Ballkani Perëndimor, hapi i radhës strategjik për Europën

    BAJRAM BEGAJ 

    Është një nder për mua të drejtohem përpara kësaj Asambleje të nderuar në emër të Republikës së Shqipërisë në këtë ceremoni mbyllëse. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Kongresmenin Turner, për lidershipin e tij dhe për organizimin e kësaj bisede të rëndësishme mbi trashëgiminë e Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it dhe sfidat për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor.

    Vlerësojmë thellësisht angazhimin tuaj të vazhdueshëm ndaj bashkëpunimit transatlantik. Ky takim zhvillohet në një moment kur themelet e sigurisë sonë po vihen sërish në provë. NATO mbetet gur themeli i sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën demokratike. NATO është Aleanca më e suksesshme, më e fuqishme dhe më e bashkuar në histori. Në mjedisin e ndërlikuar gjeopolitik të sotëm, NATO përfaqëson një aleancë politike, ushtarake dhe morale, bazuar në mbrojtjen kolektive, vlerat e përbashkëta dhe një qëllim të përbashkët. Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO në vitin 2009 shënoi një kthesë historike.

    Ai afirmoi identitetin tonë si pjesë e familjes Euroatlantike. Që nga ajo kohë, Shqipëria mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj misionit dhe vlerave të Aleancës. Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe do të vazhdojmë të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane. Është një domosdoshmëri strategjike të forcohet dhe të mbahet në mënyrë të qëndrueshme investimi në mbrojtje dhe siguri. Shqipëria e ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes. Jemi duke e rijetësuar industrinë tonë të mbrojtjes dhe jemi duke investuar në infrastrukturën ushtarake dhe në korridoret strategjike të transportit për të rritur lëvizshmërinë ushtarake. Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe të kontribuojë në mënyrë konstruktive në përpjekjet kolektive të Aleancës për investime në mbrojtje, mbështetje për Ukrainën, përshtatje strategjike dhe stabilitet rajonal. Këto kontribute pasqyrojnë angazhimet tona strategjike dhe besimin tonë se paqja e qëndrueshme kërkon investim të vazhdueshëm politik, diplomatik dhe ushtarak.

    Ky vit shënon 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it, një gur themeli për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm për Bosnjë dhe Hercegovinën, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo na kujton se sa e rëndësishme është paqja, diplomacia, bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Por, ne e dimë se paqja nuk mbahet vetë. Ajo formësohet çdo ditë përmes besimit, bashkëpunimit, përgjegjësisë së ndarë dhe vigjilencës. Paqja nuk është vetëm fundi i konfliktit. Ajo është fillimi i gjithçkaje tjetër për të cilën përpiqemi: dinjiteti, drejtësia dhe mundësitë. Paqja krijon hapësirë për të mësuar, për inovacion, për ide të guximshme dhe për përparim të përbashkët. Dhe, ndërsa teknologjia bëhet më e fuqishme, pesha e zgjedhjeve tona bëhet më e rëndë. Nuk është vetëm çfarë mund të bëjmë. Është si zgjedhim të përdorim atë që krijojmë.

    Në këtë kuptim, përgjegjësia bëhet thelbi i vërtetë dhe masa e vërtetë e fuqisë. Ukraina na i ka kujtuar të gjitha këto. Populli i saj ka treguar çdo të thotë të luftosh për liri, sovranitet dhe të drejtën për të përcaktuar vetë të ardhmen tënde. Lufta e tyre na ka kujtuar se paqja është e brishtë dhe duhet mbrojtur me vendosmëri. Shqiptarët mirëpresin të gjitha hapat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump, si dhe nga BEja dhe Mbretëria e Bashkuar në shërbim të një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë. Ne në Ballkanin Perëndimor e kuptojmë çmimin e paqes. Kemi përparuar shumë, por, edhe pse sot nuk ka luftë, kjo arritje nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Kosova sot është një shtet i pavarur, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca vepruan me shpejtësi dhe vendosmëri në një moment kritik. Është një realitet i pakthyeshëm dhe një pasqyrim i asaj që mund të arrijë një angazhim i vendosur ndërkombëtar. Ajo tregon, gjithashtu, fuqinë e vendosmërisë kolektive dhe përgjegjësinë që ndajmë në mbrojtjen e paqes, kur ajo është më e brishtë. Por ende ka zëra që tërheqin drejt së kaluarës, ende ka ndarje që mund të shndërrohen në tensione.

    Paqja është e paçmuar, por ajo kërkon investim.

    Paqja ekziston, por ka nevojë për përforcim.

    Progresi është real, por kërkon vizion dhe drejtim.

    Ballkani Perëndimor nuk është një kapitull i mbyllur i Evropës. Është hapi i saj strategjik i radhës. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është një çështje gjeografie, por një çështje besueshmërie, kohezioni dhe vizioni strategjik. Shqipëria mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj përparimit të integrimit Euroatlantik. Jemi krenarë për partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria e vlerëson këtë partneritet strategjik të ndërtuar mbi besim, angazhim të përbashkët dhe një vizion të përbashkët. Ne shqiptarët jemi krenarë për anëtarësimin në NATO dhe krenarë që jemi vend kandidat për Bashkimin Evropian. Nga të qenit dikur vendi më i izoluar në Evropë, Shqipëria tani mirëpret miliona turistë. Shqipëria tashmë pret dhe kontribuon në samite ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Komunitetin Politik Evropian dhe, natyrisht, mirëpresim Samitin e NATO-s në vitin 2027.

    Duke reflektuar mbi tri dekadat e fundit dhe sfidat që na presin, ne, vendet e vogla si Shqipëria, jemi më të bindur se kurrë se një prani strategjike e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësore. Ajo që na duhet është një vizion i qartë dhe i qëndrueshëm për të përballuar sfidat me qartësi dhe për t’i kthyer ato në mundësi; për të forcuar demokracinë, për të avancuar reformat dhe për të përshpejtuar integrimin Euroatlantik dhe për të siguruar që NATO të mbetet një forcë vendimtare dhe efektive për paqen dhe stabilitetin. Ky vizion nuk është vetëm në interesin kombëtar të Shqipërisë.

    Është një domosdoshmëri për paqen, demokracinë, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, bashkëpunimin dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Teksa shikojmë drejt të ardhmes, duhet të qëndrojmë të lidhur fort pas parimeve që na kanë sjellë deri këtu dhe të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive që kemi përpara. Dayton-i kishte të bënte me përfundimin e një lufte. Tridhjetë vjet më parë, paqes iu dha një mundësi në Ballkan. Por kapitulli tjetër duhet të ketë të bëjë me ndërtimin e diçkaje më të mirë: diçkaje më të qëndrueshme, më të bashkuar dhe më të përgatitur për të përballuar të ardhmen. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Shkolla në Nerovë / Sela: objekt pa leje nuk është një shkollë, por është interes publik

    Lajmi i rradhës

    Nacionalizmi në Perandorinë Osmane

    Lajme tjera

    Fitorja e Kosovës

    BEN BLUSHI Kosova mori një fitore të papritur, por të merituar, kur ishte në një ditë të keqe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë