Ja se si pandemia e Covid-19 nxori në pah dobësitë e Bashkimit Europian

    Enes Bayrakli

    Si një organizatë mbikombëtare unike, Bashkimi Evropian është padyshim një histori suksesi. Por duhet shtuar se kjo është e vërtetë vetëm në kohë normale. Dhe nuk mund të thuhet e njëjta gjë në kohë krize. Që nga themelimi i saj, BE-ja është përballur me një sërë krizash të brendshme dhe të jashtme.

    Virusi i Covid-19, që u shfaq për herë të parë në Kinë në fundin e vitit 2019, preku të gjithë botën, duke shkaktuar një krizë globale. Përveç dimensionit shëndetësor të krizës, janë shfaqur edhe dimensionet ekonomike, politike dhe sociale.

    Kriza e Covid-19 ka shkaktuar në veçanti një debat mbi funksionalitetin e organizatave ndërkombëtare, të cilat janë aktore të rëndësishme brenda rendit botëror liberal. Pamundësia e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) për të hartuar një politikë të përbashkët mbi pandeminë Covid-19 përbën bazën e diskutimeve. Për më tepër, fakti që BE nuk merr shpejt vendimet në aspektin e menaxhimit të krizave, buron nga burokracia e saj e ngathët, gjë që ka vënë në pikëpyetje funksionalitetin e strukturës politike të unionit.

    Dallimet egoiste të opinioneve midis shteteve anëtare, ngathtësia e ‘burokracisë’ dhe mungesa e një mekanizmi të përbashkët të politikës së jashtme dhe të sigurisë, e kanë penguar aftësinë e BE -së për të parandaluar dhe menaxhuar një sërë krizash që kanë ndodhur brenda dhe jashtë kufijve të saj.

    Teksa është veçanërisht e dukshme në Siri dhe Libi, paaftësia e BE-së për të shprehur një politikë të përbashkët në fushën e punëve të jashtme dhe sigurisë përbën një problem të përjetshëm. Qëndrueshmëria e një sistemi politik, është më e dukshme në kohë krize.

    Është vërtetë e vështirë të pretendosh se BE-ja ka bërë mjaftueshëm për ta kaluar provën. Dështimet e saj janë veçanërisht të dukshme kur bëhet fjalë për krizat në fqinjësinë e saj të afërt. Për shembull, në paaftësinë e saj për të parandaluar apo ndaluar konfliktet etnike në Ballkan gjatë krizës së Jugosllavisë.

    Por dështimi i BE-së për të parandaluar dhe menaxhuar krizat, nuk ka të bëjë vetëm me krizat jashtë kufijve të unionit. Ajo ka qenë po aq e ngadaltë dhe joefikase gjatë krizave të brendshme. Një krizë e rëndësishme e brendshme, gjatë së cilës u testua qëndrueshmëria e BE-së ishte kriza e eurozonës.

    Kriza financiare, që filloi në SHBA dhe u përhap në vendet e tjera, shkaktoi një krizë të madhe të borxhit në BE. Në këtë proces, Brukseli dështoi të tregonte solidaritet të mjaftueshëm përballë efekteve serioze të krizës ndaj vendeve anëtare si Greqia, Irlanda dhe Portugalia, dhe ndërhyrja e vonuar e saj e thelloi edhe më shumë krizën.

    Kriza e eurozonës, e ka thelluar polarizimin dhe ka forcuar lëvizjet anti-BE brenda BE-së, për shkak të ngurrimit të vendeve të BE-së veriore për të ndihmuar të tjerët. Në këtë proces u thellua më tej “ndarja Veri-Jug”.

    Përveç vendeve fqinje me Sirinë, lufta civile atje ndikoi më së shumti tek BE-ja, duke shkaktuar një valë të re refugjatësh, sulme terroriste dhe rritje të së djathtës ekstreme. Përkundër kësaj, përgjigja e BE -së ndaj konfliktit në Siri ka qenë pothuajse e padukshme.

    Politika e Brukselit për refugjatët, tentoi më shumë të mbajë larg këta të fundit, gjë që ka sjellë thellimin e krizës që nga viti 2015.

    Çështje si fundosja e varkave me refugjatë në Detin Egje dhe Detin Mesdhe, mbyllja e portave kufitare, problemet shëndetësore të refugjatëve, dhe abuzimi seksual me fëmijët refugjatë në kampet e improvizuara, e ka dëmtuar vlefshmërinë e ligjërimit të BE-së mbi të drejtat e njeriut

    Gjatë pandemisë, çarjet në BE u bënë të dukshme mbi çështje të tilla si “luftërat e maskave”, ndalimi i eksportit të pajisjeve mjekësore, mbyllja e kufijve dhe nacionalizmi i vaksinave. Për shembull,në fillim të pandemisë, maskat që do të dërgoheshin në Itali dhe Spanjë u konfiskuan nga Franca.

    Por pandemia që është një problem global, ka sjellë rënien e mëtejshme të frymës së BE-së, pasi shtetet anëtare filluan me egoizëm që të kërkojnë zgjidhje kombëtare për një krizë

    të paparë shëndetësore ndërkombëtare. Ndalimet ndaj eksporteve të vaksinave, kanë ndezur gjithashtu debatin mbi nacionalizmin e vaksinave brenda vendeve të BE -së.

    Lënia vetëm e vendeve jashtë BE-së veçanërisht atyre të Ballkanit në luftën kundër pandemisë, e ka dëmtuar seriozisht imazhin e BE-së. Në këtë proces, është parë se Britania e Madhe ka qenë shumë më e suksesshme në menaxhimin e pandemisë në krahasim me BE -në, pas largimit nga unioni si rezultat i Brexit.

    Kjo krizë e bëri akoma më të dukshme burokracinë e rëndë dhe pasojat fatale të mekanizmit të ngadalshëm të vendimmarrjes në aparatin e BE-së në kohë krize. Përveç debateve politike të shkaktuara nga pandemia në BE, ajo nxiti edhe disa debate ekonomike.

    Për më tepër, fakti që shtetet anëtare me ekonomi të brishta, ishin më të prekura nga pandemia, shkaktoi përhapjen e shpejtë të lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe dhunës, e cila ka vazhduar prej vitesh në union. Kjo situatë bëri që kriza sociale në BE të arrinte kulmin gjatë kësaj pandemie.

    Siç mund të kuptohet nga të gjitha këto kriza,në të cilat është testuar elasticiteti i BE-së, unioni ka probleme serioze në prodhimin e politikave për çështje që kërkojnë vendime të shpejta si kriza e refugjatëve, lufta kundër pandemisë dhe përcaktimi i një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

    Shënim: Enes Bayraklı, profesor i asociuar në Universitetin Turko-Gjerman.

    Lajmi Paraprak

    Ja si lidhen ngjarjet ekstreme të motit me ndryshimin e klimës

    Lajmi i rradhës

    Rusia po fillon të mbjellë farat e “diplomacisë së grurit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë