekuestrohen valuta të huaja, 10 të arrestuar

    Lajmi i rradhës

    Borxhet mbi dy milionë euro në institucionet e Dibrës, kërkohet ndihmë nga qeveria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë