Kur nji shtet nderon nji të dënuem për gjenocid

    FILIP GURAZIU

    -Rasti Ratko Mladiç dhe prova morale e Europës përballë glorifikimit të krimeve –

    Ka çaste kur historia nuk na lejon me heshtë. Ka vendime politike që nuk mund të trajtohen thjesht si çeshtje protokolli, ceremoniali apo “respekti për të dekunin”. Nji prej tyne asht vendimi i autoriteteve serbe me i dhanë Ratko Mladiçit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, nderime shtetnore e ushtarake në ceremoninë e varrimit. Ratko Mladiç vdiq më 27 gusht 2026 në Hagë, ndërsa ishte tue vuejtë dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënue nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat edhe përgjegjësia për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë ma shumë se 8.000 boshnjakë. (Reuters)

    Prandej, pyetja që shtrohet sot nuk asht nëse familja e tij ka të drejtë me e varrosë e me e vajtue. Sigurisht që po. Çeshtja asht krejt tjetër: a ka të drejtë nji shtet me e shndërrue varrimin e nji personi të dënuem për gjenocid në nji akt nderimi shtetnor? Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, ka deklarue se Mladiç do të varroset “me të gjitha nderimet shtetnore e ushtarake” dhe se do të respektohen protokollet për gjeneralët. Ky deklarim ka shkaktue reagime të forta. (European Ëestern Balkans) Këtu qëndron thelbi i problemit. Nji varrim familjar asht nji e drejtë njerëzore. Nji ceremoni shtetnore asht nji akt politik.

    Kur shteti vendos flamurin, ceremoninë ushtarake dhe protokollin zyrtar mbi arkivolin e nji njeriu të dënuem për gjenocid, ai nuk asht ma thjesht tue nderue nji të dekun. Ai po përcjellë nji mesazh për shoqninë e vet dhe për botën: po përcakton se si duhet me u kujtue ai person. Dhe pikërisht këtë e ka vu në dukje edhe Komisioni Europian. Sipas qëndrimit të përcjellë së fundmi, glorifikimi i personave të dënuem për krime lufte asht në kundërshtim me vlerat themelore europiane dhe nuk ka vend as në shtetet anëtare, as në vendet kandidate për anëtarësim. (Vreme) Ky qëndrim asht jashtëzakonisht i randësishëm.

    Serbia aspiron me u ba pjesë e Bashkimit Europian. Por Europa nuk asht vetëm nji treg i përbashkët, fonde, investime apo marrëveshje ekonomike. Europa asht edhe nji bashkësi vlerash: demokraci, të drejta të njeriut, drejtësi, respekt për viktimat dhe refuzim i glorifikimit të krimeve të luftës. Prandej, rasti Mladiç asht nji provë për vetë Europën. Shtypi europian e ka kuptue qartë këtë dimension. The Times e ka cilësue vendimin për nderimet e propozueme për Mladiçin si nji “outrage”, nji skandal moral, tue e lidhë këtë veprim me pretendimin e Serbisë për me iu afrue Bashkimit Europian. (The Times)

    Edhe raportimet ndërkombëtare kanë vu në dukje kontrastin tronditës: në Bosnjë, familjet e viktimave dhe të mbijetunit e Srebrenicës e kujtojnë Mladiçin si simbol të krimeve të kryeme kundër tyne, ndërsa në disa qarqe nacionaliste serbe ai vazhdon me u paraqitë si hero. (Arab Neës) Ky nuk asht thjesht nji problem i së kaluemes. Asht nji problem i së tashmes dhe i së ardhmes. Sepse mënyra se si nji shoqni e kujton nji kriminel tregon shumë për mënyrën se si ajo shoqni e kupton të vërtetën historike. Nëse viktima vendoset në harresë dhe krimineli ngrihet në piedestal, atëherë historia nuk po mësohet — po manipulohet.

    Srebrenica nuk asht nji opinion politik. Nuk asht nji interpretim subjektiv i historisë. Përgjegjësia e Mladiçit për gjenocidin dhe krimet e tjera asht përcaktue nga nji gjykatë ndërkombëtare. Dënimi i tij me burgim të përjetshëm u ba përfundimtar pas procesit gjyqësor dhe apelimit. Prandej asht e papranueshme që sot, dekada mbas luftërave të përgjakshme të ishJugosllavisë, nji person i dënuem për këto krime të rikthehet në hapësinën publike jo si përgjegjës i nji tragjedie, por si figurë për t’u nderue. Asht edhe ma shqetësuese kur kjo bahet në emën të shtetit. Shteti nuk duhet me qenë vendi ku rehabilitohen kriminelët e dënuem nga drejtësia ndërkombëtare.

    Shteti duhet me qenë garantuesi i së vërtetës dhe i kujtesës. Në këtë kuptim, reagimi europian nuk duhet me u kufizue vetëm në deklarata diplomatike. Nëse Europa e merr seriozisht parimin se krimet e luftës nuk mund të glorifikohen, atëherë ky parim duhet me pasë edhe pasoja politike. Nuk mund t’u kërkohet vendeve të Ballkanit me ndërtue nji të ardhme europiane, ndërkohë që kriminelët e luftës të së kaluemes paraqiten si heronj kombëtarë. Europa duhet me e dhanë përgjigjen e vet jo vetëm me fjalë, por edhe me qëndrime të qarta politike. Sepse respekti për viktimat nuk asht vetëm nji detyrim moral ndaj së kaluemes. Asht edhe nji kusht për paqen, pajtimin dhe të ardhmen europiane të Ballkanit. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Ekrani dhe fëmija që ende nuk di të flasë mirë

    Lajmi i rradhës

    Shkolla në Sellcë dhe ajo Tekstile ende larg përfundimit, nxënësit edhe këtë vit pa objektet e premtuara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë