DHIMBJA E VETERANËVE ËSHTË E THELLË, POR EDHE SHPRESA E TYRE

    QENDRA PËR VEPRIM JO TË DHUNSHËM, PREDIKON PAQE QË DY DEKADA.

    Në mesin e dhjetorit 2021, ish-luftëtarët në luftërat që erdhën si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë u mblodhën në Vlasotinac, një qytet i vogël serb 300 kilometra në jug të Beogradit, për ta nderuar njërin prej tyre. Ish-anëtarët e Ushtrisë Kroate (HV), Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO), e Ushtrisë së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës (ARBiH), Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS), Ushtrisë Jugosllave (VJ) dhe Ushtria e Popullit Jugosllav (JNA) ishte aty për të vendosur kurora me lule në varrin e Novica Kostić dhe për të nënshkruar dhe dorëzuar tek zyrtarët e qytetit një peticion që kërkon që rruga ku jetonte Kostić të riemërohej në nder të tij.

    Kostić vdiq në moshën 61-vjeçare. Për dekada u ballafaqua me lëndimet që mori në nëntor të vitit 1991 si rezervist i JNA-s duke luftuar në Luftën Kroate për Pavarësi. Ai mbeti invalid dhe pasi shëndeti i tij u përkeqësua më shumë, iu nënshtrua operacioneve të shumta.

    Në peticion, veteranët shkruan se Kostić u angazhua në aktivizëm paqeje për dekada dhe vizitat e tij në vendet e vrasjeve masive për të folur për paqen e çuan deri përrreth asaj që dikur ishte Jugosllavi.

    “Nuk e humbi kurrë mundësinë për të folur për tmerret e luftës dhe për të avokuar për paqen, pajtimin, bashkëpunimin dhe solidaritetin mes njerëzve që jetojnë në territorin e ish-Jugosllavisë”, thuhet në peticionin e nënshkruar nga më shumë se 150 njerëz, duke përfshirë fqinjët e Kostić dhe shumë banorë të tjerë të Vlasotinac.

    Misioni i paqes i Kostić ishte pjesë e aktiviteteve të kryera nga Qendra për Veprim jo të Dhunshëm (CNA), e cila ka punuar në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë që nga viti 2002 për të ndërtuar besimin mes njerëzve. Si pjesë e aktiviteteve të tyre, ata sjellin njerëz për t’i vizituar vendet e ekzekutimeve masive për të nderuar viktimat dhe për të bërë thirrje që autorët të vihen para drejtësisë.

    Në ditën e përkujtimit në Vlasotinac, CNA shfaqi një dokumentar me Kostić. Në film ai reflekton për aktivizmin e tij dhe luftën dhe thotë se asnjë luftë nuk ka fitues. “Pjesëmarrësit e përfshirë janë thjesht njerëz të zakonshëm që ranë në kurth dhe pranuan të bëhen viktima të luftës”, tha ai. “Tani më pengon kur dikush thotë “besnik ndaj vendit”. Po pse, për hir të mirësisë? A është vendi besnik ndaj meje? Çfarë ka bërë për mua ai vend?”

    Danijel Kostić mësoi nga babai i tij Novica, i cili dikur ishte ushtar, për rëndësinë e paqes, mësime këto që Novica ndau me kolegët e Qendrës për Veprim jo të Dhunshëm. Foto: Dejan Kožul.

    Përveç veteranëve, në përkujtim mori pjesë edhe djali i Kostić, Danijel, i cili për paqen mësoi nga babai i tij. Atë ditë, më i riu Kostić tha se ishte mirënjohës që të gjithë u mblodhën për ta “nderuar Novicën dhe familjen time si dhe për t’i treguar edhe një herë mbarë botës, e veçanërisht rinisë, se çka janë parimet e vërteta, cilat janë vlerat e vërteta, dhe çka është më thelbësore se vetë jeta”.

    Kostić kujtoi se si për babain e tij, angazhimi me CNA ishte një mundësi për t’u thënë të gjithëve se shumë veteranë ishin thjesht njerëz të zakonshëm që u ndanë nga familjet e tyre dhe u hodhën në zjarr.

    “Donte ta dëgjonte palën tjetër, ta shihte se çfarë kishte për të thënë dikush nga Kroacia, i cili gjithashtu luftoi në luftë, të dëgjonte nga një boshnjak, për ta konfirmuar besimin e tij se këta ishin të gjithë familjarë normalë të cilëve fati ua obligoi këto rrethana”, tha Danijel Kostić. “Kur dëgjoi për idenë e ndërtimit të paqes, e priti si diçka të shenjtë. Ishte diçka në të cilën ishte i gatshëm të përfshihej. Donte ta jepte më të mirën dhe të kishte sukses”.

    Rolet sfiduese të luftës

    Në shumë mënyra, Novica Kostić ishte mishërimi i CNA. Ai ishte një nga njerëzit e tyre kryesorë, duke qenë i përfshirë në aktivitetet e tyre që në programet e para të trajnimit në vitin 2004. Amer Delić, njëri nga personat udhëheqës në CNA dhe veteran i ARBiH-së, tha se Kostić për të ishte një person model dhe se përkushtimi i tij e inkurajoi të angazhohej në komunitetin e tij lokal në Zavidovići, Bosnje.

    “Frika ime për të folur për përvojën time të luftës u zhduk, mund të them se jo gjithçka që ia dolëm ta fitojmë në luftë kishte ëmbëlsinë e fitores apo të çlirimit”, tha Delić në Vlasotinac.

    “Me t’u përfshirë [në CNA], fillova ta sfidoj rolin tim në luftë, i cili deri në atë moment për mua ishte i pastër. Isha në terrenin tim, duke e mbrojtur veten nga një agresor, kështu që mund të zhytesha në këtë. Megjithatë, nuk po mendoja për atë që ndodhi jashtë rrethinës sime të afërt, cilat komunitete u prekën”, tha Delić.

    PASI HOQËN DORË NGA LUFTA, KOSTIĆ DHE VETERANËT E TJERË TANI LUFTOJNË PËR PAQE.

    “Nga ana tjetër, ju keni njerëz si ne”, vazhdoi ai. “Kam pasur nevojë të flas me dikë pas luftës, veçanërisht për krimet. Dola për të kërkuar njerëz nga grupe të tjera etnike që të flas, por askush nuk donte. Çështje e mbyllur. Të gjithë më thoshin, ‘Lëre’. Më pas në këto lloj takimesh, pata mundësinë të flisja”.

    Delić mësoi nga Kostić të fliste për luftën në një mënyrë tjetër. Tha se e dëgjoi Kostić në forume ku diskutonte hapur për angazhimin e tij ushtarak dhe kritikonte qeverinë aktuale serbe, duke u dërguar mesazh të rinjve se kanë alternativa. Delić kujton se si Kostić u bëri thirrje brezave të rinj që të mos pranonin kurrë të dërgoheshin në luftë.

    Pasi hoqën dorë nga lufta, Kostić dhe veteranët e tjerë tani luftojnë për paqeKy lloj angazhimi për paqen është çfarë CNA ka bërë për vite me rradhë.

    CNA u themelua në vitin 1997 në Sarajevë të Bosnjes. Pas katër vitesh punë hapën një zyrë tjetër në Beograd. Aktivitetet e para të drejtuara nga dy zyrat ishin forumet e quajtura “Katër Pikëpamje” dhe Kostić iu bashkua që nga fillimi. Ideja ishte që t’i bashkonte pjesëmarrësit e luftës, veteranët dhe t’u ndihmonte të flisnin për përvojat e tyre. Forumet ishin të hapura për publikun dhe tërhoqën veteranë të tjerë, si dhe viktima të luftës.

    Kolegët dhe miqtë e Novica Kostić u mblodhën në Vlasotinac për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të apeluar për paqe. Foto Dejan Kožul.

    Aktivitete të tjera lindën nga këto forume, por fokusi mbeti në aktivizmin për paqe dhe punën me veteranët.

    Deri më tani, sipas aktivistes së CNA, Davorka Turk, kanë botuar më shumë se 20 libra në gjuhë të ndryshme, kanë prodhuar nëntë dokumentarë (shumica e të cilëve janë transmetuar në stacionet televizive kombëtare) dhe kanë organizuar tri konferenca ndërkombëtare si dhe disa seminare rajonale me historianë, gazetarë. dhe aktivistë.

    “Kemi shënuar 120 vende të pashënuara më parë të vrasjeve masive. Për më tepër, hartuam një strategji kombëtare për ndërtimin e paqes në Serbi, të cilën — pasi qeveria serbe e refuzoi — ia dhamë popullit të Serbisë; besojmë shumë se do të zbatohet dikur”, tha Turk.

    CNA ka organizuar shumë vizita përkujtimore ndër vite. Në fillim të vitit 2020, për shembull, CNA shkoi në Prijepolje për të vendosur lule dhe për t’i nderuar njerëzit e rrëmbyer dhe të ekzekutuar më vonë nga krimineli i dënuar i luftës Milan Lukić dhe anëtarët e njësisë së tij “Osvetnici” (Hakmarrësit), të cilët ishin pjesë të forcave të armatosura që luftuan në Bosnje.

    Sulmi në fjalë ndodhi në Štrpci, afër kufirit të Serbisë dhe Bosnjës, në një tren të nisur nga Beogradi për në Tivar të Malit të Zi. Lukić dhe një grup njerëzish të armatosur ndaluan trenin, hynë dhe kontrolluan letërnjoftimet e pasagjerëve, pas së cilës veçuan 20 boshnjakë. I dërguan në një qytet afër Višegrad në Bosnje dhe i ekzekutuan. Disa prej tyre ishin nga Prijepolje ndërsa pothuajse të gjitha viktimat ishin nga Serbia apo Mali i Zi.

    Nebojša Ranisavljević u dënua me 15 vjet për këtë krim në vitin 2002 nga Gjykata e Lartë në Bijelo Polje të Malit të Zi. Pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë, Mićo Jovičić u dënua me pesë vjet burg në Bosnje. Që nga viti 2014, kur u arrestuan 16 të paditur të tjerë, proceset gjyqësore po mbahen pezull në gjykatat boshnjake dhe serbe.

    Deri në fund të vitit 2019, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ngriti një aktakuzë kundër Milan Lukić, i cili akuzohet për komandimin e forcave që e kanë kryer krimin. Edhe ky gjykim është pezull.

    Sot, 28 vjet pas masakrës së Štrpci, familjet e viktimave kanë mbetur pa kompensim as simbolik thjesht sepse të dashurit e tyre u vranë në territor të një vendi tjetër.

    Ndër veteranët që nderuan viktimat në mars të vitit 2020 ishte edhe Novica Kostić i cili bëri thirrje: “Kurrë mos e harroni dhe kurrë më!”

    Đoko Pupčević nga qyteti boshnjak i Šamac ishte gjithashtu i pranishëm në përkujtim. Në ditën e masakrës, ish-ushtari i VRS-së dhe një mik i Kostić ishte në tren si pasagjer. Ai mbajti një fjalim në Prijepolje, në të cilin rrëfeu se si burra me uniforma sulmuan trenin.

    “Disa burra të uniformuar hynë në ndarjet tona dhe kërkuan që t’ua tregojmë letërnjoftimet tona”, kujton Pupčević. “Treni nuk lëvizi për 40 minuta a më shumë. Më në fund, erdhi inspektori i biletave dhe e pyetëm se çka po ngjante. Na tha se morën 15 deri në 20 veta. Nuk e mësova arsyen pse derisa mbërrita në Podgoricë. Dëgjova diçka në lajme. Vetëm atëherë e kuptova se për çfarë bëhej fjalë”.

    “Është zemërthyese që trupat nuk janë gjetur dhe nuk ka gjasa të gjinden ndonjëherë, duke pasur parasysh se nuk janë gjetur që nga atëherë”, tha Pupčević në fjalimin e tij. “Megjithatë, i lutem kujtdo që di diçka ta zbulojë vendndodhjen, në mënyrë që kockat dhe shpirtrat e atyre njerëzve të pushojnë më në fund në paqe dhe që familjet e tyre të kenë një vend ku t’i bëjnë nderimet e tyre”.

    Përkujdesja për të harruarit

    Ardhja e veteranëve në vendet e masakrave nuk mirëpritet gjithmonë. Amer Delić kujton se si duhej të prisnin që delegacionet zyrtare dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Serbisë ta vizitonin Prijepolje para se t’u jepej atyre mundësia për ta bërë këtë.

    “Ndonjëherë madje na thoshin të largoheshim. Nuk donin të na prisnin fare”, tha Delić, duke shtuar se ndonjëherë u ndalohej të vendosnin lule. “Sot, ka më pak nga kjo. Na ftojnë dhe na besojnë. Na ftojnë pa ndonjë qëllim të fshehtë. Na kërkohet të vijmë dhe të jemi aty në momente të vështira. Mund ta ndiejmë atë”.

    Amer Delić, ish-ushtar, ia ka kushtuar jetën e tij promovimit të paqes dhe kujtimit të të gjithë atyre që humbën jetën në luftëra. Foto: Dejan Kožul.

    Njëri nga vendet në të cilin janë mbledhur është Bradina, një fshat afër Konjic në Hercegovinë. Në maj të vitit 2021, u mbajt një ngjarje përkujtimore për nder të civilëve serbë që u vranë në vitet e ‘90-ta. Sipas të dhënave zyrtare, më 25 maj të vitit 1992 dhe në ditët në vijim, forcat e ARBiH-s vranë mbi 40 persona, ndërsa dhjetëra u kapën dhe u mbajtën me muaj në kampin Čelebići ku iu nënshtruan torturave.

    Trupat e 25 personave janë zhvarrosur nga një varr masiv i vendosur pranë kishës vendore, të tjerët janë gjetur diku tjetër dhe pesë persona janë ende të zhdukur.

    Gjithsej 13 të dyshuar janë në gjyq për këto krime në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Gjyqi filloi më 8 maj të vitit 2019 dhe akuzat përfshijnë vrasjen, përdhunimin dhe burgosjen e serbëve nga Konjic si dhe spastrimin etnik të zonës ku kishin jetuar me shekuj.

    Delić përmend se familjet e viktimave të cilët ende jetojnë në atë zonë janë të vetmuara.

    “Qeveria e Republika Srpska nuk kujdeset për ta”, tha ai. “Edhe pse Konjic gëzon statusin e ‘qytetit hero’, pushteti vendor nuk i do ata. Janë telash. Njerëzit turpërohen që i kanë trajtuar ata ashtu siç i kanë trajtuar, gjë që ata e justifikojnë duke thënë se ishte kohë lufte dhe se duhej ta bënim”.

    NDËRTIMI I PAQES ËSHTË BËRË SHUMË MË I VËSHTIRË NGA NARRATIVAT ZYRTARE TË VENDEVE KU OPERON CNA, NARRATIVA PREJ TË CILAVE NUK HEQIN DORË LEHTË.

    “Ky grup njerëzish ndihet sikur askush nuk ua ka nevojën apo u intereson për ta, kështu që kanë mbetur vetëm”, tha Delić. “Në bisedat që i kemi me ta, thonë se askush nuk ua di vuajtjet që kanë. Megjithatë, e vlerësojnë angazhimin tonë, ndaj na thonë: ‘Mirë se erdhet! Është nder që ju po e ndieni dhimbjen tonë dhe dëshironi të na bashkoheni në këtë ditë’”.

    Delić vëren se kjo ishte gjë e pamundur të bëhej 10 vite më parë.

    “Në disa vende kemi kaluar nëpër ceremoni ku folësit brohoritnin për armiqtë, kundërshtarët, çetnikët, ustashët dhe muxhahidët. Por kjo ka filluar të ndryshojë, kështu që toni i fjalimeve është pak më i butë tani”, tha ai.

    Ndërtimi i paqes është bërë shumë më i vështirë nga narrativat zyrtare të vendeve ku operon CNA, narrativa prej të cilave nuk heqin dorë lehtë, thotë Delić, duke shtuar se “këto narrativa janë ndërtuar mbi themele të forta dhe ende përforcohen nga ata njerëz për të cilët është e shumë e rëndësishme që narrativat të mos sfidohen apo ndryshohen”.

    CNA ka ndërmarrë hapa të vegjël në fillim. “Nevojitet shumë kohë për ta parë progresin në çdo proces, por 10 vjet më vonë mund ta bëni një hap prapa dhe të thoni se po bëhet. Kaq kohë na u desh para se ta zbatonim idenë për t’i vizituar vendet e vrasjeve masive dhe për të marrë pjesë në ngjarjet përkujtimore kushtuar viktimave pa zgjedhur”, tha Amer.

    Ai shton se shkojnë në ato vende ku ka njerëz që mund ta kuptojnë kuptimin e asaj që bën CNA. “Poenta është se nuk duhet ta konsiderojmë më njëri-tjetrin armiq”, tha ai.

    “Është e rëndësishme ta dëgjosh nga dikush që ishte në anën e kundërt të thotë se i vjen keq që dikush ka kryer krim në emër të tyre. Dhe është e rëndësishme ta kesh një hapësirë ​​ku kjo është e mundur. Është përmirësim i madh”, shpjegoi Delić.

    Për shkak të CNA dhe veteranëve që vizitojnë vendet e vrasjeve masive, disa nga pyetjet që dikur nuk lejoheshin, tani shtrohen hapur. Por që kjo të ndodhte, iu desh të fillonin nga komunitetet e tyre.

    “Ajo çka bëjmë duhet të shkojë hap pas hapi, duhet të zhvillohet besimi, por gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe njerëzit po përfshihen përmes komuniteteve vendore ose përmes zyrës politike në nivel komunal. Kryesisht kemi gjetur mbështetje”, tha Delić, duke shtuar se megjithëse ka gjithmonë nevojë për kujdes në punën e tyre, duhet të insistojnë gjithmonë që të gjitha rrëfimet të tregohen.

    Çdo vit, aktivistët e CNA publikojnë një përmbledhje tregimesh të shkurtra Biber (Piper) me synimin për t’i përshkruar tmerret e luftës dhe për t’i nxjerrë në pah vlerat e paqes. Foto: Arkivi i CNA.

    Një pjesë tjetër e rëndësishme e aktiviteteve të CNA është seria e përmbledhja e tregimeve të shkurtra Biber. Biber do të thotë “Piper” dhe botohet në boshnjakisht/kroatisht/serbisht, maqedonisht dhe shqip dhe kontributet merren përmes thirrjeve publike. “Numri i tregimeve rritet me çdo cikël dhe së fundmi kemi lansuar përmbledhjen tonë të pestë, e cila vetëm se e tregon më shumë se sa shumë forcë duhet që të jemi në gjendje ta vendosim dhimbjen dhe humbjen tonë në fjalë, por edhe të guxojmë të imagjinojmë se si duket pajtimi dhe në çfarë mënyre mund ta arrijmë atë”, tha Davorka Turk.

    Vdekja e Novica Kostić mund të përfaqësojë një pikë kthese për CNA; me kalimin e kohës do të ketë gjithnjë e më pak veteranë të luftës. Ata që janë të përfshirë në CNA i referohen vetes si “vëllezër nga fati”. Ata thonë se edhe pse dikur kanë qenë armiq, sot janë në një betejë të përbashkët për ta ndërtuar dhe ruajtur paqen.

    “Nuk jam i sigurt nëse puna e paqes mund të diskutohet në të njëjtat terma me të cilët matet suksesi në kapitalizëm”, tha Turk. “Kjo lloj përpjekjeje nuk sjell asnjë përfitim material dhe nuk përbën një proces linear. Kërkon nerva prej çeliku dhe aftësinë për të parë përpara me një sy të fokusuar në pasqyrën e pasme. Për ne, paqja nuk është thjesht mungesa e luftës, por prania e lirisë së lëvizjes, mendimit dhe veprimit, prania e qetësisë, sigurisë dhe drejtësisë, dhe mungesa e shtypjes, diskriminimit dhe padrejtësisë”. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Traumat në fëmijëri kanë pasoja afatgjate në shëndet

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE: Kovaçevski përulet para diktatit të Sofjes dhe njëkohësisht distancohen nga maqedonasit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë