Çmimi Nobel

    LEONARD DEMI

    Gjatë fushatës elektorale, Presidenti Donald Trump tha se ai mund t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë brenda 24 orëve. Por, edhe sot, 12 javë pas marrjes së pushtetit, ky objektiv duket i vështirë për t’u arritur. Luftimet vazhdojnë dhe besimi te negociatat dhe paanshmëria e negociatorëve ka rënë, edhe pse Steve Witkoff, i dërguari i Presidentit Trump te Presidenti Putin, i quan bisedimet “epike”, “transformuese” dhe “jashtëzakonisht të dobishme për botën në përgjithësi”. Në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, më 3–4 prill, Sekretari i Shtetit Rubio tha se Rusisë po i mbaron koha për të bindur administratën “Trump” dhe se është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje paqeje me Ukrainën dhe jo të lodrohet për të fituar kohë. Të njëjtin mendim me të ndanë edhe Sekretari britanik Lammy dhe ministrja gjermane Baerbock, kur thanë se Putini vazhdon të zvarritet, duke paraqitur gjithnjë kërkesa të reja dhe se bisedat e tij për negociatat nuk janë “asgjë, veçse premtime boshe”. Në Kongresin amerikan, një grup prej 50 senatorësh nga të dyja krahët, i udhëhequr nga Lindsey Graham (R) dhe Richard Blumenthal (D) mbështesin një projektligj, që vendos tarifa 500% për mallrat nga vendet, që ende blejnë prodhime ruse, në qoftë se Rusia refuzon të negociojë me Ukrainën me mirëbesim ose shkel marrëveshjen.

    NEGOCIATAT

    Bisedimet e paqes janë bllokuar dhe përparimi i vetëm: marrëveshja për të ndaluar sulmet kundër infrastrukturës energjetike është një letër e vdekur. “Nëse do të ishte në dorën e Shtëpisë së Bardhë, negociatat do të ishin drejt zgjidhjes së konfliktit”, – vëren Peter Rough nga Instituti “Hudson” në Uashington. Problemi është Putini, që nuk po angazhohet në negociata të sinqerta, të ndershme dhe konstruktive. Ai po përpiqet të fitojë kohë, të pengojë dhe në çdo hap t’u shtojë kushte të pamundura nismave amerikane. Kurse, Presidenti Tramp jo vetëm që dëshiron t’i japë fund një “banje gjaku”, por po diskuton me Rusinë edhe rinisjen e marrëdhënieve dypalëshe për tema dytësore, si: lehtësimin e vizave, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pronave të paluajtshme, rifillimin e fluturimeve direkte, rinovimin e stafit të ambasadës, madje edhe organizimin e ndeshjeve hokej midis dy vendeve.

    MARRËVESHJA

    Në Arabinë Saudite, Ukraina pranoi një ndalimzjarri të pakushtëzuar tridhjetëditor si në zonat energjetike, ashtu edhe në infrastrukturë. Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje të dyanshme, ushtria ruse vazhdon sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Kështu, më 18 mars, Presidenti amerikan dhe ai rus u bënë thirrje të dyja palëve për t’u dhënë fund goditjeve në infrastrukturë, të paktën në infrastrukturën energjetike. Megjithatë, ky kompromis ngërthen paqartësi: ndërsa, amerikanët përfshijnë të gjithë infrastrukturën, rusët pranojnë vetëm infrastrukturën energjetike dhe vetëm për tridhjetë ditë. Kësisoj, Moska dhe Kievi vazhdojnë të akuzojnë njëratjetrën për shkeljen e ndalim-zjarrit. Akuzat nuk mund të verifikohen, sepse nuk është miratuar asnjë mekanizëm kontrolli. Ditët e fundit, zyrtarë të lartë rusë hodhën poshtë propozimet e Shtëpisë së Bardhë për një ndalim zjarri 30-ditor apo të kufizuar në Detin e Zi. Moska e lidhi këtë marrëveshjeje me heqjen e menjëhershme të sanksioneve perëndimore, veçanërisht, për pagesat ndërbankare Swift për disa institucione financiare, përfshirë Rosselkhozbank, një grup i drejtuar nga zyrtarë pranë Putinit, të lidhur me shërbimet sekrete ruse (KGB apo FSB). Kjo kërkesë është e pamundur për t’u zbatuar, sepse Uashingtoni nuk ka kontroll mbi sistemin e pagesave ndërbankare Swift, të instaluar në Belgjikë. Bashkimi Evropian refuzoi të përmbushë kërkesat ruse, sepse parakushti për çdo heqje sanksionesh është tërheqja e rusëve nga territoret e okupuara të Ukrainës. Kështu, Vladimir Putin kërkon të hedhë mbi evropianët përgjegjësinë për dështimin e negociatave të tij me Donald Trump. Një studiuese dhe drejtuese në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tatiana Kastouéva-Jean, vëren se rezultati i përkohshëm i këtij procesi negociatash të jep përshtypjen jo të një, por të disa shfaqjeve të interpretuara në të njëjtën kohë, ku nuk ka skenar dhe ku disa regjisorë po përpiqen të imponojnë linjën e tyre: “Gjithçka është zhgënjyese”. Kurse, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, i tha revistës “Mezhdunarodnaia zhizn”: “Ne i marrim shumë seriozisht modelet dhe zgjidhjet e propozuara nga amerikanët, por nuk mund t’i pranojmë të gjitha. Moska është e interesuar vetëm për një marrëveshje që trajton ato që Rusia i konsideron ‘shkaqet rrënjësore’ të konfliktit”: dëshirën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n dhe për të ekzistuar si një vend i pavarur brenda kufijve të vet të njohur ndërkombëtarisht; zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore; si dhe Aleanca Atlantike të tërheqë pajisjet dhe trupat e saj nga këto vende, me synimin për t’u rikthyer në kufijtë e vitit 1997. Siç duket, negociatat po kryhen “nxitimthi”. Ato po mënjanojnë elementë të rëndësishëm negociues, sidomos atë që duhet të shërbente si levë, pranimin e Ukrainës në NATO dhe po sillen te heqja e sanksioneve përpara se të arrijnë ndonjë rezultat. Deri tani, Presidenti Trump nuk ka ushtruar trysni serioze mbi Kremlinin përtej kërcënimeve të paqarta për sanksione më të ashpra dhe rritje të tarifave për tregtinë e dobët dypalëshe. Në këtë fazë, ngrihet pyetja se çfarë do të thotë formula “paqe përmes forcës”?

    VLERËSIME

    Sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev, shumë ukrainas po humbasin besimin tek bisedimet e paqes, 75% e tyre druhen se mund të arrihet një marrëveshje paqeje e padrejtë ose pjesërisht e padrejtë. Kështu, ish-drejtori për Rusinë në Këshillin e Sigurimit Kombëtare gjatë presidencës Bush, Thomas Graham, vëren se nuk ka ende një ndalim zjarri, nuk ka marrëveshje për Detin e Zi, edhe pse në fillim të dyja palët ranë dakord. Ne kemi iluzionin e përparimit pa hapa konkretë. Personalitete të tjerë si Thomas Greminger, kreu i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Gjenevë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i OSBE-së, venë në pikëpyetje paanshmërinë dhe drejtësinë e negociatorëve, të cilët bëjnë rregullisht dhe publikisht lëshime, gjë që nuk është praktikë e një procesi që shkon deri në negociata. Shumë kritikë të tjerë pretendojnë se ekipi negociator rus, me ish-zyrtarët e ngurtë sovjetikë, ka një përvojë negociuese dhjetëravjeçare dhe njohuri për Ukrainën. Prania e tyre shënon rikthimin e “metodës Gromiko”, ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe më pas lider sovjetik, të cilin, gjatë Luftës së Ftohtë, perëndimorët e quanin “Zoti Niet/Zoti Jo”, dmth.: negociata teknike, por në fund të fundit pa ndonjë përparim. Nga ana tjetër, përmbysjet e politikës së jashtme të Presidentit Trump dhe kërcënimet ndaj aleatëve shihen nga Kremlini si “një revolucion i vërtetë” dhe një “dritare mundësish”. “Përsa i përket zotit Witkoff, profesor Lawrence Freedman, King’s College, Londër, në një analizë, thotë se ai duket të jetë më shumë i dërguari i Putinit te Trump sesa anasjellas. Studiues të tjerë janë të mendimit se ai është i painformuar për natyrën e konfliktit, nuk është marrë me Rusinë më parë dhe nuk i kupton taktikat e negociatave dhe, veçanërisht, se si Putini mund të manipulojë situatën. Ajo që bie në sy është qëndrimi maksimalist i Putinit dhe objektivat e tij mbeten të pandryshuara: nënshtrimi i Ukrainës, ndërprerja e lidhjes transatlantike dhe dobësimi i Evropës”.

    VLADIMIR PUTIN KËRKON TË FITOJË KOHË

    Presidenti rus refuzon të negociojë drejtpërdrejt me homologun e tij ukrainas dhe nga ky pozicion i pabarabartë Kremlini kërkon të përfitojë. Qëllimi i Rusisë është të fajësojë Ukrainën nëse bisedimet e paqes dështojnë, në mënyrë që SHBA-të t’i ndërpresin mbështetjen ushtarake dhe të inteligjencës, duke hapur rrugën drejt fitores ushtarake ruse. Në këto kushte, Presidenti Putin shqetësohet vetëm për të fituar kohë. Ai lëshon mashtrime majtas dhe djathtas, ndërsa vazhdon të luftojë për objektivat e tij të vjetra: neutralizimin e Ukrainës dhe çmilitarizimin e saj. Kurrë nuk humb rastin për të delegjitimuar Volodymyr Zelenskyn, duke bërë thirrje për zgjedhje të reja presidenciale për ta zëvendësuar atë. Një tjetër dëshmi e qartë e mungesës së interesit të presidentit rus për një marrëveshje paqeje është thirrja për mobilizimin pranveror (prill-korrik) të 160,000 vetëve, 30 vjeç e poshtë, që shënon numrin më të lartë të rekrutëve që nga viti 2011. Konflikti e ka zvogëluar aq shumë personelin ushtarak të Rusisë, sa Kremlini u detyrua të mobilizonte të burgosur dhe ushtarë koreano-veriorë.

    Taktika të hershme

    Rëndom, Vladimir Putin ka pranuar se pjesa e preferuar e punës së tij në KGB qe rekrutimi i agjentëve dhe informatorëve të fshehtë, të cilën e konsideron një përvojë kolosale, që e ka përdorur si përparësi të vetën: një rekrutues i suksesshëm duhet të jetë në gjendje të fitojë besimin dhe dashurinë e bashkëbiseduesve të vet, sado të ndryshëm të jenë ata. Kësisoj, Presidentit Bush, një i krishterë i devotshëm, Putin i tregoi historinë e një kryqi që i kishte dhënë nëna e tij dhe që i mbijetoi një zjarri masiv, “një shenjë nga Zoti”, tha ai. Pas këtij takimi, Bush tha se ai e pa njeriun në sy dhe qe në gjendje të kuptonte shpirtin e tij. Presidentit Obama, i cili fitoi me premtimin e ndryshimit, Putini i ofroi një homolog të pëlqyeshëm, Dmitry Medvedevin, i cili nuk kishte pushtet të vërtetë, por mbajti fjalime të këndshme për lirinë dhe modernizimin. Gjatë mandatit të tij të parë, Obama u përpoq të përmirësonte (reset) marrëdhëniet me Kremlinin, por përfundimi qe fatkeq. Qasja ndaj Presidentit Trump, sipas vlerësimit të Putinit, është admirimi i egos së tij. Kështu, ai i tha të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, se si ishte lutur në kishë për “mikun e tij Trump” pas tentativës për ta vrarë dhe porositi një pikturë të Trump, që Witkoff e dorëzoi në Zyrën Ovale, duke e lënë Presidentin e SHBA “qartësisht të prekur”. Qëndrimet e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë janë të zbehta në krahasim me të dy muajve të fundit. Me t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, ai fajësoi Ukrainën për agresionin e Putinint për ta pushtuar në shkurt 2022; kërkoi zgjedhje për Presidentin ukrainas Zelensky; ftoi Putinin t’i bashkohej G7, nga i cili Rusia u përjashtua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe më 24 shkurt 2025, bashkë me Rusinë, Bjellorusinë, Korenë e Veriut etj. votoi kundër një rezolute të OKB-së, që dënonte sulmin e Putinit ndaj Ukrainës.

    DURIMI I PRESIDENTIT TRUMP MUND TË KETË KUFIJ

    Ditët e fundit, Presidenti Trump tregoi një lloj bezdisje ndaj Vladimir Putinit, duke thënë se ishte “shumë i zemëruar” me të. Ukrainasit dhe evropianët shpresojnë se durimi i tij mund të ketë kufij. Kështu, Presidenti finlandez, Alexandër Stubb, thuhet se u përpoq t’i shpjegonte se një kompromis i keq do të ishte i dëmshëm për reputacionin e tij si dillmejkër (deal maker). “Ky mund të jetë një argument shumë më efektiv se sa t’i shpjegosh Shtëpisë së Bardhë se një marrëveshje e keqe për Ukrainën do të bënte lojën e Kinës”, sugjeron një diplomat evropian. Presidenti Donald Trump, sigurisht, që do të arrijë në përfundimin që shumica e vëzhguesve e kanë ditur që para tri vjetësh: pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 ishte një përpjekje e egër për të zaptuar territore dhe për të rrëzuar një qeveri sovrane dhe se Presidenti Vladimir Putin nuk dëshiron asnjë marrëveshje paqeje, që nuk konsolidon pushtimet e tij të paligjshme./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kusht thelbësor për integrimin në BE”

    Lajmi i rradhës

    Shqipëria si Dubai, strehë e figurave kriminale!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë