Lirim Shala
Një fytyrë politike që vjell vrer, që shpreh qëndrime politike kundër jomaqedonasve, dëllëngthi kundër shqiptarëve, u largua nga posti i drejtorit.
Petar Bogojeski, kreu i grupimit “Koncepti Maqedonas”, i cili ka shprehur hapur urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve, nuk do të drejtojë më Agjencinë Kombëtare për Programe Arsimore dhe Mobilitet Europian, një institucion i rëndësishëm për të rinjtë e vendit.
Mediet maqedonase thonë që Bogojeski u largua me kërkesë të europianëve, si pjesë e një sërë veprimesh që duhej të ndërmerrte Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e RMV. Nëse nuk do të ndodhte kjo lëvizje e kuadrit, shteti rrezikonte pezullimin e programit nga BE.
Gjithashtu, mediet maqedonase raportojnë që, nga Brukseli ka vërejtje dhe kërkesë për të zbardhur çështjen e kthimit të 2,2 milionë euro pikërisht nga kjo agjenci e drejtuar prej Bogojeskit. Çështjen e kësaj shume parash e pati bërë të ditur drejtuesi i atëhershëm i agjencisë në fjalë, Marko Gjorgievski.
Largimi i Bogojeskit është lajm i mirë sepse shteti nuk duhet të emërojë në poste publike kuadro të këtillë të cilët janë kundër bashkëjetesës në vend.
Koalicioni VLEN duhej që të mos e pranonte një emër të këtillë në këtë post. Për më tepër, VLEN nuk duhet të pranojë kthimin e tij në ndonjë prej institucioneve publike, qoftë kjo edhe si rezultat i ndonjë marrëveshje politike të Mickoskit me parti apo lëvizje të tjera politike.
Përpos largimit, Bogojeski duhet të ndiqet edhe penalisht për fyerjet drejtuar kombit shqiptar.