Kaosi që vjen prej “pabarazisë arsimore”

    QEMAL ÇEJKU

    Shtatori erdhi dhe së shpejti fillon mësimi në sistemin parauniversitar.

    Dhe si prag fillimi, filloi dhe puna në Ministrinë e Arsimit (të paktën këtë na bën të kuptojmë faqja e ministres që bën reklamimin e punës së “bujshme” në fb).

    Ajo çfarë vihet re, duke shfletuar postimet e saj me dy fjalë përkthehet në “pabarazi arsimore”.

    “Pabarazia arsimore u referohet atyre marrëdhënieve dhe mekanizmave të pabarabartë, të padrejtë për shkak të të cilave disa fëmijë përfitojnë më pak nga sistemi arsimor sesa moshatarët e tyre”.

    Sikur ta kishte lexuar zj. Kushi këtë, nuk do të krijonte pabarazi sot, duke reklamuar tri shkolla në Shqipëri me laboratorë shkencorë dhe të gjitha të tjerat pa kushtet normale për një orë mësimi.

    Zonjë, më duhet t’ju kujtoj se ne sot problem kryesor kemi zonat rurale që po braktisen dhe po mbingarkohen zonat urbane. Ndërkohë ju reklamoni një shkollë me laboratorë, që fundja është një shkolle normale e funksionale. Ju diskriminoni hapur sistemin arsimor duke thelluar më shumë hendekun e pabarazisë që ka qenë prezent në kohën e pandemisë dhe ju nuk morët për bazë asnjë rekomandim të ekspertëve, të Bankës Botërore e UNICEF/UNESCO, për korrigjimin e problematikave të evidentuara. Për më tepër, me reklamime të tilla ju nxisni më tej braktisjen e zonave rurale.

    Me para borxh nga Bashkimi Europian keni ndërtuar shkolla moderne si hotele me 5 yje, por jo funksionale. Ka të tjera kushte primare një shkollë që të quhet funksionale.

    1. Ambient i ngrohtë në dimër dhe i freskët në verë;

    2. Kushte normale higjienike (ujë dhe dezinfektim);

    3. Ndriçim i mjaftueshëm nëpër klasa;

    4. Staf administrativ për mbarëvajtjen e shkollës;

    5. Ambient i sigurt për sendet personale për mësuesit/stafin /nxënësit, ku me rregullore të brendshme të mbahet dhe telefoni dhe të përmbushet dhe ligji i 2018 që akoma nuk zbatohet, por na trumbetohet si risi e këtij viti;

    6. Staf shëndetësor për problemet shëndetësore e të vaksinimit për nxënësit;

    7. Ambient relaksues dhe nën kujdesin e psikologut (jo vetëm për fëmijët me nevoja të veçanta, por dhe për mësuesit) ;

    8. Internet me fuqi të lartë kabllor apo me WiFi (se helbete nuk mund të përdoret hotspoti nga telefoni personal i mësuesit);

    9. Kabinete shkencore sipas lëndëve dhe fushave të studimit ;

    10. Ambient për mësues e stafin me kompjuterë dhe mundësi printimi (se të shkretët e lanë shtesën “bombastike” të rrogës në kancelari);

    11. Biblioteka funksionale dhe jo si ambiente reklamash;

    12. Ambiente të sigurta sportive;

    13. Ambiente trajnuese për mësuesit;

    Nëse do të ishte shkolla kështu, nuk besoj se do të mjaftonin paratë për të pasur abazhurë moderne apo kushte luksi në pamje, por që nuk i hyjnë në punë askujt në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies.

    Përmbysja e pabarazive arsimore është e rëndësishme jo vetëm për ndikimin e saj të dëmshëm në të ardhmen në shoqëri, por edhe për efektet e drejtpërdrejta dhe të menjëhershme te fëmijët. Përvoja e përjashtimit, diskriminimit dhe madje edhe përzgjedhjes mund t’i ekspozojë fëmijët ndaj stresit, depresionit, uljes së vetëbesimit, gjë që mund të prishë marrëdhëniet e tyre shoqërore dhe zhvillimin personal.

    Të gjitha këto duhet që të udhëheqin sistemin arsimor drej parimeve më të mira dhe për t’u shkëputur nga sistemi arsimor lindor, ku ka vetëm teori fasade dhe jo kreativitet. Por kur ata që na drejtojnë, janë kundra këtyre parimeve, atëherë do të kemi kaos. E gjithë shoqëria kërkon më të mirën e cila për fatin e keq është (ose të paktën kështu reklamohet me bujë) vetëm në qytetet e mëdha.

    Pabarazia më e madhe e arsimit vjen pasi qeveria shpërndan burimet sipas presionit politik. Nëse në zona me popullsi të madhe do të ketë më shumë investime, qeveria nxit popullsinë rurale në Shqipëri të braktisë zonën e saj.

    Nxënësit në familjet me të ardhura të ulëta kanë akses të kufizuar në teknologji dhe lidhje interneti. Kjo siç dihet ndodhi dhe gjatë kohës së pandemisë, pasi nuk arritën të lidhen me internet si nxënësit tjerë dhe sivjet në prag të hapjes së vitit shkollor bëhen të tilla propaganda. E parë me syrin e atyre që e vuajnë këtë lloj propagande, nxënësit e zonave rurale nuk duhet të kenë shkolla të reja, as drita dhe internet. Laboratorët janë në funksion të “pasanikëve” që të konkretizojnë mësimin. Rrugët nuk janë shtruara. Dhe e dini pse? Sepse atje ka pak votues, pra janë pa peshë për rezultatin e votimit.

    Pra, e nderuar zonjë e “arritjeve të mëdha”, propaganda juaj është: “Ca të nënës, ca të njerkës”.

    Për të mos folur pastaj për fonde a tendera që lëvrohen për të shkuar në drejtim të paditur, apo rënie drastike të numrit të nxënësve apo studentëve (këto të fundit zonja ministre i zgjidh me një takim me studentët ekselentë, se zëri i atyre që u ngritën nuk ishte mjaft i fortë).

    Nuk keni parë gjë akoma!!! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Korrupsioni i nacionalizmit paranojak

    Lajmi i rradhës

    Nxënësit e Idrizovës s’iu gëzuan vitit shkollor

    Lajme tjera

    Fronti i Dytë!

    ARTAN FUGA Radha e gjërave është e qartë dhe e pastër si qelibari! Nëse Kryeministri bashkohet me dy…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë