Arsim Leskovica
Në epokën e rrjeteve sociale, veprimi i thjeshtë i shtypjes së butonit “Like” është shndërruar në një akt simbolik me domethënie më të thellë. Një klikim që, në shikim të parë, duket i pafajshëm, fsheh nën sipërfaqe një kompleksitet psikologjik dhe filozofik që pasqyron jo vetëm vetëdijen individuale, por edhe normat e shoqërisë sonë.
Filozofikisht, “Like”-u ka fituar statusin e një lloj “valute sociale”, një lloj afirmimi i miratimit nga të tjerët. Por çfarë ndodh kur kjo valutë shpërndahet pa kriter, për tekste, imazhe apo mendime që janë të pavlera, fyese, denigruese, me një fjalë, të papëlqyeshme në esencë?
Duke shtypur butonin “like” me ngulm sikur kur luanim “fliper” në vegjëli, vetëm për ta mbajtur topin në lojë, për të ruajtur një marrëdhënie apo për të shmangur zemërimin e dikujt; individi krijon një panoramë të rreme të realitetit, ku mediokriteti shpërblehet dhe vlerat e vërteta nuk bëhen të dukshme.
Etika e “Like”-ut kërkon që individi të mos bëjë kompromis me ndërgjegjen e tij. Nëse bëjmë “Like” për “hatër”, për të mos zemëruar një mik apo për t’u dukur të sjellshëm, atëherë ne po tradhtojmë jo vetëm vetveten, por edhe konceptin e ndershmërisë shoqërore.
Nga pikëpamja psikologjike, ata që zemërohen për mungesën e një “Like”-u dëshmojnë për një deficit emocional dhe intelektual. Ky reagim shpesh buron nga një varësi e rrezikshme ndaj miratimit të jashtëm. Kur individi e bazon vlerësimin e vetvetes në numrin e pëlqimeve që merr, ai humbet ndjesinë e brendshme të vetëvlerësimit dhe pavarësisë.
Ky fenomen ngre pyetjen: a kemi ndërtuar një shoqëri që më shumë i jep rëndësi dukjes sesa përmbajtjes Nëse pëlqimet shpërndahen pa menduar, ato bëhen vetëm një reflektim i një shoqërie ku mediokriteti mbizotëron mbi cilësinë dhe ku vlerat e vërteta përçmohen në favor të sipërfaqësoreve.
Kur analizojmë këtë sjellje në një nivel makro, shoqëritë që promovojnë vlera të rreme, duke shpërblyer postime pa asnjë peshë, po përgatisin terrenin për një mungesë kolektive të sensibiltetit estetik dhe etik. Pra, veprimi i mosbërjes “Like” nuk duhet parë si akt ofendimi, por si një qëndrim kritik dhe etik që kontribuon në ngritjen e standardeve shoqërore. Ndërsa fliper ishte një burim argëtimi dhe sfide personale, shtypja e Like-ut në rrjetet sociale shpesh vjen nga presioni shoqëror dhe jo nga një dëshirë e pastër për të shijuar apo për t’u përfshirë. Kontrolli i përhershëm.
Në fliper, ne kishim njëfarë kontrolli mbi rezultatin; në rrjetet sociale, shtypja e Like-ut nuk kontrollon vërtet asgjë të brendshme, por vetëm ushqen një iluzion të pranimit dhe të përfshirjes shoqërore. Ashtu si në fliper, ku shtypja e butonave pa strategji çonte në humbjen e lojës, edhe në rrjetet sociale, shtypja e Like-ut pa reflektim mund të na largojë nga qëllimi i vërtetë: të komunikojmë, të ndajnë diçka me kuptim dhe të krijojmë lidhje autentike.
Në vend që të sillemi si lojtarë të përfshirë në një lojë pa fund, duhet të ndalemi dhe të pyesim: a ka kuptim ky veprim? A meriton ky postim vëmendjen tonë? Tekefundit, nuk është shtypja e butonit që ka rëndësi, por mendimi që e shoqëron atë.