Skena letrare shqipe

    Nga: John Hodgson (botuar në revistën “Sheshi”, botimet “Zëri”, më 1998)
    Përktheu nga anglishtja: Petrit Hoxha

    Me 1992, dy hamaj zhelanë dhe të parruar po tërhiqnin barrën në rrugët e pluhurosura të Tiranës. Çapiteshin në heshtje, derisa njërin e dëgjuan të thoshte, “Jo, ai nuk ishte Balzacu”.

    Kjo anekdotë duket se e vërteton respektin e Perëndimit për kulturën e leximit në Evropën Lindore. Perëndimoret e trullosur mbas televizionit panë në Lindje shoqëri të tëra të lexuesve të parrezikuar nga industria e argëtimit. Në shoqëritë e varfra ku artikujt e konsumit të gjerë ishin të dorës së dytë dhe të shëmtuar, kultura e lartë i ruajti vlerat absolute dhe të padiskutueshme. Fakti se kulturat zyrtare të Lindjes ishin të pafrytshme dhe të mërzitshme, kjo nuk ndikoi në letërsi, sepse librat akoma tronditnin, përmbysnin dhe predikonin. Lexuesit e rëndomtë i kultivonin klasikët si ishuj kualiteti. Udhëtarët e metros moskovite vështronin me kujdes librat në shkallët lëvizëse. Bile edhe Shqipëria, më e varfra, më e izoluara dhe ideologjikisht më e ashpra nga të gjitha vendet evrolindore, i kishte hamajtë që e lexonin Balzacun. Romanet e Ismail Kadaresë, shkrimtarit kryesor shqiptar që nga vitet e gjashtëdhjeta, botoheshin në 30 mijë ekzemplarë – në vendin me popullsi tremilionëshe – dhe zhdukeshin nga libraritë sa çel e mbyll sytë.

    Letërsia komuniste

    Kultura letrare shqiptare në pjesën më të madhe u krijua gjatë komunizmit. Për ndryshim nga vendet e tjera evrolindore, shqiptarët nuk kishin një “epokë të artë” para imponimit të socrealizmit. Deri më 1944, numri i atyre që dinin shkrim-këndim sillej rreth 20 për qind. Por, populli pati një traditë të jashtëzakonshme të epikës gojore, të trashëgimisë së dobishme poetike. Poetët e Rilindjes kombëtare të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, si Naim Frashëri dhe Çajupi, edhe sot çmohen. Por, tradita prozaike thuaja nuk ekzistonte. Komunistët zhvilluan një program të edukimit masiv dhe standardizuan gjuhën letrare. (Shumë njerëz sot mendojnë se kjo nuk qe bërë si duhet dhe se favorizuan dialektin jugor të diktatorit Enver Hoxha dhe të shumicës së udhëheqësve partiakë, por megjithatë ishte bërë). Andaj, shumë njerëz që kishin mësuar shkrim-këndim në kontaktin e parë me prozën, pa përfshirë botimet në gazetën partiake Zëri i Popullit, këtë e patën me modelet e socrealizmit dhe me Veprat e Hoxhës, të cilat qenë përgatitur në më se 80 vëllime deri në ndërprerjen e tyre.

    Botoheshin shumë përkthime të letërsisë botërore, ndonëse seleksionimi bëhej sipas kanuneve të kritikëve sovjetikë të viteve tridhjetë. Ato shtriheshin nga Charles Dickens, Ernest Hemingway, John Galsworthy, Jack London e deri te Roain Rolland. Natyrisht, të gjithë librat – edhe ata vendas e edhe ata të përkthyer – i nënshtroheshin censurës së rreptë.

    Me gjithë këtë, edhe censorët nganjëherë ishin “bashkëpjesëmarrës” në vepër: “The Moneychangers” i Arthur Haileyt qe botuar me një parathënie marksiste-leniniste. Herëve të tjera dilte në shesh trashamanësia e censorëve: “Fahrenheit 451” i Ray Bradburyt kishte kaluar i “paprekur”.

    Me censorët mund edhe të dilje fitues. Veçanërisht Ismail Kadare u bë mjeshtër i këtyre gjarpërimeve duke i fshehur kritikat në alegori dhe duke gjetur mënyra të botonte libra të vlefshëm për t’u lexuar bile edhe në kohën e diktaturës me të errët. Kritiku i artit, Alfred Uçi, ministri i fundit komunist i Kulturës, shkroi një libër ë të cilin e denoncoi artin bashkëkohor, por njëkohësisht dha informata të bollshme për të. Jo pa arsye ky libër, me ilustrime të Mondrianit dhe Picassos, u quajt Labirintet e modernizmit.

    Skena kulturore shqiptare, në dukje aq egërsisht e kontrolluar nga regjimi, ishte në të vërtetë një fushëbetejë e vogël, ku përparohej dhe tërhiqej dhe ku kryheshin veprime që i dallonte vetëm syri i stërvitur. Natyrisht, lexuesit shqiptarë shpejt i zotëruan mjeshtëritë e nevojshme.

    Dhe, atëherë kjo kulturë u shkatërrua bashkë me regjimin. Veprat e Hoxhës mbërritën në tregun e Tiranës, ku tregtarët e erëzave i përdornin si ambalazhe. Tashmë asnjë libër nuk ishte më i rëndësishëm.

    Realizmi televiziv

    Pas shumë dekadash varfërie dhe privimi, publiku shqiptar ishte i etur të shpenzonte, ndërsa simbol i jetës së re u bë saçi. Saçi është një kapak hekuri që përdoret për pjekjen e bukës. Në fshatra, brumi vendoset mbi caran kurse saçi vihet përsipër dhe mbulohet me prush, për të krijuar furrën. Saçi dukej fjala më e mirë në shqipe për ta përshkruar antenën satelitore. Mijëra sosh janë shitur edhe në qytetet më të largët; fshatarët i bartnin ato me gomarë. Saçi, si edhe përvojat e shumë shqiptarëve që emigruan në Itali dhe Greqi për të kërkuar punë, e ndërruan përgjithmonë jetën shqiptare. Papritmas, më nuk kishte kohë për lexim dhe gjërat filluan të mateshin sipas kritereve perëndimore.

    (…)

    Në botën e librit, disa shkrimtarë – gjigantë të socrealizmit – u harruan shumë shpejt. Disa që më herët ishin harruar apo ndaluar, u ringjallën. Disa heshtën, kurse të tjerët u përpoqën t’i kuptojnë traumat e së kaluarës dhe ndryshimet e së tashmes e dolën në dritë edhe shkrimtarë të rinj.

    Rivlerësimet e të së kaluarës letrare shqiptare sollën ca befasi. Në numrin e parë të gazetës së parë opozitare, Rilindja Demokratike, në janar të vitit 1991 u botua teksti i studiuesit Aurel Plasari mbi Gjergj Fishtën (1840-1940), autorin e poemës epike Lauta e Malcis. Për shkak të retorikës së ashpër antisllave të Fishtës, fill mbas luftës, komunistët i ndaluan veprat e tij gjatë miqësisë së shkurtë shqiptaro-jugosllave; ndalesa nuk u hoq për më shumë se 40 vjet. Fishta ishte i rrethuar me aurën e të ndaluarës dhe emigrantët e konsideronin si poetin ilegal kombëtar shqiptar. Mirëpo, kthimi i tij në skenën letrare nuk pati sukses te lexuesit. Nacionalizmi i tij i fortë nuk u përshtat me ndjenjat e njerëzve thellësisht të traumatizuar, shumë nga të cilët nuk krenohen fort me vendin e tyre të vuajtur gjatë. (Kjo situatë nuk vlen matanë kufirit në Kosovë, ku nacionalizmi shqiptar është fuqi e bashkuar kundrejt represionit të Beogradit). Për më tepër, reforma gjuhësore e ka provincializuar dialektin verior të Fishtës, përveç në vendlindjen e tij.

    Lexuesit preferuan të strehoheshin në intimen, gjë që ngriti reputacionin e poetit tejet personal – Lasgush Poradeci (1899-1987), vjershat e ndjeshme, buzëholla, mistike dhe natyrore të të cilit janë në kundërshtim të plotë me estetikën komuniste. Para Luftës së Dytë Botërore, Poradeci ishte poeti më i madh shqiptar. Mbas luftës nuk botoi asnjë libër, por ekzistencën e siguroi duke përkthyer. Heshtja e tij më parë mund të kuptohet si shterim i talentit se sa si shkak i konflikteve politike. Megjithatë, historitë zyrtare të letërsisë shprehnin aq shumë gabime saqë disa nuk e dinin nëse ai ishte gjallë a i vdekur. Veprat e Poradecit janë ribotuar më 1990 e ai tash vështrohet si shkrimtar që në vetminë e vet e ruajti integritetin njerëzor nën komunizëm.

    Dy libra të kujtimeve, Lasgushi më ka thënë (1992) i Petraq Kolevicës dhe Lasgushi në Pogradec (1995) e Meri Lalajt, kanë shënuar mendimet letrare dhe filozofike të tij në moshë të thyer. Ai u bë figurë adhurimi dhe simbol i ruajtjes së personalitetit të vet në epokën e vlerave masovike. Dashuria e tij për peizazhet e Shqipërisë është bërë kritike implicite për bunkerët e betonit dhe shkretimin ekologjik të Shqipërisë gjatë komunizmit. Devotshmëria e tij mistike ndaj shpirtit femëror, gëtean, është tregues i degradimit të jetës së femrës nën sundimin e Hoxhës.

    Gjithsej disa shkrimtarë që kanë bërë emër gjatë komunizmit i kanë ruajtur lexuesit. Njëri është Dritëro Agolli, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai i ka mbajtur bindjet socialiste, kurse turbullirat e veta të shkaktuara nga ndërrimi i sistemit i ka përshkruar në librin poetik Pelegrini i vonuar (1992). Mendjemprehtësia dhe ndjenjat e tij për popullin e kanë mbajtur në kontakt me kohërat moderne, andaj zëri i tij është akoma autentik.

    Dhimitër Xhuvani është romancier reputacioni i të cilit u ngrit me ripublikimin e Tunelit, që ishte tërhequr nga shitja më 1966. Libri i takonte socrealizmit, porse në të vërtetë paraqiste kushtet e rënda të punës ë minierat e Shqipërisë. Vepra e tij Jeta në arkivol (1994) është një përzierje e fuqishme e dramës politike dhe e besëtytnive dhe e përshkruan trajtimin e një fshatari të ri nga shërbimi i fshehtë të akuzuar për një sulm në ambasadën sovjetike më 1955.

    Rivlerësimi i kadaresë

    Rasti i Ismail Kadaresë, shkrimtarit të vetëm shqiptar që është i njohur jashtë atdheut, është fort më i ngatërruar. Veprat e tij dominuan në skenën letrare shqiptare duke filluar nga vitet e gjashtëdhjeta e deri në azilin e tij politik, në tetor më 1990 pak para rrëzimit të regjimit komunist. Me vite të tëra, leximi ndërmjet rreshtave të Ismail Kadaresë ishte mjeshtëria e preferuar skolastike e inteligjencies së Tiranës. Disa nga romanet e tij, si Pallati i ëndrrave, janë alegori transparente që e kritikojnë bizantizmin e komunizmit shqiptar. Të tjerët, si Dimri i madh, haptazi e lëvdojnë Hoxhën, sado që përmbajtën porosi të fshehta. Nganjëherë i lavdëruar e ngandonjëherë i kritikuar nga regjimi, Kadare arriti të shkruante letërsi cilësore edhe gjatë ditëve më të errëta ideologjike të viteve shtatëdhjetë. Veprat e tij përmbajnë lexime kontradiktore. Në vjershën e quajtur Panairi ndërkombëtar i librit në Frankfurt, Kadare e fton lexuesin që ta merr në dorë librin e Enver Hoxhës Kur lindi Partia: “Hape dhe lexo çfarë i ndodh vendit kur në të lind Partia komuniste”.

    Vjersha sot lexohet krejtësisht ndryshe nga koha kur është shkruar. Më 1990, kundërshtarët e regjimit e mirëpritën ekzilin e Kadaresë dhe e panë si hap përpara në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Vetëm rishtas është kritikuar vendimi i Kadaresë për të qëndruar në Francë dhe roli i tij në epokën komuniste, që disa e kanë quajtur simbiozë. Pak pas mbërritjes në Paris, Kadare shkroi dy libra. Nga një dhjetor në tjetrin dhe Pesha e kryqit, në të cilin lexuesve me pak të kujdesshëm ua ka deshifruar kritikat ndaj regjimit të Hoxhës. Në veprat me reja komunizmi shfaqet si alegori, ëndërr, halucinacion apo si makth që i obsesionon personazhet, por që nuk mund të interpretohet tërësisht. Duke e vazhduar shqyrtimin e mitologjisë kombëtare, Kadare kohë më parë ka vërejtur hapësirën e gjerë të simboleve religjioze në kulturën shqiptare në orvajtjen për ta shpjeguar shkatërrimin shpirtëror në të kaluarën e afërt.

    Tronditjet e historisë postkomuniste shqiptare, veçanërisht anarki e paradokohshme mbas shembjes së skemave piramidale, gjithashtu hodhën hije mjerimi mbi përshkrimet pasioniste të Kadaresë për popullin e privuar prej të drejtave të veta, së pari nga Perandoria Osmane, pastaj sllavët dhe komunizmi kinez, e së fundi nga diferenca e botës perëndimore. Përveç kësaj, lexuesi postkomunist i përjeton ndryshe veprat e Kadaresë. Me mungesën e censorëve, ka humbur edhe kënaqësia e përcjelljes së Kadaresë në përqeshjen e tyre.

    Luanët e rinj

    Një numër i madh i librave të botuar në Shqipëri që nga viti 1991 kanë qenë kujtime të burgut ose përshtypje të ngjashme me synim që të rregullohen padrejtësitë dhe të ndriçohen disa ngjarje. Shumica e këtyre kujtimeve nuk kanë pretendime letrare dhe botohen nga vetë autorët. Në përgjithësi, bëhet fjalë për një dëshmi prekëse mbi njërën nga diktaturat më të errëta në historinë bashkëkohore evropiane.

    Bashkim Shehu, i lindur 1955, është djali i Mehmet Shehut, kryeministrit të tmerrshëm të Enver Hoxhës, që bëri vetëvrasje më 1981. Bashkimi tashmë ishte shkrimtar i botuar, kurse pikëpamjet e tij liberale brenda rrethit familjar e çonin në konflikte të shpeshta me babanë. Pas vdekjes së Mehmet Sehut, atë e burgosin me anëtarët e tjerë të familjes. Pas lirimit shkroi Vjeshta e ankthit, një rrëfim dramatik për jetën e familjes së tij, tre muaj para vetëvrasjes së babait. Libri zgjidh shumë fshehtësi historike dhe jep një vështrim të pakrahasueshëm për rrojtjen e udhëheqjes komuniste, e cila jetonte e izoluar në vila të rehatshme në një lagje të veçantë tiranase. Libri i Shehut është gjithashtu një rrëfim i gjallë mbi konfliktin e gjeneratave ku mendimtarët e lirë të rinj ushtrojnë presion mbi kokëfortësinë e etërve të tyre. Shehu pastaj ka shkruar romanet Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (1995) dhe Gostia (1996).

    Fatos Lubonja i ka kaluar 17 vjet në burgjet e Hoxhës dhe këto përvoja i ka paraqitur në tre libra, cikle të rrëfimeve nga burgu, por edhe si redaktor i Përpjekjes, revistës kryesore tremujore intelektual të Shqipërisë. Lubonja ka shkruar: Vrasja përfundimtare (1994), një roman në formë drame që është rishikimi legjendës së Edipit dhe që ishte shkruar në letrat e cigareve në burg; Në vitin e shtatëmbëdhjetë (1994), ditari i Lubonjës mbi vitin e fundit në burg; dhe Dënimi i dytë (1996), një roman dokumentar lidhur me arrestimin e autorit, i cili tashmë ndodhej në burg, me akuzë të komplotit kundër shtetit, dhe mbi procesin gjyqësor dhe dënimin.

    Lubonja prezanton një tregim dramatik fuqia e të cilit qëndron në të rrëfyerit e qetë. Lubonja burgosjen e vet nuk e sheh si ndonjë dënim metafizik a irracional që ka ardhur nga “lart”. Në vend të kësaj, përvojën totalitare e përdorë si bazë për kritikimin e shoqërisë. Ai shkruan pa smirë, me mirëkuptim për motivimin njerëzor dhe dobësitë që e pengojnë djallëzimin. Persekutuesit e Lubonjës nuk ndryshojnë shumë psikologjikisht nga viktimat e tyre (dhe lehtë mund t’i ndërrojnë rolet). Të kuptosh nuk do të thotë gjithmonë edhe të falësh, dhe vepra e Lubonjës dëfton një fuqi morale e shprehëse, që është më bindëse ngase bëhet e qartë nga veprimet e personazheve e jo nga retorika. Aty bile ekziston edhe një shtresë e humorit të zi, e llojit që të burgosurit e ndanin ndërmjet vete gjë që e tërheq lexuesin në një situatë e cila më tepër frikëson se që argëton. Vështirë të na kujtohet ndonjë shkrimtar burgu, në çfarëdo gjuhe, që shkruan me aq gjakftohtësi de vetëpërmbajtje. Lubonja gjithsesi është më tepër se shkrimtar suazash lokale. Në përshkrimin e përvojës së skajshme njerëzore mund të krahasohet me Primo Levin.

    Tremujorja e Lubonjës, Përpjekja, ka hyrë në vitin e tretë. Me qëllim të sjelljes së frymës kritike në shoqërinë shqiptare, bashkëpunëtorët e saj i kanë paralajmëruar udhëheqësit në mundësinë e rrëshqitjes në totalitarizëm, mitologji dhe rregullim të historisë, verbëri ekologjike dhe mediokritete kulturore. Revista ka botuar përkthime të letërsisë botërore të autorëve si Fernando Pessoa, Borges, Marquez dhe Ginsberg.

    Megjithatë, duket se shkrimtarët e Shqipërisë deri më tash kanë qenë të paaftë t’i përvetësojnë dhe interpretojnë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë e tyre. Akoma asnjë roman nuk i ka trajtuar shqetësimet e viteve postkomuniste, ekzodet matanë Adriatikut, migrimet masive përtej maleve në Greqi dhe kontaktet e para me vlerat perëndimore.

    Shumë shkrimtarë, duke përfshirë bashkëpunëtorët e Përpjekjes, Bashkim Sehun, Edi Ramën dhe Ardian Klosin, sikur Kadare, janë shpërngulur jashtë prej nga zërat e tyre nuk kumbojnë njësoj. Kjo vlen edhe për artistët e tjerë. Klosi jetën kulturore të Tiranës e ka quajtur të vdekur. Tregu nuk ka mundësi të mbështesë publikimet serioze apo ngjarjet kulturore.

    Është indikative se tri kinematë tiranase janë dhënë pas pornografisë. Nga filmat shqiptarë i vetmi që ka pasur një paraqitje të përshtatshme ishte Vdekja e kalit (1992) i Samir Kumbaros, një analizë e hollësishme mbi spastrimet e Hoxhës në armatë. Janë xhiruar edhe filma të tjerë, por të cilët nuk janë shfaqur. Njëri quhet Kundravajtësit dhe ka të bëjë me valën e paligjshmërisë që e kaploi vendin më 1991. As filmat e njohur të huaj që merren me shqiptarët, si Lamerika dhe Para shiut, nuk kanë qenë në repertorin e Tiranës.

    Në vend të kësaj, qeveria socialiste që erdhi në pushtet në qershor të vitit të kaluar po punon në rehabilitimin e socrealizmit dhe po shfaq filma dikur të popullarizuar mbi heronjtë e të së kaluarës, siç është Deda, punëtori i kompanisë telefonike i cili vdes gjatë një stuhie, duke i ndrequr telat që e lidhin “atdheun tonë socialist”.

    Kjo i ofrohet sot popullit të frikësuar, të varfër dhe të dëshpëruar. Mbase gjeneratat do të lehtësohen me këtë nostalgji, mirëpo për të rinjtë – që dominojnë në shoqërinë shqiptare – kjo është absurde dhe ata e kthejnë saçin nga MTV-ja. Koha e Balzacut ka kaluar. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Kafeina dhe shëndeti i mëlçisë

    Lajmi i rradhës

    Më shumë luftë, më pak shpërblime: çka do të thotë kjo për luftën e Rusisë në Ukrainë?

    Lajme tjera

    DËSHIRA PËR JETËN

    Poezi nga: Aboul-Qacem EchebbiPërktheu: Maks Rakipaj Nëse, ndonjë ditë, njerëzve do t’u vijë dëshira për jetënatëhere edhe fati…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë