Ramadan Ramadani
Inaugurimi i kryetarit të ShBA-së më përkujtoi se me rastin e zgjedhjes së Obamës në vjeshtën e vitit 2008 isha në panairin ndërkombëtar të librit në Stamboll si përfaqësues i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Pasi aty e prezantonim shtetin, përveç librave dhe botuesve, me vete kishim marrë edhe një shkrimtar shqiptar nga Maqedonia i cili shumë u mërzit nga rezultatet e zgjedhjeve në ShBA. Mua edhe sot edhe atëherë më dukej Amerika larg e ne të vegjël dhe e merrja më shtruar atë ndryshim, që ishte edhe më radikal se zgjedhja e këtij kryetari tani. “Pse çka do të ndodhë tani me Amerikën që mërzitesh”, e pyeta shkrimtarin e mençur dhe të urtë, i cili edhe ai si unë dukej se e do Amerikën pavarësisht kryetarëve të saj?! “Tani do të shohësh, do të ndodhë me Amerikën ajo që më pat thënë mua një amerikan pas lufte se mund të ndodhë me Maqedoninë, nëse rregullohet me shqiptarët. Tani e tutje shumica, të bardhët, do ftohen prej ShBA-ve?!” Nuk di të them sa ka ndodhë ajo ftohje, por e shoh se shumë njerëz nga ajo pjesë e botës që shpresonin te Barak Obama përfunduan të zhgënjyer dhe mund që shumë njerëz nga ajo pjesë e botës që shpresojnë në Trump-in sot, të përfundojnë poashtu — të zhgënjyer.
Gati harrova, në atë panair më duket e kam blerë edhe një libër të poetit turk me prejardhje shqiptare, Enis Batur, libër me përshtypje udhëtimesh nëpër ShBA. Libër koti, por me titull të veçantë që mund të shërbejë si koment për Amerikën tonë; edhe sot e përmot: “Amerika është një shaka e madhe Frank i dashur, por sa ne mund të qeshemi me të?!”
Por, pse me ardhjen e dytë të Trump-it këtë herë shpresoj se më mirë do të kalojë dynjaja:
Bota dhe sidomos Evropa janë më të përgatitur se çka mund t’iu ndodhë me ShBA nën Trump, ngase kanë arritur kulmin e përçarjes e dobësisë, ata do të kenë përgjigje dhe përgatitje më të mirë këtë herë. Kjo shihet më së miri nga fjalët e para të Papës që u pa se ka marrë gard duke i kritikuar menjëherë disa politika për emigrantët.
Trump këtë herë vjen më i përgatitur për kryetar dhe jo si herën e parë apansëz dhe kur sipas dëshmive të kryekëshilltarit të tij Steve Bannon në librin që shkroi pasi u hidhëruan: as e ka ditur e as ka pritur atëherë të bëhej kryetar. Trump këtë herë vjen me shoqërues të rëndë me vete për disa prej të cilëve ka insistuar t’i ketë edhe në qeveri dhe përgjegjës. Sikur ky antipatiku Elon Musk, i cili i pari i mbushi kushtet të bëhet kurban në gabimin e parë e jo vet Trump.
Mendoj se bota dhe sidomos Europa ku jemi ne, do të dinë të mësojnë nga stili i përfaqësueses euopiane më të thellë te Trump, zonja Melania Trump e cila mbrëmë zgjodhi kapelë që pamundësoi Trump-in ta puthe në faqe! Kapela ndërmjet mund të jetë NATO, Rusia e çkado tjetër politikë e qëndrueshme dhe konsistente europiane për të cilat kemi nevojë dhe na ka marrë malli!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.