Incesti dhe pornografia, tregues i krizave familjare

    MIRANDA RIRA

    Ngjarja e ndodhur në Sheqishtë, Fier, ku një baba përdhunon vajzën e tij 12-vjeçare, pa dyshim ka tronditur opinionin publik. Zamir Meta, një baba monstër, u arrestua sepse ai akuzohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij. Një ngjarje e tillë është tronditëse, sepse rreket midis përdhunimit dhe incestit, për një fëmijë që ende luan me kukulla, një vajzë e vogël, vetëm 12 vjeç. Së pari, familja konceptohet nga shumica prej nesh si suaza më e sigurt, më e paqtë për një fëmijë dhe babai apo nëna konsiderohen si engjëjt mbrojtës nga e keqja, nga e panjohura, nga bota jashtë. Pakkush mund ta mendojë se familja apo marrëdhëniet familjare mund të kthehen në ambiente dhune dhe ferri, të abuzimit fizik dhe seksual.

    Abuzimi seksual i kryer ndërmjet anëtarëve të së njëjtës familje, ndërmjet personave qe kanë lidhje gjaku, njihet me emrin incest. Incesti është një praktikë e dënueshme në të gjithë kulturat dhe të gjitha shoqëritë. Incesti është tabu, prandaj shumë vende kanë sanksionuar me ligj se marrëdhëniet seksuale në gjini, me anëtarë që kanë lidhje gjaku, ndërmjet djalit-nënës, vëllait-motrës, babait-vajzës, gjyshit-mbesës etj., konsiderohen të dënueshme. Shumë studiues e kanë studiuar incestin duke marrë në konsideratë kushtet dhe situatën familjare në të cilën ka ndodhur një ngjarje e tillë. Duke parë incidencën e incestit, Bromberg dhe Rinehart e lidhin incestin me familje që kalojnë marrëdhënie të tensionuara, ku ka një luftë të vazhdueshme ndërmjet burrit dhe gruas, pra incesti është më shumë një pasojë e një situate të paqëndrueshme familjare, sesa një shkak i tyre. Të tjerë autorë e venë theksin te cilësitë morale që ka autori i incestit, te gjendja e tij psikiatrike (neuroza të ndryshme), te varësia e tij nga alkooli, bixhozi apo edhe varësia e tij nga pornografia.

    Alkoolizmi është trajtuar gjerësisht nga psikologët sociale si një nga faktorët kyç që lidhet drejtpërsëdrejti me marrëdhëniet seksuale me dhunë, pra më përdhunimin edhe brenda familjes, që mund të degjenerojë në incest. Ka edhe studiues të tjerë që e venë theksin te nëna, e cila ose mungon në familje, ose nuk e përmbush më rolin e saj si nënë dhe si bashkëshorte. Pornografia që në vitet ’80-të shikohej si një faktor nxitës në kryerjen e krimeve seksuale. Morgan dhe Russell, mendonin se nëse ka një element që shtyn njerëzit drejt krimeve seksuale, kjo ndodh sepse ata vetë janë konsumatorë të materialeve pornografike. Nëse kjo mund të konsiderohet e vërtetë për vitet ‘80, imagjinoni sot kur pornografia shitet e blihet kaq hapur, kur çdokush që ka një smartphone mund të ketë akses në të. Mbetet po aq i vërtetë pohimi i tyre se “pornografia është teoria, kurse akti seksual me dhunë si përdhunimi, apo edhe incesti (kryerja e marrëdhënieve me njerëz me lidhje gjaku), është praktika.

    Pra, agresori apo individi, manifeston ato sjellje seksuale që ai i sheh diku. Kuptohet që një pjesë të rëndësishme të shpjegimeve mbi incestin dhe përdhunimin e kanë ato psikiatrike, ku përveç analizës kulturore e familjare, agresorit i kryhen dhe një serë testimesh psikologjike për të parë nëse ai vuan nga çrregullime personaliteti, deluzione apo neuroza të caktuara. Shpesh është e vështirë të përcaktohet saktësisht prevalenca e abuzimeve seksuale të fëmijëve, sepse ato jo gjithmonë raportohen. Ekspertët bien dakord që numri i tyre është shumë më i lartë sesa numri i rasteve që iu raportohen autoriteteve. Sipas “Qendrës për krimet seksuale kundër fëmijëve”.

    -1 në 5 vajza dhe 1 në 20 djem janë viktima të abuzimit seksual, gjatë fëmijërisë së tyre.

    -Fëmijët janë më vulnerabël dhe më shumë gjasa viktima të abuzimit seksual gjatë moshës 7-13 vjeç.

    -3 në 8 adoleshentë janë ngacmuar seksualisht nga dikush që ata njohin.

    -1,6 % e fëmijëve (16 fëmijë nga 1000) të moshës 12-17 vjeç kanë qenë viktima të përdhunimit apo abuzimit seksual.

    Gjithashtu, një fëmijë që është viktimë e abuzimit seksual në familje (incest), shpesh ka një vetëvlerësim shumë të ulët për veten e saj/tij, një ndjesi që ajo nuk vlen dhe një pikë pamje të çorientuar për seksualitetin e saj. Jo rrallëherë ajo shfaq edhe mendime suicidale. Të gjitha këto raste e të tjera që fatkeqësisht janë shumë, janë pasqyrim dhe manifestim i qartë i rritjes së nivelit të dhunës, dhunës në familje, dhunës në shkollë, dhunës në ambientet e tjera sociale etj.. Duket sikur kjo patologji sociale sillet vërdallë një rrethi vicioz dhe shpërthen në një moment të caktuar nga veriu në jug të vendit, nga zona rurale në ato urbane, nga familje të pasura te familje të varfra.

    Kjo shpjegohet me faktin se jo vetëm incesti, por edhe krimi në familje ndodh si në familje të varfra, ashtu edhe në familje që kanë një nivel mesatar ekonomik, se vrasje në familje ndodhin si në fshat ashtu edhe në qytet, se vrasjet në marrëdhëniet bashkëshortore janë evidente si në jug, ashtu edhe në veri të vendit tonë. Edhe media shpesh luan rolin negativ në mënyrën se si e pasqyron ngjarjen. Kjo qasje po i dehumanizon njerëzit dhe po i zhvesh ata nga ato vlera konvencionale, thelbësisht të rëndësishme për një shoqëri si kjo e jona, që ka një qasje të caktuar ndaj traditës dhe vlerave zakonore. Përse abuzojnë seksualisht njerëzit? Përse ka dhunë dhe vrasje edhe brenda mureve të shtëpisë? Rreth 120 vjet më parë, ithtari dhe akademiku i sociologjisë franceze, Emile Durkheimi, u mundua të shpjegojë vrasjet dhe vetëvrasjet e shoqërisë franceze, e cila kishte disa dekada që kishte dalë nga tranzicioni i zgjatur pas Revolucionit Francez.

    Ai mendonte se njerëzit kryejnë krime ose vrasin, qoftë edhe anëtarë të familjes së tyre, për shkak të gjendjes anomike. Anomia, ose gjendja anomike si një gjendje ku individi ndihet i juaj, i tjetërsuar, i shkëputur nga realiteti social që e rrethon atë, bën që ky i fundit të reagojë në mënyrë kriminale ndaj realitetit social. Këtë konditë psikologjike dhe sociale nga e cila mundohet të dalë, ai e manifeston ose duke dhunuar të tjerët dhe kështu ai kryen vrasje, ose duke vepruar mbi veten duke kryer vetëvrasje. Durkheimi argumentonte se ndryshimet e shpejta sociale prodhojnë kushtet anomike, të cilat për pasojë çojnë në rritjen e sjelljes kriminale apo asaj devijante. Ajo që vihet re në shoqërinë tonë është ndikimi i kësaj anomie jo vetëm tek individët, por edhe tek institucionet, pra mund të flasim për një anomi institucionale, kur familja si qeliza e shoqërisë është në krizë, kur shkollat dhe sistemi arsimor në krizë, kur feja dhe roli i saj në edukimin e njerëzve e ka humbur rëndësinë e vet, kur gjykatat dhe sistemi i drejtësisë dështojnë në vendndodhjen e kësaj të fundit e kështu me radhë.

    Ky është rrethi vicioz brenda të cilit njerëzit ndihen të tëhuajësuar, të humbur, të pamundur për të përmbushur qëllimet e tyre që ata kanë në jetë. Njerëzit me probleme sociale, psh. të varfrit, e ndiejnë edhe më shumë presionin psikologjik të kësaj gjendjeje, kur ata përjetojnë mungesës e kushteve ekonomike. Polanji, një sociolog hungarez, flet gjithashtu për ekzistencën e një ethosi anomik në natyrën e ekonomisë së tregut, i cili shfaqet në marrëdhënien ndërmjet institucioneve ekonomike dhe atyre joekonomike, si psh. familja, edukimi, feja etj.. Kur kjo ekonomi tregu është e ashpër, e pabarabartë, sepse një pjesë të popullsisë e pasuron dhe pjesën tjetër e varfëron, atëherë ajo prish, çorienton, shthur funksionimin e institucioneve të tjera sociale. Njerëzit janë gjithnjë e më tepër në luftë me njëri-tjetrin për më shumë burime, më shumë të ardhura. Duket sikur familja po përjeton kriza të mëdha, kulturore, ekonomike dhe ekzistenciale.

    Një baba i shtatë fëmijëve, që ishte edhe burimi kryesor i të ardhurave në familje, një nënë e 7 fëmijëve që thotë se përdhunimi ka ndodhur qysh kur vajza ishte 5 vjeç. Po nëna, pse ka heshtur? Cili është në fakt roli i nënës, nëse babai jo vetëm humb detyrën e tij prindërore, por kryen një përdhunim, një incest në familje? Shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, por ajo që flitet më shumë sot është se nëse incesti ka ndodhur, a duhet të ekzistojë dënimi me vdekje? Shumë njerëz mendojnë se po. Shumë të tjerë janë skeptikë. Deri atëherë, le të bëjmë detyrën tonë si prindër, duke bërë prindërimin ashtu siç duhet, ku roli i nënës është i pazëvendësueshëm./Gazeta Panorama 

    Lajmi Paraprak

    Valë e re e të nxehtit në RMV / Temperaturat pritet të shkojnë në mbi 40 gradë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë