Ngecja e rrezikshme në vend e Ballkanit Perëndimor

    Carl Bildt

    Teksa 2 dekadat e luftës në Afganistan po përfundojnë në mënyrën më të keqe të mundshme, vlen të kujtohet se tani kanë kaluar 3 dekada që kur shpërtheu lufta në Ballkan. Që të dyja janë raste ekzemplare studimi se si keq-menaxhimi i luftës, mund të sjellë efekte shkatërruese, të cilat mund të zgjasin për dekada të tëra.

    Për dekada të tëra, klasa politike amerikane ka ndërhyrë në mënyrë të pamëshirshme dhe të pamatur në vendet, njerëzit e të cilëve ata i përçmojnë. Dhe sërish ata po ndihmohen nga masmedia mashtruese e Amerikës, e cila në mënyrë uniforme fajëson për fitoren e talebanëve korrupsionin e pandreqshëm të Afganistanit.

    Në Ballkan, një luftë e vogël midis shtetit të shpërbërë të Jugosllavisë dhe njërës prej republikave të saj përbërëse, Sllovenisë, u pasua nga një konflikt më i madh në Kroaci. Brenda një viti, një konflikt i egër shpërtheu edhe në Bosnje Hercegovinë.

    Papritur në Evropë kishte përfunduar periudha e “pasluftës”. Luftërat ballkanike shpërthyen për një dekadë të tërë. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund konfliktit në Bosnjë në vitin 1995. Por me pas erdhi Lufta e Kosovës, e cila vazhdoi deri në vitin 1999 dhe u pasua në vitin 2001, nga një shpërthim serioz i dhunës në atë që tani njihet si Maqedonia e Veriut.

    Luftërat ballkanike shkaktuan vdekjen e shumë se 100.000 njerëzve, zhvendosjen e miliona të tjerëve, dhe kthyen pas me disa dekada zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.

    Edhe pse kishte jetuar kryesisht me kredi nga jashtë, Jugosllavia e vjetër u kishte garantuar qytetarëve të saj një standard jetese më të mirë se sa qytetarët e vendeve të tjera socialiste. Por shpërbërja e gjatë dhe e dhunshme e vendit ndryshoi gjithçka.

    Marrëveshjet e paqes që u nënshkruan në atë kohë ishin thjesht masa të përkohshme ndalimi. Të gjithë e kuptuan se stabiliteti i qëndrueshëm, do të kërkonte një kuadër më të gjerë dhe shumë më tepër gjithëpërfshirës. Kësisoj në vitin 2003, udhëheqësit e Bashkimit Evropian deklaruan se të gjitha vendet e rajonit, duhet të punojnë drejt një të ardhmeje të stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme brenda unionit.

    Askush nuk e priste që kjo gjë të ndodhte brenda natës. Por sërish askush nuk mendonte se procesi i integrimit do të ishte kaq i zgjatur sa edhe po rezulton të jetë. Që nga pranimi i Sllovenisë dhe Kroacisë në vitet 2004 dhe 2013, zgjerimi i BE -së në Ballkan ka ngecur në vend.

    Arsyeja për këtë është e dyfishtë. Së pari, reformat politike dhe ekonomike në vendet e Ballkanit jashtë BE-së kanë qenë shumë të ngadalta, ndërsa korrupsioni dhe ndjenjat nacionaliste janë bërë gjithnjë e më të forta.

    Së dyti, brenda shumë vendeve të BE-së është zbehur mbështetja për zgjerimin e mëtejshëm të unionit. Megjithëse politikanët i kushtojnë ende vëmendje kësaj ideje, pengesat dhe vonesat e reja priren të përqafohen me lehtësi në disa shtete kryesore anëtare.

    Për më tepër, problemet brenda vendeve të Ballkanit janë serioze. Një çerek shekull pas Marrëveshjes së Dejtonit, komuniteti ndërkombëtar e konsideron Bosnjën një shtet aq shumë jofunksional në aspektin politikisht, sa që po mban ende aty një Përfaqësues të ri të Lartë me kompetenca të zgjeruara (unë isha i pari që mbaja një post të tillë në vitet 1995- 1997), duke e prishur në mënyrë efektive axhendën e vendit për anëtarësim në BE.

    Ndërkohë, Serbia ka rënë nën kontrollin e një regjimi autokratik, që një ditë flirton me Kinën dhe ditën tjetër i përkushtohet Rusisë, teksa përfaqësuesit e saj vazhdojnë të shfaqin një fytyrë të “mirë” para Komisionit Evropian në Bruksel. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, çështjet e pazgjidhura midis Serbisë dhe Kosovës nuk janë asfare pranë zgjidhjes.

    Së fundmi, pas bllokimit për vite me radhë të anëtarësimit në BE nga Greqia (për shkak të një mosmarrëveshje mbi emrin e saj), Maqedonia e Veriut po shantazhohet tani nga Bullgaria për arsye që shkojnë shumë pas në historinë e rajonit (por që nuk kanë ndonjë rëndësi bashkëkohore).

    Ajo që i ndërlikon më tej punët, është lufta e BE-së për të frenuar sulmet e qeverive hungareze dhe polake ndaj sundimit të ligjit dhe mediave të pavarura në vendet e tyre, e cila ka dobësuar oreksin e saj për të ndërmarrë të njëjtin rrezik me anëtarët e rinj potencialisht jo liberalë.

    Kur Hungaria ofron mbështetjen e saj entuziaste për anëtarësimin e Serbisë, shumë të tjerë në BE shohin nga pas një axhendë të fshehur që duhet të bllokohet. Hapja e BE-së në vitin 2003 ishte një hap strategjik i guximshëm dhe i mençur. Por tani që perspektiva e integrimit ballkanik po zbehet, nuk mund të vazhdohet me zvarritjen aktuale.

    Në vend të kësaj, udhëheqësit politikë duhet ta pranojnë realitetin, dhe të fillojnë të përcaktojnë ndërmarrjen e hapave realistë të përkohshëm, të cilat mund të përmirësojnë kushtet në rajon, por pa e braktisur qëllimin përfundimtar.

    Një pikënisje e mirë është nisma “Open Ballkan”, e cila u krijua për të zgjeruar tregtinë midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Por kjo nuk mjafton. BE-ja duhet të marrë iniciativën duke propozuar një projekti të ri, që të përfshin një ofertë për anëtarësim në bashkimin e tij doganor dhe tregun e përbashkët.

    Tre dekada më parë, luftërat ballkanike nisën me një konflikt të vogël 10-ditor në kufijtë e Sllovenisë. Tani është Sllovenia ajo që mban presidencën e radhës së BE-së. Axhenda e saj përfshin një samit midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së në tetor të këtij viti.

    Ky samit duhet të nxisë një mendim të qartë dhe realist nga të gjitha palët. Alternativa për Ballkanin Perëndimor, është një zhytje e re drejt dhunës. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Aktualisht po ndodh në Afganistan. Dhe ne nuk duhet ta lemë më të ndodhë në Evropë.

    Shënim: Carl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014, dhe kryeministër në vitet 1991-1994. Ai ka qenë i dërguar Special i BE-së në ish-Jugosllavi, i dërguar Special i OKB-së në Ballkan, dhe bashkëkryetar i Konferencës së Paqes të Dejtonit./ “Project Syndicate”/

    Lajmi Paraprak

    A ndihmon ushqimi në luftën kundër Covid-19?

    Lajmi i rradhës

    Çdo moshë ka superfuqitë e veta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë