Drejt një vetëqeverisjeje lokale më të mirë nëpërmjet bashkimit të komunave

    Safit Zeqiri

    Zgjedhjet lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 do të jenë një provë e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe vetëqeverisjes lokale. Përgatitja për këto zgjedhje kërkon planifikim të kujdesshëm dhe koordinim të aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor, duke filluar nga korniza ligjore, përgatitja e listave zgjedhore, logjistika dhe trajnimi i administratës zgjedhore.

    Një rëndësi e veçantë për këto zgjedhje është ndikimi i drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve përmes zgjedhjes së kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë, të cilët formësojnë të ardhmen e bashkësive lokale.

    Sipas ligjeve aktuale, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet, duke përgatitur bazën ligjore për zgjedhjen e kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë. Një aspekt kyç i përgatitjeve është azhurnimi i listës zgjedhore, i cili duhet të jetë në qendër të vëmendjes përpara zgjedhjeve. Kjo përfshin kontrollimin e saktësisë së të dhënave për të gjithë votuesit e regjistruar dhe eliminimin e të dhënave të palejuara ose të pasakta.

    Partitë politike tashmë kanë nisur kalkulimet e tyre të brendshme për kandidatët dhe programet parazgjedhore. Një sfidë e madhe për to do të jetë zgjedhja e kandidatëve të rinj për pozitat e kryetarëve të komunave në disa zona, si dhe ndoshta shfaqja e aktorëve të rinj politikë dhe kandidatëve të pavarur. Fushatat do të përqendrohen në promovimin e kandidatëve dhe sigurimin e më shumë votave, por mbetet pyetja nëse kryetarët aktualë do të japin llogari për katër vitet e fundit apo fushata do të fokusohet vetëm në “punën” ose “mosrealizimet” e tyre.

    Pas këtyre zgjedhjeve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë përgatitjen e një reforme që do të parashikhej ulje të numrit të komunave përgjysmë deri në fund të mandatit të tyre. Ky hap, po që se e merr qeveria aktuale, do të jetë një pjesë e reformave më të gjera për të rritur efikasitetin e vetëqeverisjes lokale, duke përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të komunave, lehtësuar qasjen në shërbimet publike dhe siguruar zhvillim të barabartë rajonal.

    Aktualisht, vendi ka 80 komuna, por shumë prej tyre përballen me sfida të mëdha. Disa komuna kanë popullsi dhe sipërfaqe shumë të vogël, shpesh janë rurale, me burime të kufizuara dhe popullsi që zvogëlohet gradualisht për shkak të emigrimit. Disa prej tyre janë Vevçani, me rreth 2,400 banorë dhe potencial turistik, Konçe (3,600 banorë), Zërnovci (3,000 banorë), Llozova (3,300 banorë) dhe Mavrovë-Rostushë (3,700 banorë). Megjithëse këto komuna kanë burime të kufizuara, disa prej tyre kanë potencial të rëndësishëm turistik. Nga ana tjetër, ka edhe komuna me një numër shumë më të madh banorësh, por me sipërfaqe më të vogël, duke ngritur pyetjen nëse ato duhet të mbeten si njësi të pavarura apo të bashkohen me ato më të mëdha.

    Hulumtimet tregojnë se bashkimi i komunave mund të sjellë përfitime të rëndësishme. Për shembull, Danimarka në vitin 2007 uli numrin e komunave nga 271 në 98, gjë që rezultoi në përmirësimin e shërbimeve publike dhe kursimin e burimeve. Greqia, përmes programit “Kallikratis” në vitin 2010, uli numrin e komunave nga 1,034 në 325, duke mundësuar menaxhim më efikas dhe kontroll më të mirë financiar.

    Përmes bashkimit të komunave, mund të zvogëlohet barra administrative dhe të kombinohen burimet. Kjo do të lejojë përqendrim më të madh të fondeve për projekte në fusha si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia. Shërbimet e përmirësuara për qytetarët do të përfshijnë qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shërbimet publike kryesore, si furnizimi me ujë, menaxhimi i mbetjeve dhe transporti publik.

    Një reformë e vetëqeverisjes lokale për uljen e numrit të komunave do të sigurojë gjithashtu infrastrukturë më të mirë, transparencë më të lartë dhe mundësi të zvogëluara për korrupsion në nivel lokal. Bashkimi do të rrisë konkurrencën, gjë që do të tërheqë investime vendase dhe të huaja. Zhvillimi i barabartë rajonal do të çojë në uljen e dallimeve ekonomike midis zonave urbane dhe rurale, duke krijuar një mjedis ekonomik më të fortë.

    Me reformën për uljen e numrit të komunave, Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë mundësinë të krijojë një sistem vetëqeverisjeje lokale më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Ky hap nuk përfaqëson vetëm një ndryshim administrativ, por edhe një mundësi për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët. Megjithatë, suksesi do të varet nga transparenca e procesit dhe gatishmëria e autoriteteve për të dëgjuar nevojat e të gjitha palëve të interesuara, duke vendosur interesat e qytetarëve në qendër të reformave, gjegjësisht bashkimit apo uljen e numrit të tanishëm të komunave.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Alarm në Kërçovë: lumi Sushica vazhdon të ndotet

    Lajmi i rradhës

    Shkollat në Shkup pa ngrohje, nxënësit dje u lëshuan më herët në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë