Kronika e fundit dhe marifetet e Babos

    AGRON GJEKMARKAJ

    Në ato të pakta ditë kur para nesh shfaqesh ti Babo, zakonisht vjen si “dulcis in fundis”, ndërsa sot si meze për rakinë ballë kazani të Kuvendit mbërrite. Nuk fjeta mirë se helbete rrëkëllyem ca gota të mërkurën dhe gjumi m’u dreqos natën e po më këndej në mëngjes dremitja. Kur telefoni nuk pushonte.

    Eja, eja, kolegët më shkruanin. Babo mes nesh, Babo mes nesh. Lërë ç’thonë e hiqen, i ndez prania jote. U nisa se malli bën të veten, pa pispillosje, vesha ç’gjeta e vrap në sallë. Askush nuk ishte i gëzuar. Buzëvarur si në vaki. Luli rrinte zymtë si vetë qameti megjithëse ti ia ushqeje muhabenë, e trajtoje si lider, edhe pse i dorëhequr. Ai jepte urdhra si dikur motit.

    Termi “Lulokraci” e ka mërzitur kur duhej ta gëzonte si simbol i një mendimi politik të pakrahasim, për të cilin kam luftuar si luan në qindra beteja, si Zhukovi me emrin e Stalinit në gojë. Aq ia kishte prishur humorin llafi, sa gati iu grisen pantallonat duke kaluar ngjit me karrigen time që e shtynte pa më thënë, “të lutem Lëviz”.

    E kam dashur të uruarin e prapë me respekt e shoh, më ka pasur si evlat gati sa nuk e thërrisja Daja Lul, s’e di pse m’u adhnua kësisoj. Bernard Banushi syakulli me dy pisqolla sermi në brez po më kërkon ngado që të lëshojë anatemën si rrufe në diell. S’më rri goja e po më shtohen armiqtë. Goja llap e shpina dap.

    Fatja me Mimi di Puccini çuçurisnin në kafene po kaq të kreshpëruar ma hedhin shikimin, të cilin ua trazoj. Si ufutha në sy u dukem teksa ata përpiqen ta bëjnë Shqipërinë zonjë me elokuencën e pambarim, fuqinë e mendimit dhe eksperiencën e pafund, pa të cilat do ishim të verbër. “Ej, dëgjo vëllain”, këshillonte Mimia.

    “Se unë sillja miqtë e mi nga Amerika”, thoshte Fatja që dje u përkrah edhe nga ti vetë Babo. Babo dje në livadhet e banalitetit i lëshove llafet si gardalinat nga kafazi “Foltore”, “Gojore”, “Foltore”, “Nënfoltore”, këtë fundit ta quaje se paku “opozita properëndimore” siç bën Tao, i cili na motivon e pasdite të citoi.

    Kushedi i ke menduar gjithë natën dhe me zor ke pritur agimin që t’i gjuash në mes të mexhlisit. Pastaj me “organet” luajte qamet Babo, herë si patriot i ndezur e herë si pacient i Frojdit që nuk gjeje derman.

    Po ti, Babo, e mban veten namuzqar e telbizqar të madh, xhentil me gratë, i drejtë me burrat, i dashur me pleqtë dhe i ëmbël me fëmijët. Po këta të opozitës nuk janë shqiptarë që i shan e fyen si të ishin hasëm?! U zbehe Babo kur t’u afrua Doktori pas mynxyrave që ti i jep paradhënie si të jesh dorasi. Të shihje ministrushet dhe ministrushët e tu –t’i prisje në njëqind vende, nuk u dilte një pikë gjak.

    Po ju ikte toka nën këmbë, po i zinte qielli nga frika mos të gjuan me dacka Berisha dhe ç’të mbetet pastaj?! Mendo si do çirrte faqet tezja dhe gjaku i saj curril mbi kostumin tënd altar i rilindjes? Po trishtimin e Elisës e përballoje dot nëse Skënderbeu i saj do rrihej paq si mushku në zabel? Po të qarët e Tigrushit në vesh? Po dihamat e Borës, “rrahën Babon, rrahën Babon”, vajet e Ikonomit në sy, “na rrahën markën”?

    Po tufanin e Çuçit që do ndukte mjekrën po të ndodhte teksa qiste alltinë nga brezi? Po trokun e Nikos që nga larg do kthehej si Ago Ymeri të rrethonte Parlamentin me ushtri e taborë e hi të na bënte të gjithëve? A në mos të na sjellë nga Saranda majmunin patriot “bald uakari” e të na hiqte ca pëllëmbë siç bëri me turistin grek dhe punonjësit e bashkisë. Unë them ta mbash afër këto kohë të liga, Bald qerratanë.

    Po marazin e deshërve që ndërzimin online do ndërprisnin nga dhembja e Fridës? Vullneti i Zotit e ai nuk ta shëtiti dorën se kishte edhe hallet e veta që duket sikur i shtohen e shpëtuam nga kjo hata. E ti ç’bëje? “Gogo, gogo, ik”, luteshe, dhe pastaj sa u afrua garda nxore gjuhën dhe vure pëllëmbën mbi hundë po u bëre për kafe, ama se diçka të ra rëndë në mide. Kjo Grida sot i la në hije folësit e tjerë e drodhi dhenë qerratesha, të tha fjalë haku dhe e humbe fillin Babo.

    Të lanë në baltë “organet”, u squlle e ike nga sytë këmbët. Ndërsa ajo si Zhan d’Ark u kthye në vendin e saj duke marrë nga pas zili. Pastaj dita pa ty qe e topitur. U le veremin aty. Ulsiu ishte i heshtur. Mjekrën e kruante pa vëmendje dhe me ankth të dukshëm. Bela në zaman të asaj furie, mbathur me hënë e veshur me diell, me ngjyrat e BE-së andej nuk po e kthente kokën. Dhe tortura gjatë vazhdoi.

    Drama u bë tragjedi. Manastirliu u kishte hyrë në mes, e cila, pa e kuptuar ç’të zezë kombinonte, qeshte. E dija njeri të mirë, po m’u duk shpirtkazmë. Veç kur ajo iku, i miri Ulsi, frymë thellë mori e buzëqeshi. Në muzg Bela e përqafoi e mallëngjyer. Të jetë ndarje? Mos ti Babo do ndryshosh qeverinë dhe na heq katër ministrushët? Këtej poshtë 20 veta po presin për të vënë tuje mbi supe.

    Margeriti me zellin e Elvia Çelebiut shkruante kronikën e një ndarjeje të paralajmëruar, teksa Jorida, Gon Shehaj Tezja dhe Damo bëheshin fërtele. Etilda ishte pak e hequr nga rrugë e Amerikës se helbete ndryshimi i orarit të syrgjynos gjumin vetëm ty të duartrokiti me entuziazëm, të tjerët shkel e shko me kokën ulur si bletë punëtore mbi kapitujt e integrimit. Ish-Kryeministri Majko u ngrit si nga legjendat dhe pluhuri i kohëve të lashta i shkëlqente mbi mantel.

    Ua plasi të gjithëve në fytyrë kumtin, ku ishit ju, de more de, kur unë luftoja për Shqipëri?? Shalsi sot i gëzuar që nuk do bëjë kinse për disa javë mendonte kollotumbat në ujin e Jonit ndaj i buzëqeshte mbarë botes me pafajësi. Gaz Bardhi po u ikën detyrimeve për të na freskuar me “Red Bull”, duke kryer një akt vetëvrasës që e po nxjerr nga kronika dhe historia.

    Edhe Jorida, që s’ia kam kursyer fjalët e mira lumë, mjaltë e sherbet, vit pas viti me pa vëngër, me qortoi Babo, gati sa s’më tha intrigant, një karrige ishte vënë në mes si ndarëse. I premtova që do ta këpus gjuhën si të ishte një komçë në kapotën e ushtrisë e më s’ta prish hatërin që sytë më plaçin që të tutë kam mvrenjtur (të asaj). Ditë e zymtë qe në përgjithësi. Vetëm një diskutim dialektik, i strukturuar mbi parimet e politikës së madhe me Dash Sulën, zëvendësliderin Mulin, Luanin, Xhelën, Salianin, i cili ku ka sherr fut paqe, ku ka zjarr hedh ujë, dhe Isufin zotni burrë mbi të ardhmen e Partisë na bëri derman. Vetë Albana kaloi aty pari dhe na ngjatjetoi sipas hierarkisë e plot triumf.

    Mulin më me pathos. Sa mirë mendova të jesh nën hyqmin e Banes , ëndërr jete! Më ka marrë malli për ish-Kryetarin e ish-Komisionit të ishRithemelimit s’e shoh asgjëkund. I pata thënë teksa vononte të mohonte Bashën për doktorin, nuk ta fal vonesën i dyti. Por siç u nis nuk u bitis. Lindita shtroi një banket plot miradina, por racist në vetvete? Pa burrat.

    Po ne, pyetëm? Ju tha Kosta i Gramozit dhe Linditës i ulur pranë Taos ngrohuni në diell! Gratë nën hije lozin kuvendojnë pika që s’u bie se nga burrat rrojnë-hidhnin romuze e ngjyenin petulla në mjaltë e gishtat në bakllava që vetë kryetarja me ndihmën e Jonës dhe Dorit kishte gatuar. Babo, kjo është kronika e fundit me përjetime live nga salla. Në shtator do bëhem njeri serioz dhe i murrëtyer.

    Do sillem si eterit e tjerë të kombit. Na presin vendime të mëdha, mbase edhe të dhimbshme. Ndjesë kolegëve që kam mërzitur me kronikat e mia subjektive e frut fantazie edhe, por shumë monotone koha pa gaz është. Mendoni sa fjalë që nuk besohen dhe nga ne thënësit e tyre dalin nga tempulli i politikës.

    Disa plagë i shëron më mirë e qeshura sado e sforcuar qoftë ose përpjekja për të se jo gjithmonë shkrep. Humori mbase jo gjithmonë i arrirë e bën një mundim të na mbajë të lidhur me tokën e të mos fluturojmë si Balona pa bisht. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kriza në grupin e deputetëve të PD-së dhe presioni i bazës

    Lajmi i rradhës

    Plazhet e Strugës dhe Ohrit, pa shpëtimtarë

    Lajme tjera

    Zgjim dhe shpresë

    LEONIDHA MËRTIRI Gjermania, ky shtet i fuqishëm i Bashkimit Europian, sikurse vërehet edhe gjatë kësaj periudhe, kërkon të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë