Diferenca

    MIMOZA AHMETI

    Para së gjithash, diferenca mbahet në një strukturë. Struktura rrënjon në mënyrën e sjelljes. Funksione kryhen nga sjellja. Kjo si në nivel personal privat, ashtu dhe social.

    Një unitetet sjelljesh, në marrëdhënie të qëndrueshme, krijon një sistem. Sjelljet edukohen prej kualifikimesh dhe përvojash. Ato, nga ide fillestare, bëhen reflekse që prijnë veprim.

    Po çfarë është arkitektura e një diference?

    Një tërësi raportesh e sjelljesh të fortifikuara nga kuptimi deri në nivel ligji, ku brendashkruhet një mënyrë operimi qoftë edhe komplekse është pra diferenca. Aty ku mbaron një mënyrë operacionale dhe fillon një tjetër, shfaqet kufiri dhe fillon diferenca tjetër.

    Sic thotë dhe Luhmann, kufijtë janë performanca, që mund të intensifikohen nga perspektivat e dinamikes. Që të kuptojmë çfarë është diferencimi, le të kuptojmë që vijimi i një strukture nuk varet nga vijimësia e rregullt e saj në lidhje me mjedisin primar që e ka krijuar atë dhe që ajo vetë përfaqëson.

    Kjo vetëm sa duket kështu.

    Vijimësia e strukturës varet nga aftësia e saj për të përcjellë e përballuar në mënyre të suksesshme ngjarjet, të papriturën, që vijnë si akumulim prej vetë diferencash në diferencim.

    Të ruash diferencën, pra kufijtë e hapësirës tënde në një hapësirë të provokuar vazhdimisht nga ngjarje, që janë rrjedhojë e dinamikave, është të ruash strukturën apo vijueshmërinë tënde.

    Forma simbolike e rrudhur e kufijve të një strukture shprehet te ligji. Rrjedhimisht që këtu mund të themi se ai, ligji, është krijuar për të ruajtur të ndarë, të ndarën, pra, diferencën.

    Por në sistemin tërësor të ngjarjeve, suksesimi, diferenca, riprodhimi i saj, nuk është lehtësisht i mundshëm, madje bëhet më kompleks; intensifikohet nevoja e diferencimit, duke diskriminuar apo vazhduar nëpër diferencat, sipas interesit e riskut. Procesi i diferencimit, në mënyrë paradoksale i shërben integrimit, duke i kthyer ngjarjet qoftë dhe ato të improvizuara, në realitete, për hir të mbajtjes së kufijve diferencues, pra, mundësive të riprodhimit të vetes dhe dimensionit social që na mban. Ky diferencial është motori i globalizmit.

    Diferencimi sistemik mundësohet nga reduktimi i diferencave, qoftë dhe shtimi artificial i tyre për rezervë konflikti, për suksesim të diferencës. Forca e krijimit të realiteteve pa akses suksesiv për tjetrin, dhe me akses suksesimi për veten, mund të quhet ndryshe edhe politikë. (Përkufizim imi).

    Me gjithë ekzagjerimin e këtij përkufizimi, kjo është e vetmja mënyrë për të shpjeguar krizën identitare, që ajo e cila bën sens për një diferencë, mund të jetë krejt absurde për një tjetër.

    “Në këtë gjatësi vale, ligji nuk është më një mjet për zgjidhjen e konfliktit, por së pari, dhe mbi të gjitha, një mjet për krijimin e tij: një suport për kërkesa, pretendime dhe refuzime, edhe kur dhe veçanërisht rezistenca ndaj tij ka antisipuar”. Po ashtu si dija, ligji shpërtheu në një formë rudimentare të bashkësisë njerëzore, pa organizimin ende shtetëror.

    Pra, ligji, paraqitet më i vjetër sesa politika. Ai është mjeti për të arritur pritshmëritë, së bashku me dijen.

    Por evolucioni i strukturave, pra, i sistemeve sociale, nxori në pah një instancë të re, politikën, e cila krijon, por njëherësh dhe përpiqet të shpjegojë, rezistojë apo parashikojë aksidente, me një konstelacion shkakësie të padukshëm apo posteriori të kapshëm.

    Që ligji dhe drejtësia janë dy pjesë kundërshtuese të një uniteti që do t’i bashkonte disi vetëm besimi kolektiv në përmbajtjen e ligjit, kjo është matematikisht e kuptueshme. Prandaj dhe drejtësia mbetet utopi e përjetshme, ndërsa padrejtësia, pra, ligji, motori i lëvizjes.

    Megjithë thyerjen e egos (break doën) nëpër këtë kalvar, kjo rrugë riskuese dhe po aq sfiduese e një ontologjie me bazë patriarke, është i vetmi burim informacioni dhe njohjeje në nivel sistemi tani për tani.

    Në nivel individi, shpërputhja midis sistemit dhe subjektit njerëzor, duket si e vetmja rrugë për kthimin e mendjes drejt natyrës dhe reduktimin e një tërësie kuptimesh të sofistikuara, që gjimnastikojnë me përmbajtje bosh për vetëriprodhim. Dhe është e mrekullueshme dhe po aq tronditëse të mësosh që negacioni(dështimi) mbetet e vetmja rrugë e njohjes në këto kushte dhe farë ardhmërie në nivel sistemi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni hetimor për inceneratorët, jo përtej kuadrit kushtetues

    Lajmi i rradhës

    “Big Brother”, spektakël apo “aspirinë sociale”?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë