BESNIK DIZDARI
Argumentin e këtij shkri mi ma nxiti pragfillimi i stinës së re sportive, kryesisht të futbollit kombëtar e ndërkombëtar. Dhe po e filloj me poezi, që merret me mend se nuk më përket assesi mua. Tek është:
“A din pse, mor’ t’ungjatët jeta,
S’t’bâhet me lexue gazeta?
Pse m’gazeta, njitash vonë,
– Sidomos n’ket vendin t’onë
– Asht tuj shkrue ç’do matrahul,
Ç’do surrat-qerep krye-tul:
Nierz rrugaça e krejt batalla,
Me dy faqe porsi msalla,
Qi dbue jashtë prej shkollës fillore,
Bânë kinse me kapë punë dore…”.
Këtë e ka shkruar At Gjergj Fishta te “Gomari i Babatasit”, botuar më 1923, pra, thuajse 100 vjet më parë. Vazhdon edhe më gjatë kjo kryevepër e poezisë satirike, madje e pamfletit polemik përmes poezisë. E unë për fillim u ndala deri në kaq. Kështu paska qenë puna e zhvillimit të gazetarisë shqiptare më 1923. Nuk mund të them se e tillë është edhe sot mbas 100 vjetëve. Por që mund të kemi sadopak edhe sot një gazetari e gazetarë si më 1923, për këtë më vjen mirë që shkoj te Fishta…
Dhe më hyn po mirë e bukur në temën e sotme që titullova: “Jo ‘gazetar sportiv’, por gazetar”. Kësisoj, ngaqë disave u është mbush mendja se gazetari sportiv është diçka tjetër nga gazetari. Ndërkohë që absolutisht është e njëjta gjë. Që do të thotë se për të qenë gazetar sportiv, më parë duhet të jesh gazetar në tanësi. Dihet, ndryshon vetëm fusha e dukurisë, llojit, sferës apo përmbajtjes që t’i pasqyron, që në këtë rast është sporti.
Kam lexuar këto ditë rreth një fakti interesant që ka të bëjë me telekronistin e famshëm italian, Bruno Pizzul, i cili paka hy si telekronist në RAI pa qenë asnjëherë gazetar. Pra, pa punuar asnjë ditë në një gazetë dhe pa u marrë kurrë me gazetarinë e mirëfilltë. Siç shkruan i mirënjohuri Salvatore Biazzo: “Bruno Pizzul u bë radiokronist para se të bëhej gazetar. Kur dihet se, në fund të fundit, është e domosdoshme të jesh gazetar për t’u bërë një komentues i mirë ose i madh dhe se për këtë është e domosdoshme t’ia nisësh me formimin profesional që ta siguron një redaksi…”.
Shumëkush, rastin e tij e quan të vetëm, madje në thellim të trajtesës në fjalë, e quan një mangësi profesionale. Kështu, sepse në fund të fundit, si gazetaria e folur, po ashtu edhe ajo e shkruar, nisin, më saktë, jetësohen, në mjedisin e një redaksie gazete, radioje apo televizioni. Vetëm kjo jetë e redaksisë t’i mëson të gjithë sekretet e profesionit.
E megjithatë, Bruno Pizzul u bë “trashëgimtari natyral i Nicolo Carosio-s e Nando Martellini-t”, siç përcakton kritiku i këtyre punëve, duke e radhitur pranë dy të mëdhenjve të mësipërm. Nuk di nëse ne i kemi gjetur apo jo, “trashëgimtarët tonë natyral” të Anton Mazrrekut e Ismet Bellovës. Pa harruar ata të Veli Radës e Skifter Këlliçit, Vladimir Grillos e Aleko Gjergos, Frederik Ficos e Ymer Striniqit. Dhe jo vetëm këta…
Bruno Pizzul ia arriti t’i kalonte të gjitha pengesat. E, duke pasë qenë, përveç të tjerave, edhe futbollist, megjithatë, më e rëndësishme se kjo, ishte fakti se ai ishte diplomuar në letërsi e drejtësi. As me “shkollë nate” dhe as me “korrespondencë” e diploma të fituara brenda disa çastesh, pa ditur kurrë se çka është auditori, siç po ngjet keqas në Shqipërinë tonë, teksa flakërijnë në “curriculum vitae” pseudodiploma asisoji.
Mbi të gjitha, falë modestisë, këmbënguljes së tij për të mësuar prej të tjerëve, falë pasionit e përballimit të mundimit që kërkon ky profesion. Pa harruar ndërkaq, se në këtë profesion Bruno Pizzul nuk kishte hyrë përmes ndonjë miqësie, por duke iu nënshtruar konkursit të rreptë. E, në gazetarinë shqiptare konkurset nuk ekzistojnë!
Duke këmbëngulur në temën tonë, po shtoj, siç e kam treguar edhe një herë tjetër, rastin kur rreth nja 35 gazetarë italianë erdhën në Shqipëri më 1984 me “Shpresën” e Italisë. Ndodhi krejt papritmas që një gazetar i moshuar i gazetës së madhe “Il Tempo” të Romës, na kërkoi që t’i organizonim një takim me Enver Hoxhën, për një intervistë. Ne shtangëm ndërkaq, për këtë kërkesë “utopike” në Shqipërinë komuniste, dhe me nxitim iu kundërpërgjigjem: “Po ju, a nuk jeni gazetar sportiv?”. Kolegu me vështrim disi të rreptë u kundërpërgjigj: “Para se me qenë gazetar sportiv, unë jam gazetar, pavarësisht se sot për sot bëj gazetarin sportiv”. Ne ulëm kryet.
E vërteta është se sot në Shqipëri gazetari sportiv është një problem. Sa pozitiv, aq edhe jo i tillë. Shpeshherë, sidomos në gazetarinë e folur, ne ndeshemi me një lloj ushtrimi të profesionit që të duket sikur nuk ka të bëjë me gazetarinë.
Ndërkaq, këto kohë ka ndodhë një ngjarje disi befasuese që ka të bëjë edhe me gazetarinë. Një televizion që prej vitesh ka pas të drejtën e transmetimit të Kampionatit të Italisë – që dihet se është më i ndjekuri në Shqipëri – e ka humbë këtë të drejtë, të rrëmbyer prej një televizioni tjetër. Nga ana e gazetarisë, kjo befasi shton një kërshëri për të mësuar nëse te televizioni tjetër, kjo sipërmarrje do të sjellë përsëri transmetimin e një “talk show” si tek i mëparshmi, apo diçka tjetër, të një risie. Një “talk show” më për së mbari pra, që të mos ta shndërrojë studion në një tifozëri të tipit shqiptar, artificialisht si të ishte e detyruar t’i qante hallet futbollit të Italisë. Çka krijonte një gazetari jo pak shqetësuese në jonatyrshmërinë e saj. Madje, në dëm të zhvillimeve të gazetarisë shqiptare. Nuk dimë ende mirë nëse edhe televizioni që e ka fituar të drejtën e transmetimit të Serie A të Italisë, do të vazhdojë, pra, po me këtë skemë të një “talk show” kushtuar po ashtu, Kampionatit të Italisë, që nuk është i Shqipërisë. Ndërsa ne qëndrojmë duke dëshiruar apo ëndërruar risinë që transmeton ndeshjen e mandej “natën e mirë”! Kjo, ngaqë merret me mend se nuk ka fort vlerë të flasësh dy orë për këtë apo atë ndeshje të një shteti tjetër, duke ia marrë mendtë sidomos rinisë, dhe duke e larguar atë nga punë e vlera të tjera më të rëndësishme. Kur dihet se këto vite kjo mbidozë e futbollit “televiziv” ka qenë si një lloj shpëlarje truri “sui generis”.
Kësisoj, edhe për të mos mbërritur në atë që një mësues i një kulture të plotë, po nga Italia, Marco Galice, krijoi një tronditje në vendin e tij me traktatin e tij kritik televiziv “Unë ju akuzoj”. Ku përveç të tjerave, thotë se “keni shpërthyer keqedukimin, padijen, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve dhe njohjes shoqërore; sepse programet tuaja kanë pëlqimin e provincialëve, të paditurve dhe të paedukuarve, duke dhuruar famë, çka iu ka shndërruar në modele për të imituar personazhe që nuk kanë vlera, që nuk kanë kulturë, që nuk kanë asnjë thellësi morale”.
Sidoqoftë, them se, ajo çka ngjet ndër ne, ka të bëjë me dukurinë se ne padashur kemi ngritur lart “gazetarin sportiv” të llojit shqiptar dhe kemi ulë poshtë gazetarin e një universalizmi të këtij profesioni. Ose kemi pranuar telekronistë pa qenë gazetarë. Merret me mend që jo si të rastit të Bruno Pizzul. Çka na bën që shpesh t’ia ulim zërin televizionit, sidomos kur shënohet një gol – çast kur telekronisti shqiptar thërret në oktavë të çmendur dhe të pambarim të një britme që duket se nuk ndalon kurrë. A thua se shqiptarët këtë gol të tjetërkujt kanë pritur. Dhe interesant, vërtet! Kur shënohen gola shqiptarë, të kampionatit shqiptar pra, kjo britmë nuk ekziston. Çka do të thotë se ne kemi dy gjini golash. Më saktë të “gazetarisë sportive”: një për brenda vendit, tejet inferiore, dhe një për jashtë vendit, të klubeve të huaja tejet pompoze e të imituara shumë keq. Ndonëse në të vërtetë të dyja janë prodhim vendas. Kur ndërkohë, vetë kjo Itali për këto dukuri ka një dekalog për gazetarin sportiv me 10 rregulla, prej të cilit pa u zgjatur po citoj vetëm rregullin 1 që thotë:
“Gazetari sportiv raporton saktë, domethënë pa ndryshime dhe lëshime që mënjanojnë kuptimin e vërtetë dhe informacionin që ai ka përballë”.
Ndërsa ne që nuk kemi asnjë “dekalog”! E ju lutem, stilin “shqiptar” ta vëzhgoni vetë dhe besoj fort se do të më jepni të drejtë. Mos ua thoni autorëve se mërziten ngaqë nuk e durojnë kritikën. Kujtojnë se duam apo doni t’ua zini vendin. Ndonëse iu takon të të falënderojnë e të luftojnë për t’u përmirësuar. Harrojnë se “padroni” i vërtetë nuk është as pronari i tyre, e aq më pak ata vetë, por thjesht teleshikuesi apo lexuesi.
Kështu pra. Jo “gazetar sportiv”, po gazetar! Sepse po të jesh gazetar nuk e ke aspak të vështirë që të jesh edhe gazetar sportiv.
Kur në Shqipëri u lejua transmetimi i ndeshjeve të huaja, u patëm gëzuar tejet. Për fat, tash mbas kaq vitesh, them se nuk ka vend për t’u gëzuar aq fort. Hapini ekranet e televizioneve sportive apo atyre që transmetojnë sport (në të vërtetë kryesisht vetëm futboll). Do të përjetoni një propagandë apo publicitet ushtues të pandalshëm. Është një ushtim që vetvetiu të duket se e fton rininë shqiptare të braktisë sportin kombëtar, në tanësi. Po desht dikush, atëherë “bujrum”, siç thotë turku, e le të diskutojmë. E për këtë po jap shembullin më të freskët.
Përfunduan Lojërat Olimpike. Shqipëria, me përjashtim të një vendi të katërt, asnjë medalje, duke vazhduar të jetë shteti i vetëm i Europës së vjetër që deri më sot nuk ka fituar asnjë madje. Kur medalje morën edhe Botsvana, Moldavia, Namibia, Bahrein, San Marino, Mongolia, Bermudet, Fixhi, Maqedonia e Veriut… Doemos duke veçuar shembullin për studim të dy medaljeve të arta të Kosovës “sonë”!…
Tash më thoni: a keni pa e ndjekur ndokund ndonjë “talk show” të vetëm për paraqitjen tonë në Olimpiadë, prej ku do të duhej të lindte një mendim i ri për zhvillimet e sportit në Shqipëri? A keni lexuar, me vetëm ndonjë përjashtim të rrallë, të shfaqet një shënim mirëfilli analitiko-kritik për këtë përfaqësim tejet problematik, madje në shumanshmëri? Jo vetëm prej gazetarisë, por edhe prej zyrtarëve të KOKSH, të federatave sportive, të forumeve të zgjedhura të sporteve?
E edhe më tepër prej punonjësve të ministrisë përkatëse, disa prej të cilëve duket se “çojnë jetë” me heshtjen e tyre. Ndoshta ngaqë edhe nuk dinë apo që nuk i zotërojnë përmes kulturës së vërtetë sportive, tema të tilla të forta. Përveç të tjerave, edhe ngaqë nuk ua mban. Servilizmi proqeveritar, natyrisht! Edhe ky i tipit të ri. Nuk ngjasojnë assesi as me ata të dikurshmit, pra, as me ata të regjimit komunist, të cilët e kishin detyrë partie për të trajtuar në shtyp problematikën e sektorit që mbulonin në ministri. Po këta të sotmit çfarë sektori mbulojnë, vallë? Me sa duket, sektorin e interesit vetjak.
M’u kujtuan tre profesorë të mëdhenj të ministrisë përkatëse të kohës së Mbretërisë: Luigj Shala, Gaqo Gogo e Anton Mazrreku. Ndiheshin e ishin edhe gazetarë. Nuk reshtnin javë pa trajtuar problemet aktuale të asokohe që lindnin prej detyrave ministrore, për të cilat ishin caktuar e për të cilat paguheshin. Çështje ndërgjegjeje, natyrisht! Kur u kthye nga Lojërat Olimpike të Berlinit 1936, ndonëse Shqipëria nuk merrte pjesë, sidomos Anton Mazrreku me shkrime të pandalshme nuk i kurseu deri analizat kritike. Çuditërisht, pa u frikësuar aspak nga Mbreti! Me në krye shkrimin e famshëm të tij “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit t’onë n’Olympiadën e Berlinit”. Vlen fort edhe për sot.
Ndërkohë, në Shqipërinë e sotme, në mënjanim të problematikës së mprehtë olimpike, për më shumë se një javë rresht televizionet ushtuan për largimin e Lionel Messi-t nga Barcelona. Në Republikën e Shqipërisë kjo qenka! Edhe kjo një mbidozë më vete që nuk ka të bëjë aspak me gazetarinë e trajtesave të problemeve të kombit tënd. Ose ka të bëjë me te vetëm mbasi ke mbaruar punë me problemet e sportit tënd, në këtë rast me dështimin tënd olimpik.
E pra, kush e ka fajin? Unë për vete e kam gjet. Dhe ju siguroj se jo vetëm unë, por edhe shumë e shumë të tjerë “padronë” publikë, që dihet se janë teleshikuesit, radiodëgjuesit apo lexuesit. Në këtë rast, kryefajtori është gazetaria. “Gazetaria sportive” që kërkon të sundojë gazetarinë, për fat pa ia arritur. Mû, për këtë pra: “Jo ‘gazetar sportiv’, por gazetar”.
Dhe tash “kapaku i florinit”, teksa po e mbyll me këto vargje të mëtejshme të At Fishtës:
“… Për me shkrue zotni m’gazeta,
Duhet shkruesi t’jèt mâ parë,
Njeri i ndershem e atdhetar,
T’ jet fisnik zêmër-bujar, Jo intrigant e ngatrrestar,
Edhe kênë mos t’ketë afije.
Mandej duhet qi t’ketë dije
– Dije t’haptë n’ekonomì,
N’histori e në tregtì, N’politikë e në drejtsì;
Edhe t’diej shk’âsht shkolla e msimi.
Shka âsht lirija e gjytetnimi,
Të jèt shqyptar n’shkrim e n’gojë:
Fjala n’pendë mos t’i ngurrojë…”.
Është për gazetarinë e 100 vjetëve më parë. 1923! E pra? /Panorama/