FITIM ZEKTHI
Edhe kur bëjmë diçka të mirë, ne nuk dimë të jemi të sinqertë. Hipokrizia është bërë mënyrë jetese dhe mënyrë ekzistence për qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Rama. Që kur doli lajmi se Shqipëria do të pranojë një numër të caktuar qytetarësh afganë, Kryeministri Rama po flet gati përditë ne mediat vendase dhe sidomos ato ndërkombëtare për mikpritjen e madhe, për vlerat e mëdha të solidaritetit dhe të ndihmës ndaj atyre që janë në nevojë, për virtytin e bujarisë etj. Kryeministri ka kujtuar ndihmën që shqiptarët iu dhanë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore për të thënë se pak a shumë këtë gjë po bën ai dhe qeveria e tij tani, ka thënë se edhe ne kemi qenë “afganë” në vitin 1990, ka thënë që shtëpia për ne është e Zotit dhe e mikut, ka thënë që në këtë mënyrë ne pritën në vitin 1998 një milion refugjatë nga Kosova kur ishim edhe më të varfër etj.
Kryeministri Rama iu vërsul të gjithë atyre që kanë pasur një mendim ndryshe, që kanë vënë në diskutim sinqeritetin e tij apo mundësitë e vendit tonë, me fjalë të ashpra, me përbuzje deri duke i fyer.
Kryeministri Rama është politikani tipik, e ka vërtetuar gjatë gjithë jetës së tij politike, se kur ai përbetohet dhe kur mbron me forcë diçka, ai është bash në anë tjetër të asaj që thotë. Në raste të tilla, Rama është gjithnjë duke bërë të kundërtën, duke mos thënë të vërtetën madje duke e fshehur rëndshëm atë. Për të kuptuar politikanë si Rama, duhet përmbysur e gjithë ajo që ajo që ai thotë. Për shembull, në qoftë se ai thotë se janë hapur negociatat, ato nuk janë hapur, në qoftë se ai thotë se borxhi është ulur, ai është rritur, në qoftë se ai thotë se nuk ka lidhje të krimit me politikën, pikërisht në atë moment ky bashkëpunim është më i madh, në qoftë se ai thotë se nuk ka Ndragheta apo mafie që financon biznese në Shqipëri, pikërisht atëherë ato janë këtu këmbëkryq etj.
Në rastin më të thjeshtë, qytetarët afganë duhet të pranohen sepse një aleat i madh dhe strategjik na e kërkon këtë gjë. Shqipëria nuk mund të bëjë dot pa SHBA, pa marrëdhënien me të. Deri edhe pavarësia jonë, pavarësia e Kosovës po se po, janë produkte të angazhimit amerikan. Përkrahja amerikane është kusht vendimtar që ne të mund të shpresojmë të ndërtojmë një vend të lirë, ku sundon ligji dhe ku të gjithë mund të jetojnë me dinjitet. Pa këtë përkrahje, ne nuk duket se kemi kapacitet (jo se populli është i keq apo i paaftë), për shkak të rrethanave gjeostrategjike, trashëgimisë komuniste apo interesave e fqinjëve, të ndërtojmë një vend të lirë dhe të drejtë. Kësisoj, sa herë që SHBA na kërkon diçka, diçka e cila nuk na kërcënon sigurinë tonë dhe vlerat tona si komb, ne pa dyshim që duhet ta bëjmë atë gjë. Rasti me qytetarët afganë është rasti tipik kur ne duhet të bëjmë diçka të tillë siç ka ndodhur edhe më parë me pranimin e atyre pak ujgurëve apo me pranimin e opozitës iraniane. Pranimi me sinqeritet i këtij fakti, me kokën ulur dhe me modesti, është akt i dashurisë për vendin.
Në qoftë se qytetarët afganë do të pranoheshin, siç thotë Rama për shkak të virtytit të lartë të mikpritjes, për shkak të solidaritet me të vuajturin, për shkak se ne kemi mbrojtur hebrenjtë nga nazistët, për shkak se ne vetë kemi qenë “afganë” në vitin 1990, për shkak se ne kemi pritur 1 milion refugjatë nga Kosova, për shkak të dëshmimit të vlerave më të larta të humanitetit etj., atëherë më parë Rama dhe ne duhet të dëshmojnë disa gjëra të tjera.
Profesor David Palumbo Liu i universitetit të Berklit thotë se ndihma e sinqertë dhe pa kushte ndaj dikujt në nevojë apo në vuajtje, mbrojtja e tij dhe e asaj që e përkufizon atë, kalon nëpër tre komponentë. Këto janë empatia, solidariteti dhe identifikimi.
Empatia lind kur ne mund të imagjinojmë vuajtjen, frikën dhe dhimbjen e të tjerëve. David Palumbo Liu përmend librin e famshëm të Adam Smith-it “Teoria e Sentimenteve Morale”, në të cilin shpjegohet se një nga themelet e jetës sociale është aftësia për të imagjinuar veten në situatën e të tjerëve. Është pikërisht kjo gjë që i bën njerëzit bashkë. Ndaj kujt shfaqin empati njerëzit? Njerëzit nuk mund të marrin pjesë me empatinë e tyre te të gjithë ata që e meritojnë atë, por ata janë përgjegjës moralisht për të gjithë ata, për të cilët shfaqin këtë empati. Është e qartë se kryeministri Rama apo qeveria shqiptare, ministrat (ta zemë Ahmetaj, Çuçi, Balluku…) nuk ka ndonjë empati për afganët që po ikin nga vendi i tyre. Sigurisht që Rama apo qeveria jonë nuk po e merr këtë vendim ngaqë ata po jetojnë dhimbjen apo vuajtjen e afganëve. Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë p.sh., meqë i përmend Rama, e kishin këtë empati, shqiptarët që pritën refugjatët nga Kosova meqë i përmend Rama, e kishin këtë empati.
Solidariteti është një formë më e angazhuar. Ai nuk ndalet vetëm te dhembshuria. Ai premton veprim. Njerëzit mund të kenë empati, por nuk veprojnë, nuk kanë fuqi apo nuk kanë mundësi, apo edhe nuk duan. Kur ata shfaqin solidaritet, ata veprojnë. Rama është në rastin që po vepron, por dihet që nuk ka empati. Pra, nuk ka as solidaritet.
Sa i takon elementit të tretë, atij të identifikimit, ai ka të bëjë me njëjtësimin në vlera, bindje dhe ide, me atë me të cilin dikush identifikohet. Kjo është një pikë përtej empatisë dhe solidaritetit. Në këtë moment ti jep gjithçka, bëhesh copë, sakrifikon edhe veten. As që bëhet fjalë që Rama të identifikohet me afganët. Edhe shqiptarët në tërësi nuk kanë empati, nuk solidarizohen dhe nuk identifikohen me afganët për një mijë arsye që nga fakti që ata nuk janë populli afgan (atje ka afganë që vuajnë shumë më tepër sesa këta do të vijnë te ne) deri te fakti që kulturalisht ne nuk i ndjejmë të afërt.
Pra, është e qartë se këto budallallëqet e Ramës për bujarinë, virtytin, dhimbjen dhe solidaritetin, nuk duhen marrë në konsideratë. Rama ka hedhur gaz lotsjellës në pikë të sabahut në shtëpitë me fëmijë dhe të moshuar te Bregu i Lumit, Rama ka burgosur për mospagim dritash 34 mijë shqiptarë, Rama ka lejuar të blihen votat me para të krimit apo thasë mielli të çdo fukarai dhe nuk ka shfaqur asnjë thërrmijë empatie. Si mund të ketë empati, lëre më solidaritet apo identifikim me afganët dikush që lejon të mbillet vendi me hashash, dikush të cilit njerëzit i vdesin në oborret e spitaleve sepse nuk ka vende, apo dikush që thotë se kriminelët po hanë kokat e njëri-tjetrit?!
Veç shtysave të empatisë, solidaritetit dhe identifikimit, ka edhe një arsye tjetër parimore pse duhet të pranoheshin medoemos qytetarët afganë. Janë vlerat që përkufizojnë Amerikën. Amerika njihet si vendi i lirisë, i sistemit politik që garanton mbrojtjen, dinjitetit të individit, i vendit që mbron lirinë fetare dhe pronën në mënyrën më të thellë, i vendit që kufizimin e pushtetit e ka në formën më të lartë, i vendit që mbrojtjen e të dobëtëve e ka në themel të politikës së jashtme, i vendit që llogaridhënien e qeverisë e ka zemrën e sistemit qeverisës, i vendit që ka bërë gjithçka që tirania të mos fitojë kurrë. Amerika është vendi i Linkolnit që tha se nuk e bën fuqia të drejtën, por e drejta sjell fuqinë, që tha se një qeveri e popullit, për popullin, nga populli nuk do të zhduket nga faqja e dheut. Amerika është vendi i Reaganit, që tha se liria nuk duhet marrë e mirëqenë, por duhet luftuar vazhdimisht. Amerika është vendi i Hamiltonit, Jeffersonit dhe Madisonit, që ideuan një sistem kushtetues në të cilin qeveria nuk është e Presidentit apo Kongresit, por e njerëzve etj. Amerika është vendi, që siç tha sekretari Blinkern dhjetorin e kaluar (pa e marrë ende detyrën), përdor fuqinë për të mbrojtur të dobëtin bash siç tanket aleate u përdorën për të shpëtuar njerëzit nga tirania naziste.
Do të ishte më të vërtetë e mjaftueshme që për hir të këtyre vlerave që mbron SHBA, të pranoheshin qytetarët afganë dhe kërkesa amerikane. Që kjo të bëhet, duhet të brendësosh këto vlera, t’i duash dhe të përpiqesh të vësh ato në jetë Rama. Rama është ndër modelet më antiamerikane në botë sot. Në Europë nuk bëhet fjalë të ketë të krahasuar. Rama përkufizohet nga politikani që bën gjithçka për të kontrolluar gjithçka, për të pasur në dorë të gjithë pushtetet, për të shkelur me këmbë gjyqësorin dhe opozitën, për t’u zënë frymën lirive të biznesit, për të blerë mediat, për t’u tallur me besimet fetare, për të qenë jo ai nën ligjin, por ligji nën të.
Pra, Rama nuk po i pranon afganët as për vlera të larta të humanitetit dhe as për respekt dhe brendësim të vlerave amerikane. Po i pranon afganët sepse na e kërkon Amerika, por Rama nuk e bën këtë si një akt dashurie ndaj vendit tonë, si një akt detyre dhe përgjegjësie ndaj vendit që i detyrohemi shumë. Edhe ky lloj pranimi është i moralshëm dhe i drejtë. Rama e bën këtë sepse kërkon ta përdorë mbështetjen amerikane dhe as që e mendon ndonjëherë Amerikën vendin pa përkrahjen e të cilit nuk shpresojmë dot të kemi një shoqëri të lirë. Rama nuk mund të dojë një shoqëri të lirë dhe as shpresën për të.
Kjo hipokrizi e Ramës ka vetëm një shpjegim. Ai sheh gjithçka si mjet të forcimit të pushtetit të tij personal. Edhe vendimin dhe retorikën ai i ka në funksion të këtij interesi. Çështja është se Shqipëria nuk fiton kurrë asgjë kur ne bëjmë veprime të mira nisur nga qëllime të ulëta apo sillemi në mënyrë hipokrite. Afganët duhen pranuar për arsyen e vërtetë që ne po i pranojmë dhe nuk ka nevojë për budallallëqe. Nuk ka nevojë të gënjehen as të huajt dhe as shqiptarët. Përdorimi politik i çështjeve të tilla nuk ka asnjë dobi përkundrazi. Ka pasur zëra, që e shohin politikën si një skenë neutrale ndaj moralit, që thonë se le të përfitojë edhe Rama politikisht përderisa përfiton Shqipëria. Nuk është kështu. Veprimi nga një qeveritar nuk bëhet që ai të përfitojë politikisht. Qeveria nuk është e tij dhe as vendimet e qeverisë nuk janë “të tijat”. Kur një qeveritar bën veprime për përfitim personal politik, edhe kur veprimi është i drejtë, ai ka bërë gabim të rëndë sepse më pas ky veprim do të japë efektin e tij të keq. Rama është modeli i papërsëritshëm që çdo veprim, sidomos në lidhje me çështjen kombëtare apo politikën e jashtme, e sheh vetëm për përfitim personal ose, thënë shkoqur, për të fuqizuar pushtetin dhe sundimin mbi popullin e vet.© Panorama.al