Analiza e Josep Borrell: Lufta e Putinit ka zgjuar një ‘gjigant të përgjumur’

    Josep Borrell

    Pas shumë debatesh se si Bashkimi Evropian mund të bëhet më i fortë dhe më i ndërgjegjshëm për sigurinë, evropianët tani kanë bërë më shumë progres drejt këtij objektivi javën e kaluar sesa në dekadën e kaluar. Lufta e Rusisë ka zgjuar një gjigant të përgjumur – një gjigant që është plotësisht i përkushtuar për të mbështetur një Ukrainë të lirë.

    Disa javë mund të duken si dekada dhe kjo javë ka qenë një prej tyre. Me aktin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, tragjedia e luftës ka shpërthyer sërish në Evropë. Forcat ruse kanë bombarduar banesa rezidenciale, shkolla, spitale dhe infrastruktura të tjera civile.

    Makina e propagandës së Kremlinit është përpjekur të justifikojë të pajustifikueshmen. Më shumë se një milion njerëz tashmë kanë ikur nga dhuna dhe kjo shifër do të rritet edhe më shumë.

    Ndërkohë, ukrainasit po tregojnë një mbrojtje heroike të vendit të tyre, të galvanizuar nga udhëheqja e presidentit Volodymyr Zelensky. Përballë një sulmi në rritje dhe pretendimeve absurde të Kremlinit që mohojnë identitetin e tyre kombëtar, ukrainasit kanë demonstruar unitet dhe qëndrueshmëri.

    I ngecur në të kaluarën, presidenti rus Vladimir Putin mund ta ketë bindur veten se Ukraina i përket atij sipas vizionit të tij për një “Rusi të madhe”. Por ukrainasit kanë treguar se vendi i tyre u përket atyre dhe se ata synojnë që ai të ketë një të ardhme evropiane.

    Bashkimi Evropian ka nisur të veprojë. Ndërsa disa prisnin që të ankoheshim, të mos pajtoheshim dhe të vonoheshim, ne kemi vepruar me shpejtësi rekord për të mbështetur Ukrainën, duke thyer tabu gjatë rrugës. Kemi vendosur sanksione të paprecedentë ndaj oligarkëve të lidhur me Kremlinin dhe atyre që janë përgjegjës për luftën. Masa që më parë ishin të pamendueshme – të tilla si ndalimi i bankave kryesore ruse nga sistemi SËIFT dhe ngrirja e aktiveve të bankës qendrore ruse – janë tashmë në fuqi. Dhe për herë të parë ndonjëherë, BE-ja po mbështet shtetet anëtare teksa furnizojnë me pajisje ushtarake Ukrainën në luftë, duke mobilizuar 500 milionë euro (554 milionë dollarë) në kuadër të Instrumentit Evropian për Paqe.

    Ne i kemi bërë të gjitha këto së bashku me vendet e tjera për të siguruar efekt maksimal. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Zvicra, Japonia, Singapori dhe shumë qendra të tjera nervore financiare dhe ekonomike janë bashkuar me ne në miratimin e sanksioneve të ashpra. Zemërimi ndërkombëtar kundër Rusisë po përhapet, madje edhe në sport dhe art. Një numër i madh kompanish po largohet nga tregu rus.

    Megjithatë, lajmet nga Ukraina janë të tmerrshme dhe serioze, dhe askush nuk e di se si do të përfundojë kjo luftë. Putin do të përpiqet të justifikojë gjakderdhjen që ka nisur duke e përshkruar atë si një nënprodukt të pashmangshëm të ndonjë përplasjeje mitike midis Perëndimit dhe pjesës tjetër; por ai nuk do të bindë pothuajse askënd. Shumica dërrmuese e vendeve dhe njerëzve anembanë botës refuzojnë të pranojnë një botë ku një udhëheqës autokratik thjesht mund të marrë gjithçka që dëshiron përmes agresionit ushtarak.

    Më 2 mars, një shumicë dërrmuese e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – 141 vende – votuan për të mbështetur të drejtat sovrane të Ukrainës, duke denoncuar veprimet e Rusisë si një shkelje të qartë të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar. Vetëm katër vende votuan pro Rusisë (35 të tjerët abstenuan). Kjo shfaqje historike e konsensusit global tregon se sa shumë udhëheqësit e Rusisë e kanë izoluar vendin e tyre. BE-ja punoi shumë për të arritur këtë rezultat në OKB dhe ne pajtohemi plotësisht me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres se tani duhet t’i jepet fund dhunës dhe të hapet dera për diplomacinë.

    Në javën që pas pushtimit të Rusisë, ne kemi qenë gjithashtu dëshmitarë të lindjes së vonuar të një gjeopolitike evropiane. Për vite me radhë, evropianët kanë debatuar se si BE-ja mund të bëhet më e fuqishme dhe e ndërgjegjshme për sigurinë, me qëllim ndjekjen e synimeve tona politike në skenën botërore. Tashmë kemi ecur më tej në këtë rrugë javën e kaluar sesa kemi ecur në dekadën e kaluar.

    Ky është një zhvillim i mirëpritur, por ka shumë më tepër për të bërë. Së pari, ne duhet të përgatitemi për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj për një kohë të gjatë – për hir të tyre, si dhe për të mirën tonë. Nuk do të ketë siguri për askënd nëse lejojmë që Putini të triumfojë. Nëse nuk ka më rregulla, të gjithë do të jemi në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që një Ukrainë e lirë të mbijetojë. Dhe për këtë qëllim, ne duhet të bëjmë që Rusia t’i kthehet arsyes, në mënyrë që paqja të rivendoset.

    Së dyti, duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë kjo luftë për sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane më gjerësisht. Merrni për shembull dimensionin e energjisë. Është e qartë se reduktimi i varësisë sonë nga importet e energjisë nga fuqitë autoritare dhe agresive është një imperativ strategjik urgjent. Është absurde që ne kemi financuar fjalë për fjalë aftësinë e kundërshtarit tonë për të bërë luftë. Pushtimi i Ukrainës duhet t’i japë një vrull të ri tranzicionit tonë të energjisë së gjelbër. Çdo euro që ne investojmë në zhvillimin e burimeve të rinovueshme në vend do të zvogëlojë dobësitë tona strategjike dhe do të ndihmojë në shmangien e ndryshimeve katastrofike klimatike. Forcimi i bazës sonë nënkupton gjithashtu trajtimin e rrjeteve agresive të dezinformimit të Rusisë.

    Së treti, në një botë politike pushteti, ne kemi nevojë për kapacitetin për të detyruar dhe mbrojtur veten. Po, kjo përfshin mjetet ushtarake dhe ne duhet t’i zhvillojmë ato më shumë. Por thelbi i asaj që BE-ja bëri këtë javë që përdori të gjitha politikat dhe mekanlizmat – të cilat mbeten kryesisht ekonomike dhe rregullatore në natyrë – si instrumente pushteti. Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë qasje në javët në vijim, në Ukrainë, por edhe gjetkë, sipas nevojës.

    Detyra kryesore për “gjeopolitikën evropiane ” është e hapur. Ne duhet të përdorim sensin tonë të ri të qëllimit fillimisht për të garantuar një Ukrainë të lirë dhe më pas për të rivendosur paqen dhe sigurinë në të gjithë kontinentin tonë.

    Marrë me autorizim nga Project Syndicate.
    BIRN

    Lajmi Paraprak

    DYFISH TË IZOLUAR

    Lajmi i rradhës

    Orteku i Urës… në Mal të Zi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë