Pra, çfarë është populizmi?

    Nga: Andreas Schedler, politolog / Review of Democracy
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

    Mos po e mashtroj veten? Ne ende nuk e dimë se çfarë është populizmi? Nuk e dimë për çfarë po flasim kur flasim për populizmin? Jemi të paditur për një temë që përbën një nëndisiplinë të tërë të shkencave politike? Pas një morie publikimesh, manualeve të ndryshëm? Me qendra të tëra kërkimore, rrjete dhe një revistë akademike dedikuar studimeve mbi populizmin? Epo, jo krejtësisht.

    “Kuptimi i një fjale është përdorimi i saj në gjuhë”, tha fjalinë e famshme, Ludwig Wittgenstein (1968: §43). Populizmi ka shumë përdorime dhe kuptime. Në sferën e politikës, ai është kryesisht një armë retorike që u shërben përdoruesve për të denoncuar këdo që u drejtohet qytetarëve në mënyrat që ata nuk i miratojnë (sepse i marrin si të papërgjegjshme, të pahijshme, kërcënuese, mashtruese, të paqarta, jorealiste, apo çfarëdo tjetër).

    Në studimin e politikës, e dimë se duhet të jemi më të saktë se – dhe kemi bërë përpjekje të mëdha … por, kemi dështuar. Kemi identifikuar antagonizmin mes “popullit” dhe “elitës” si bërthamën diskursive të populizmit. E konsideroj këtë si një pikënisje të mirë, por jo më shumë se kaq. Që “populizmi” të shënojë diçka të veçantë dhe interesante, duhet ta përdorim konceptin në mënyrë më të ngushtë dhe më të përpiktë. Gjithashtu, nëse duam të kuptojmë marrëdhënien e tensionuar të tij me demokracinë liberale, duhet ta kalojmë në teorinë demokratike.

    Ndjeshmëria e re e përbashkët

    Logjika e re e shëndoshë

    Kërkimi akademik mbi populizmin ka qenë një terren i mosmarrëveshjeve të pafundme konceptuale. Autorë të ndryshëm janë ankuar për “konfuzionin dhe ambivalencën e vazhdueshme” (Moffitt 2020: 94), “mungesën e konceptualizimeve të qarta dhe përhapjen ad hoc të përkufizimeve” (Hawkins dhe Rovira Kaltwasser 2017: 527), dhe “mosmarrëveshjet themelore për atë se çfarë në fakt do të thotë populizmi” (Cole 2022: 5). Disa koncepte akademike të populizmit janë të holla, të tjerat janë të trasha; disa janë binare, të tjerat të vazhdueshme; disa autorë analizojnë qëndrimet, të tjerët diskurset; disa merren me strategjitë opozitare, të tjerët me format e qeverisjes; shumë janë kritikë, por disa edhe mbështetës të fenomenit (për një përmbledhje, shih p.sh. Mansbridge dhe Macedo 2019).

    Megjithatë, vitet e fundit, konkurrenca që të huton midis nocioneve të papërputhshme të populizmit, është zëvendësuar gradualisht nga një konsensus konceptual. E ashtuquajtura “qasja ideacionale” ndaj populizmit është bërë “dominuese në literaturën e shkencave politike” (Hawkins dhe Rovira Kaltwasser 2017: 527). Ajo e përkufizon populizmin si një “ideologji me qendër të hollë” që e sheh politikën si një “luftë manikeane midis ‘popullit të pastër’ kundrejt ‘elitës së korruptuar’” (Hawkins dhe Rovira Kaltwasser 2017: 532).

    Gati dy dekada më parë, Cas Mudde hodhi themelet e hershme për këtë konsensus kur e përkufizoi populizmin si “një ideologji që e konsideron shoqërinë si të ndarë përfundimisht në dy grupe homogjene dhe antagoniste, ‘popullin e pastër’ kundrejt ‘elitës së korruptuar’, dhe që argumenton se politika duhet të jetë shprehje e volonté générale-s (vullnetit të përgjithshëm) të popullit” (2004: 543). Gjithnjë e më shumë autorë kanë shmangur debatet konceptuale duke përqafuar përkufizimin e tij, i cili tashmë është kthyer në “përkufizimin më të cituar” (Aslanidis 2016: 88) të populizmit.

    Pjesa e parë e tij (antagonizmi i qytetarëve kundrejt elitave) përfshin një konceptim të ndarjen shoqërore; pjesa e dytë (thirrja për vullnetin e përgjithshëm) një konceptim të politikës. Shumë autorë e lënë të dytën në heshtje, pasi është e paqartë se çfarë nënkupton ajo, dhe përqendrohen tek e para, ndarja mes popullit dhe elitës. Aktualisht, edhe pse disa përkufizime theksojnë marrëdhënien midis populistëve dhe ndjekësve të tyre (p.sh. Weyland 2021 dhe Ostiguy 2017), ekziston “një shkallë e konsiderueshme konsensusi mes akademikëve” që “populizmi rrotullohet rreth një ndarjeje qendrore midis ‘popullit’ dhe ‘elitës’” (Moffitt 2020: 10).

    Është e arsyeshme vendosja e konfliktit midis qytetarëve dhe elitave në qendër të kuptimit tonë për populizmin, por e pamjaftueshme. Kjo nuk arrin të dallojë akterët populistë nga kritikët e zakonshëm të demokracisë, lëvizjet demokratizuese dhe propagandistët autoritarë. Që koncepti të jetë i frytshëm, duhet ta mprehim dhe ta qërojmë atë. Po ashtu, duhet të heqim dorë nga ideja se populizmi është një ideologji që qarkullon lirshëm dhe të marrim seriozisht kontekstin e tij demokratik.

    Kush janë “armiqtë e popullit”?

    Ndonjëherë, termi “populizëm” përdoret për të përshkruar politikanët që u drejtohen qytetarëve duke përdorur gjuhën e “popullit”. Herë të tjera, ai përdoret për të përshkruar ata që përqafojnë nocione të caktuara për popullin (të përulurit dhe të varfrit, bartës të virtytit dhe urtësisë, subjekti unitar i historisë) ose ata që inskenojnë marrëdhënie afërsie dhe empatie me popullin (njeriu i popullit, ai që i konsideron ata si të barabartë). Megjithatë, nëse thelbi i populizmit nuk është një konceptim i bashkësisë (si në nacionalizëm), por konceptim i konfliktit – midis dy “bashkësive të imagjinuara” (Anderson 1983), “popullit” dhe “elitës” – atëherë pyetja është: kush janë elitat ndaj të cilave populizmi ngrihet? Kush janë “armiqtë e popullit” që e përcaktojnë atë?

    Vetëm elitat kanë rëndësi

    Meqë anti-elitizmi është një tipar përcaktues i përkufizimeve të njohura të populizmit, duket qartë se duhet të kërkojmë antagonistët e popullit që janë lart, në sferat e pushtetit, jo poshtë, mes të varfërve dhe të pafuqishmëve. “Dimensioni lart-poshtë” është një tipar përcaktues i populizmit (Ostiguy 2017: 73). Identifikimi i përsëritur i partive etno-nacionaliste anti-emigrante si “populiste”, bie ndesh me thelbin konceptual të tij. Stalini, i cili përndoqi pjesë të mëdha të popullit (si fshatarët, robërit e luftës apo pakicat kombëtare) si “armiq të popullit”, nuk ishte populist. Nuk janë as ata që zhvillojnë luftëra simbolike ndaj përfituesve të ndihmës sociale, të varfërve, të pastrehëve apo ndaj pakicave etnike dhe kulturore. Kjo është një taktikë klasike e mbrojtësve konservatorë të status quo-së: devijimi i zemërimit të popullit nga elitat drejt më të dobëtëve. Pse duhet t’i quajmë ata populistë?

    Vetëm elitat politike kanë rëndësi

    Nëse populizmi e vendos popullin në kundërvënie me elitën, kush janë elitat përkatëse? Ka shumë kandidatë. Megjithatë, nëse politikanët sulmojnë ndërmarrjet e mëdha, fuqitë e huaja, oligarkët individualë, burokratët e zellshëm, Kishën Katolike, të arsimuarit apo “komplotin botëror hebraik”, cila është nevoja apo përfitimi analitik t’i quash ata “populistë”? Ne tashmë kemi një fjalor për vizione të tilla konfliktuale: antikapitalizëm, anti-imperializëm, egalitarizëm, liberalizëm, antiklerikalizëm, anti-intelektualizëm dhe antisemitizëm. Pse t’i grumbullojmë bartësit e këtyre ideve nën etiketën e populizmit?

    Pyetja e përgjithshme është: Pse duhet ta përshkruajmë si populist çdo nocion konflikti që përfshin pabarazi pushteti midis njerëzve të zakonshëm dhe akterëve të tjerë? Çfarë fitojmë duke e konceptuar populizmin si një koncept gjithëpërfshirës që mbulon çdo lloj përpjekjeje popullore kundër dominimit shoqëror dhe politik? Cila është vlera analitike e vendosjes së tij në një nivel kaq të lartë abstraksioni? Çfarë përfitojmë duke përshkruar çdo kërkesë për njohje shoqërore dhe drejtësi shoqërore si një projekt “populist” (përveçse për të zhvlerësuar kërkesat themelore që qëndrojnë pas tij)?

    Nëse duam që koncepti i populizmit të përfshijë diçka specifike, dhe nëse duam të kapim një fenomen të rëndësishëm që konceptet e tjera nuk e kapin, duhet të ndalojmë së e trajtuari si anti-elitizëm i përgjithshëm. Por, kush mbetet nëse përjashtojmë elitat shoqërore, ekonomike, fetare dhe kulturore nga lista e shënjestrave të populizmit? Mbesin elitat politike. Ajo që duket se e bën populizmin të veçantë nuk është pohimi se populli është i kërcënuar nga çfarëdo lloj elite, por nga elitat politike. Në vend të një kundërshtimi të përgjithshëm ndaj elitave, mund ta konceptojmë populizmin si një kundërshtim të përgjithshëm ndaj establishmentit politik (në kuptimin e gjerë që përfshin politikanët, por edhe zyrtarët publikë dhe autoritetet epistemike si gazetarët dhe ekspertët).

    Vetëm elitat demokratike kanë rëndësi

    Tani, nëse e ngushtojmë fokusin e sulmeve populiste te elita politike, a aplikohet koncepti pavarësisht kontekstit, nëpër regjimet e ndryshme politike? Jam në anën e atyre që pohojnë se “populizmi është i mendueshëm vetëm në kontekstin e demokracisë përfaqësuese” (Müller 2017: 77, shih edhe Pappas 2016: 29). Vetëm mendoni: çfarë përmbajtje do të kishte populizmi nën një regjim autoritar?

    Nga njëra anë, kur akterët opozitarë që luftojnë kundër një regjimi autoritar e përshkruajnë si antagoniste marrëdhënien midis elitës autokratike dhe popullit, ata nuk angazhohen në populizëm, por në analizë elementare politike. Nuk ka kuptim të konceptohet opozita e tyre ndaj diktaturës si “populiste” (p.sh. Nokhrin 2021). Sigurisht, ata i drejtohen popullit dhe denoncojnë elitat e rrënjosura politike. Megjithatë, si kundërshtarë të diktaturës, ata nuk janë përfaqësues të populizmit, por të demokracisë.

    Nga ana tjetër, në kohët moderne kur burimi i legjitimitetit politik nuk është më Zoti apo gjaku, por populli, shumica e diktatorëve paraqiten si mishërime të ndriçuara të vullnetit popullor dhe mbrojtës të guximshëm të popullit ndaj armiqve të tij imagjinarë. Çfarë kuptimi ka t’i klasifikojmë ata si populistë? Figurat si Emomali Rahmon i Taxhikistanit apo Alexander Lukashenko i Bjellorusisë nuk janë populistë (Jenne, Hawkins dhe Castanho 2021: 180). Ata janë diktatorë që bëjnë atë që bëjnë diktatorët: përpiqen të monopolizojnë përkufizimin e të mirës publike (në kohë të sovranitetit popullor) dhe të armiqve publikë gjithashtu.

    Pra, ajo që e bën populizmin interesant nga këndvështrimi i teorisë dhe praktikës demokratike nuk është antagonizmi i tij ndaj çfarëdo lloji të elitës politike, por ndaj elitave demokratike. Jashtë demokracisë, populizmi është pa kuptim; anti-elitizmi i tij politik është vetëm logjika e tyre. Por, gjithsesi, pse na intereson në demokraci? Pse është interesant? Pse shqetësues? Përgjigjja, besoj unë, është kjo: sepse mohon ekzistencën e demokracisë brenda vetë demokracisë.

    Rikonceptimi i demokracisë

    Demokracia liberale krijon një ndarje strukturore midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre profesionistë. Synimi për t’i mbajtur këto dy kategori që të mos largohen shumë nga njëra-tjetra nuk është në vetvete antidemokratike (shih Laclau 2018, Mansbridge dhe Macedo 2019: 70-73, Rovira Kaltwasser 2012). Nëse populistët synojnë të jenë akterë të dallueshëm politikë, ata duhet të bëjnë më shumë se thjesht të denoncojnë këtë ndarje. Duhet të bëjnë më shumë sesa bëjnë qytetarët kritikë çdo ditë: të kritikojnë qeverinë dhe opozitën gjithashtu.

    Ajo që populistët realisht bëjnë, siç do të binin dakord shumica e studiuesve të populizmit, është të përkufizojnë ndarjen midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre demokratikë si konflikt qendror shoqëror. Çfarë përfshin kjo? Ndonjëherë, mund të jetë e vështirë të përcaktohet nëse ndarja kundër establishmentit politik (Schedler 1996) është ndarja kryesore apo thjesht dytësore ose derivat. Fundja, pavarësisht se kush e shkakton një problem në një demokraci, akterët mund të fajësojnë gjithmonë establishmentin politik për ekzistencën apo qëndrueshmërinë e tij.

    Megjithatë, në ekstrem të vet, antagonizmi midis qytetarëve dhe elitave politike përfshin diçka mjaft dramatike: mohimin e demokracisë. Populistët nuk janë thjesht parti sfiduese që përpiqen të mbushin boshllëqet përfaqësuese duke sjellë çështje të reja (si pabarazia sociale, emigracioni apo kriza klimatike). Ankesat e tyre janë më të thella dhe më gjithëpërfshirëse. Dhe, ato nuk janë përmbajtjesore, por sistemike. Populistët denoncojnë dështimet radikale të përfaqësimit demokratik në duart e elitave që shërbejnë vetveten dhe që tradhtojnë “frymën e demokracisë” (Diamond 2008). Ata e përshkruajnë rishtazi demokracinë ekzistuese si një sistem autoritar. Në fakt, ata e shpallin fundin e demokracisë.

    Shumë nga akterët politikë që kemi përshkruar si populistë – nga Marine Le Pen te Pedro Castillo, nga Jörg Haider te Vladimir Mečiar, nga Nigel Farage te Andrés Manuel López Obrador, nga Podemos te AfD-ja gjermane – duket se përputhen shumë mirë me këtë përshkrim. Megjithatë, kjo kërkon tri sqarime të mëtejshme:

    Së pari, populistët nuk ofrojnë diagnoza strukturore të dështimit demokratik, por diagnoza morale. Dështimet e përfaqësimit që ata denoncojnë nuk janë vepër e forcave të përveçme, si kapitalizmi global apo krimi i organizuar, por përgjegjësi e akterëve kolektivë. Populizmi përfshin atribuimin e fajit te elita politike.

    Së dyti, në diskursin e tyre, populistët nuk i denoncojnë dështimet e demokracisë për ta shkatërruar atë, por për ta ripërtërirë. Ata nuk janë lëvizje revolucionare që premtojnë transformime strukturore. Ata ndjekin agjendën e tyre brenda horizontit normativ të demokracisë liberale, brenda institucioneve dhe praktikave demokratike. Diskursi i tyre mund të përmbajë elementë autoritarë (shih p.sh. Müller 2017, Urbinati 2019) dhe si parti në pushtet ata mund të përfundojnë duke dëmtuar apo edhe shpërbërë demokracinë (shih p.sh. Levitsky dhe Loxton 2013, Ginsburg dhe Aziz 2018). Megjithatë, ata nuk janë ideologë autoritarë që propozojnë zëvendësimin e demokracisë liberale me ndonjë formë diktature. Ata nuk janë fashistë, monarkistë, islamistë, anarkistë apo komunistë. Janë lëvizje elektorale që premtojnë një zgjidhje të thjeshtë për të gjitha problemet: ndërrimin e pushtetit. Votoni për ne! Revolucioni nuk është zgjidhja e tyre, por epërsia e tyre morale.

    Së treti, populistët përpiqen të fusin një bosht konflikti që është ortogonal ndaj përmasave të njohura si e majta kundër të djathtës apo liberalizmi kundrejt konservatorizmit. Akterë si Donald Trump, Viktor Orbán apo Cristina Kirchner e vendosin veten në njërën anë të ndarjes dominuese politike dhe i denoncojnë të gjithë ata në anën tjetër si armiq të demokracisë. Ata nuk janë populistë, por agjentë të intolerancës partiake.

    Populizmi nuk është ideologji (një grup abstraksionesh)

    Shkolla “ideacionale” e koncepton populizmin si një ideologji “të hollë” që artikulon “një besim të përgjithshëm mbi mënyrën se si funksionon universi politik” (Hawkins dhe Rovira Kaltwasser 2017: 514-515, shih gjithashtu Mudde 2004: 544, Schröder 2023).

    Ideologjitë janë grupe idesh që janë (më shumë apo më pak) të shkëputura nga realiteti. Pse duhet ta kuptojmë populizmin si një grup propozimesh të shkëputura, të pavarura nga konteksti? Kur populistët e përshkruajnë establishmentin demokratik si armik të popullit, ata nuk ofrojnë një filozofi politike. Kur ata i ripërshkruajnë demokracitë si sisteme autoritare, nuk ofrojnë një teori të demokracisë. Ajo që bëjnë është të japin një diagnozë, një vlerësim normativ të bazuar në pretendime empirike. Në vend të ideve të lirshme për botën, artikulojnë një vlerësim të sistemeve konkrete politike. Ata nuk shpallin një konflikt të përjetshëm midis elitave dhe qytetarëve, por tradhtinë ndaj qytetarëve në demokracitë reale ekzistuese.

    Në fakt, ideja se populizmi është një paketë idesh të përgjithshme mbi natyrën e politikës, është përballur me probleme empirike. Për shembull, në një përpjekje për të matur praninë e ideologjisë populiste në manifestet e 144 partive nga 27 vende në Evropë dhe Amerikë, 31 parti morën vlerësime me mbi 0.5 në një shkallë nga 0 në 2, duke treguar “një prani jo të papërfillshme” të “elementeve të populizmit”. Në dy rajone që supozohet të jenë të mbushura me populizëm, vetëm pesë nga këto parti (tri prej tyre në regjime autoritare elektorale) morën vlerësime me mbi 1.5 (Hawkins dhe Castanho 2019: 31 dhe 33). Identifikimi i “ideologjisë populiste”, mesa duket, ndihmon pak për të identifikuar populistët. Përpjekjet e shumta për të matur “qëndrimet populiste” përmbajnë një përzierje të elementëve të ndryshëm (shih Castanho et al. 2020: Informacion plotësues 2), por gjithashtu duket se e kanë të vështirë të identifikojnë votuesit populistë (Castanho et al. 2020: 418-420, Jungkunz 2021).

    Por, është ideologjik (një shtrembërim i realitetit)

    Ka një kuptim tjetër të ideologjisë. Në vend që të jetë një grup idesh të pavarura nga konteksti empirik, ajo mund të nënkuptojë një grup idesh që kundërshtojnë realitetin empirik. A është populizmi ideologjik në këtë kuptim? A është ai një përfaqësim shtrembërues i realitetit?

    Dënimi moral i elitave politike, siç sugjerova më lart, është një shenjë e populizmit në kushtet e demokracisë dhe një flamur i demokratizimit në kushtet e autoritarizmit. Nëse pranojmë idenë që domethënia e retorikës kundër elitës politike varet nga konteksti sistemik, atëherë na duhet të përcaktojmë këtë kontekst përpara se të aplikojmë konceptin e “populizmit”. Kur akterët politikë shpallin se politikanët e zgjedhur veprojnë si “armiq të popullit”, duhet të dimë nëse ata ndodhen në një regjim autoritar elektoral apo në një demokraci. Nëse është rasti i parë, kritika e tyre është e përshtatshme dhe mund t’i shohim si agjentë të demokratizimit. Nëse është rasti i dytë, kritika e tyre është e gabuar dhe mund t’i quajmë populistë. Natyrisht, edhe në një demokraci, retorika e tyre mund të përmbajë elementë të vërtetë. Ajo mund të tregojë për mungesa reale demokratike (siç ndodh zakonisht). Por, përshkrimi i demokracisë si regjim autoritar do të jetë i gabuar dhe, në këtë kuptim, ideologjik (edhe pse ekzistojnë zona gri të polemikës së ligjshme midis demokracive elektorale dhe autokracive).

    Studiuesit që punojnë në traditën e nisur nga Ernesto Laclau, e trajtojnë “populizmin” si shprehje të konfliktit të shëndetshëm midis atyre “poshtë” dhe atyre “lart”, dhe për këtë arsye nuk i shohin kritikat populiste ndaj demokracisë si të shtrembëruara apo ideologjike, por si të vërteta. Megjithatë, konceptimi i populizmit si një kritikë shtrembëruese, e pavërtetë dhe për këtë arsye ideologjike ndaj demokracive reale, përputhet me vëzhgimin e zakonshëm se populistët janë përdorues dhe prodhues të etur të teorive konspirative, paranojës politike, mendimit mitik, përrallave, kërcënimeve dhe armiqve imagjinarë, hiperbolës, gënjeshtrave, keqinformimit dhe dezinformimit (shih p.sh. Castanho, Vegetti dhe Littvay 2017). Kjo gjithashtu përputhet me përdorimet aktuale të termit “populizëm” në debatin publik.

    Shpesh, vetëm ata akterë, fushatat e të cilëve kundër establishmentit politik duken të papërshtatshme (të rreme, të ekzagjeruara apo të shtrembëruara), e fitojnë etiketën “populistë”. Mjafton të marrim si shembull disa akterë politikë demokratizues, si presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, të cilët përdorin diskurs tipik populist. Ata e përshkruajnë elitën politike të vendit të tyre si të korruptuar dhe jodemokratike – dhe këtë e bëjnë po ashtu studiuesit e politikës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. A i përshkruajmë këta akterë si populistë të rrezikshëm? Jo, pasi diagnozat tona mbi dështimet demokratike përputhen dhe ne i përshkruajmë ata si agjentë të guximshëm të demokratizimit.

    Ideja se populizmi përfaqëson një formë të shtrembëruar të kritikës demokratike, mund të jetë e nënkuptuar në shumë përdorime të termit. Megjithatë, ta bësh këtë ide eksplicite, kjo vendos një barrë të madhe justifikimi mbi përdorimin e saj. Nëse diskurset populiste janë populiste në atë masë sa ne mendojmë se ato shtrembërojnë realitetet politike në vend që t’i pasqyrojnë, atëherë nuk mund t’i gjykojmë ato në vetvete, të shkëputura nga realitetet demokratike që ato kritikojnë. Mund të dimë nëse, dhe në çfarë mase, një vlerësim kritik i demokracisë nga një folës është “populist” vetëm pasi të kemi bërë vetë një vlerësim kritik të demokracisë. Kjo nënkupton një punë serioze argumentuese, e cila i jep fund përdorimeve të shpejta dhe të lehta të konceptit të populizmit. Nuk ka rrugë të shkurtra. Nuk mjafton vendosja e etiketave të shpejta mbi akterët.

    Përfundim

    Tani, çfarë është, në fund të fundit, populizmi? Pyetja, natyrisht, është çorientuese. Ajo sugjeron se ekzistojnë fenomene empirike në botë që korrespondojnë me një ide abstrakte të quajtur “populizëm”, të cilën ne duhet ta përkufizojmë në mënyrë të saktë që t’i kuptojmë ato saktësisht. Megjithatë, pyetja nuk është: cili është kuptimi i saktë i populizmit? Por, më tepër: si mund ta konceptojmë populizmin në një mënyrë që të kapë një fenomen të dallueshëm dhe që na lejon të kuptojmë rëndësinë e tij demokratike, marrëdhënien e tij të tensionuar me demokracinë liberale?

    Në përpjekjen time për të rindërtuar konceptin, u përpoqa ta shpëtoj nga prirjet e tij gjithëpërfshirëse. Siç kam propozuar, nuk duhet ta aplikojmë te të gjithë akterët që shfrytëzojnë ndonjë ndarje mes elitave dhe qytetarëve, por vetëm tek ata që ofrojnë diagnoza të caktuara të dështimit përfaqësues. Duhet ta kufizojmë tek ata që pretendojnë se një demokraci është shndërruar në një sistem shtypës, autoritar, për shkak të dështimit moral të elitave demokratike, të cilat ata propozojnë t’i dëbojnë nga pushteti për të rikthyer shëndetin e demokracisë.

    Duke i përshkruar demokracitë ekzistuese si sisteme mashtruese me dukje të rreme, populistët u mohojnë atyre legjitimitetin demokratik. Ata marrin pjesë në regjime demokratike dhe konkurrojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, në diskursin e tyre, ata luftojnë kundër regjimeve autoritare elektorale që vetëm simulojnë qeverisjen demokratike. Ata flasin dhe veprojnë sikur të ishin pjesë e një farse demokratike. Populistët, pra, janë më pak se armiq ideologjikë të demokracisë, por më shumë se kritikë “të zakonshëm” të keqfunksionimit demokratik. Veçantia e tyre qëndron në dykuptimësinë strukturore: ata marrin pjesë në lojën demokratike ndërkohë që mohojnë ekzistencën e saj.

    Meqë diagnoza e tyre për dështimin e demokracisë është e rreme, edhe premtimi i tyre për një ripërtëritje demokratike është po ashtu i tillë. Ndërsa diagnozat e tyre shtrembërojnë realitetet demokratike, mjetet e propozuara prej tyre rrezikojnë t’i shkatërrojnë ato. Në atë masë që ata zhvlerësojnë të gjithë akterët e emëruar demokratikë – dhe bashkë me ta, të gjitha institucionet demokratike të vendosura – ata zhvlerësojnë të gjitha zërat kundërshtues dhe të gjitha pushtetet balancuese (shih edhe Müller 2017). Narrativa e tyre për një dështim moral universal u jep atyre një monopol mbi integritetin demokratik, të cilin e thërrasin për të kapur institucionet publike dhe për të injoruar debatet publike. Duke qenë se përfaqësimin e konceptojnë në mënyrë identitare (le peuple, c’est moi – populli jam unë), ata kanë tendencë të favorizojnë versione ekstreme të “demokracisë deleguese” (O’Donnell 1994), pa ndarje pushtetesh apo balanca institucionale (shih gjithashtu Urbinati 2019). Dhe, pasi e shpallin demokracinë si të mbaruar dhe zhvillojnë një betejë të ashpër kundër një diktature imagjinare, përkushtimi i tyre ndaj rregullave themelore të demokracisë (të cilat bazohen në pajtim reciprok) vihet në pikëpyetje.

    Si pasojë, ekziston një ironi e çuditshme në populizmin bashkëkohor. Ndërsa populistët i përshkruajnë demokracitë ekzistuese si regjime autoritare elektorale (demokraci fasadë), ekziston një rrezik i brendshëm që ata vetë t’i transformojnë këto demokraci ekzistuese në regjime autoritare elektorale nëse marrin nën kontroll levat e pushtetit. Ata prodhojnë vetë krizën e demokracisë që pretendojnë se diagnostikojnë. Duke përmendur kimerën e “demokracisë fasadë” si akterë opozitarë, ata janë të prirur ta bëjnë atë realitet sapo të vijnë në pushtet. Mund të konsiderojmë si të rreme si diagnozat e tyre për dështimin demokratik, ashtu edhe premtimet për ripërtëritjen demokratike. Por, nëse nuk e njohim dykuptimësinë e tyre demokratike, do të dështojmë ta kuptojmë ftesën e tyre. /Telegrafi/

    ________

    Referencat

    Anderson, Benedict (1983), Imagined Communities: Reflections on the Origin and Spread of Nationalism (London and New York: Verso).
    Aslanidis, Paris (2016), “Is Populism an Ideology? A Refutation and a New Perspective,” Political Studies 64/1S: 88-104.
    Castanho Silva, Bruno, Sebastian Jungkunz, Marc Helbling, dhe Levente Littvay (2020), “An empirical comparison of seven populist attitudes scales,” Political Research Quarterly 73/2: 409-424.
    Castanho Silva, Bruno, Federico Vegetti, dhe Levente Littvay (2017), “The elite is up to something: Exploring the relation between populism and belief in conspiracy theories,” Swiss Political Science Review 23/4: 423-443.
    Cole, N. Scott. (2022), “Time for a change: Replacing the populist model with elite theory,” Journal of Populism Studies 1: 1-23.
    Diamond, Larry (2008), The Spirit of Democracy: The Struggle to Build Free Societies throughout the World (New York: Holt).
    Ginsburg, Tom, dhe Aziz Huq (2018), “Democracy’s Near Misses,” Journal of Democracy 29/4: 16-30.
    Jenne, Erin K., Kirk A. Hawkins, dhe Bruno Castanho Silva (2021), “Mapping populism and nationalism in leader rhetoric across North America and Europe,” Studies in Comparative International Development 56/2: 170-196.
    Hawkins, Kirk A. dhe Bruno Castanho Silva (2019), “Textual Analysis: Big Data Approaches,” The Ideational Approach to Populism: Concept, Theory, and Analysis, red. Kirk A. Hawkins, Ryan E. Carlin, Levente Littvay, dhe Cristóbal Rovira Kaltwasser (London and New York: Routledge), fq. 27-48.
    Hawkins, Kirk A., dhe Cristóbal Rovira Kaltwasser (2017), “What the (ideational) study of populism can teach us, and what it can’t,” Swiss Political Science Review 23/4: 526-542.
    Jungkunz, Sebastian, Robert A. Fahey, and Airo Hino (2021), “How populist attitudes scales fail to capture support for populists in power,” Plos One 16/12: e0261658.
    Laclau, Ernesto (2018), On Populist Reason (London: Verso, orig. 2005).
    Levitsky, Steven, dhe James Loxton (2013), “Populism and competitive authoritarianism in the Andes,” Democratization 20/1: 107-136.
    Mansbridge, Jane, and Stephen Macedo (2019), “Populism and democratic theory,” Annual Review of Law and Social Science 15: 59-77.
    Moffitt, Benjamin (2020), Populism (Cambridge, uk: Polity).
    Mudde, Cas (2004), “The Populist Zeitgeist,” Government and Opposition 39/4: 541-563.
    Müller, Jan-Werner (2017), What is Populism? (New York: Penguin Random House).
    Nokhrin, Ivan (2021), “The populist political logic and Alexey Navalny’s political discourse,” Academia Letters 344.
    O’Donnell, Guillermo (1994), “Delegative Democracy”, Journal of Democracy 5/1 (January): 55-69.
    Ostiguy, Pierre (2017), “Populism: A socio-cultural approach,” The Oxford Handbook of Populism, red. Cristóbal Rovira Kaltwasser, Paul Taggart, Paulina Ochoa Espejo, dhe Pierre Ostiguy (Oxford, uk: Oxford University Press, 2017), fq. 73-97.
    Zappas, Takis S. (2016), “The specter haunting Europe: Distinguishing liberal democracy’s challengers,” Journal of Democracy 27/4: 22-36.
    Rovira Kaltwasser, Cristóbal (2012), “The ambivalence of populism: threat and corrective for democracy,” Democratization 19/2: 184-208.
    Schedler, Andreas (1996), “Anti-Political-Establishment Parties,” Party Politics 2/3: 291-312.
    Schroeder, Ralph (2020), “The dangerous myth of populism as a thin ideology,” Populism 3: 13-28.
    Urbinati, Nadia (2019), Me the People: How Populism Transforms Democracy (Cambridge and London: Harvard University Press).
    Weyland, Kurt (2021), “Populism as a political strategy: An approach’s enduring—and increasing—advantages,” Political Studies 69/2: 185-189.

    Wittgenstein, Ludwig (1968), Philosophical Investigations (përkth. Gertrude Elizabeth Margaret Anscombe) (New York: MacMillan, botimi i tretë, origj. 1952).

    Lajmi Paraprak

    “Politika e jashtme e Trump-it po përmbys rendin botëror”

    Lajme tjera

    NJERI – UJK

    Angela CarterPërktheu: Hysen Kobellari Ky është një vend verior; ata kanë mot të ftohtë, kanë zemra të ftohta.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë