Kur rrëshqitja shitet si ecje para

    PËLLUMB NAKO

    Në tërësinë e tij termi leksikor i “rrëshqitjes”, në raport me zhvillimin normal të një vendi, përdoret në kuptimin negativ të degradimit, kurse në zhargonin e politikës qeverisëse të vendit tonë dhe të vendeve të ngjashëm me të, jo rrallëherë ai tjetërsohet duke u trumbetuar si ecje para.

    Rëndom disfatat e njëpasnjëshme në administrimin normal të shtetit, transformohen në fitore. Dhe kur për një moment as veshja me zhurmë propagandistike nuk është e mundur, theksi vihet te fakti i pakufishëm që nënkuptohet në thënie të llojit se gjëra të tilla ndodhin në gjithë vendet e botës. Megjithatë, në fushën e luftës kundër krimit dhe trafiqeve, sidomos të drogës, po ndodhin fenomene, të cilat nuk kanë asgjë të ngjashme me funksionimin e institucioneve në vende normale të kësaj bote. Nëse do të përmblidhej në një analizë të vetme gjithçka që ka ndodhur në këtë fushë, pjesë-pjesë për një kohë të gjatë, do të konstatohej se fenomenet negative ndjekin njëri- tjetrën.

    I shkëputur, secili prej tyre zbukurohet dhe nuk të jep asnjë ide të asaj që ndodh, por kur i sheh të lidhur ndërmjet tyre në kohë, nuk është e vështirë të konstatohet rrëshqitja drejt të keqes më të madhe, drejt një vendi me institucione të falimentuara. Nuk bëhet fjalë këtu për falimentim financiar, por për asfiksi në mirëfunksionimin e tyre. Pavarësisht ekzagjerimeve të shumta dhe të pavenda, pavarësisht zellit tonë kombëtar për të zmadhuar përmasat e kriminalitetit me vulë shqiptare, në thelb rritja e tij në disa vende perëndimore tashmë është një fakt. Fakti i zhvillimit negativ të kriminalitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit mund të konstatohet edhe në mungesë të statistikave të Policisë apo të drejtësisë. Kjo, sepse të paktën deri tani nuk ka ndonjë analizë të tij në vendet e huaja, në mënyrë që të krijohet një ide të qartë rreth asaj që ndodh. Ndërkohë ka indikatorë të tërthortë të cilët mund të flasin me po aq saktësi sa statistikat. Mjafton të kthesh kokën pas në vitet e para të hapjes së vendit tonë dhe do të konstatosh mjaft fenomene që për fat të keq tregojnë përkeqësim.

    Kurse i shkëputur, secili më vete flet për sukses. Nëse shohim në retrospektivë, vihet re se institucionet e huaja të drejtësisë dhe të sigurisë të pranishme në vendin tonë, kanë kaluar nga një lloj bashkëpunimi në distancë (pra secili në vendin e vet) drejt një pranie të tyre gjithmonë e më të madhe në territorin shqiptar. Në vitet e para të hapjes së vendit, mjaft vende perëndimore e ndiqnin bashkëpunimin kundër krimit me vendin tonë nga ndonjë vend fqinj dhe jo në Tiranë. Më pas gjithçka filloi të spostohet. Vendet perëndimore drejt të cilëve u zhvendosën masivisht shqiptarët filluan të sjellin gjithmonë e më të shumtë në numër oficerë kontakti brenda territorit shqiptar, sidomos pas viteve 1997.

    Disa prej tyre madje kanë më shumë se një dhe me specializime të ndryshme. Ardhja e këtyre oficerëve është propaganduar rregullisht si sukses i institucioneve tona që punojnë ngushtë me partnerët. Por fakti është se prania e tyre gjithmonë e më e shumtë në Tiranë lidhet me problemet dhe shqetësimet e institucioneve të vendeve prej nga vijnë në raport me krimin me origjinë shqiptare dhe me tendencën e tyre për të ndjekur nga afër çështjet kriminale dhe garantuar ndjekjen e tyre nga autoritetet tona.

    Për hir të vërtetës, vetë rritja e lëvizjes së njerëzve në përgjithësi dhe e qytetarëve shqiptarë në veçanti, kërkon një përgjigje më të shpejtë të institucioneve ndaj fenomeneve kriminale, një bashkëpunim më nga afër, ndaj dhe një gjë e tillë duket normale. Por fakti mbetet. Kriminaliteti perëndimor në Shqipëri është në minimumet e tij që kur vendi ynë është hapur ndaj perëndimit dhe nuk ka pësuar ndonjë zhvillim shqetësues për institucionet tona edhe në ditët e sotme. Kurse kriminaliteti shqiptar në vendet e huaja është karakterizuar nga një qëndrueshmëri dhe rritëm i rregullt në hedhjen e rrënjëve në territoret e tyre.

    Kjo, sepse ky kriminalitet shqiptar ka një prapavijë pothuaj të sigurt në vendin tonë i cili u krijon atyre mundësi sidomos në pastrimin e parave, ndaj dhe vendosja në numër të madh i autoriteteve kompetente të huaja në territorin e vendit tonë rezulton si domosdoshmëri. Një situatë e tillë pasohet nga hapa të tjerë. Qeveritë shqiptare të të gjitha ngjyrave kanë nënshkruar marrëveshje ekstradimi që parashikon ekstradimin e shtetasve shqiptarë drejt katër vendeve perëndimore. Por këto marrëveshje kanë shërbyer më shumë për të bërë zap krimin shqiptar nga drejtësia e vendeve të huaja sesa krimin e tyre nga drejtësia jonë.

    E njëjta gjë edhe me operacionet e panumërta të përbashkëta ndërmjet organeve tona kompetente dhe atyre të huaja. Në pjesën dërrmuese, për të mos thënë të gjitha, këto operacione kanë pasur të bëjnë me arrestimin e shtetasve shqiptarë. Pra, strategjia e institucioneve të huaja është e qartë, ato kanë kërkuar sa më shumë akses në trajtimin direkt të çështjeve kriminale duke ruajtur gjithmonë drejtimin dhe duke i reduktuar autoritetet tona si ndihmëse në momente të caktuara në hetimet ndaj krimit shqiptar. Nga ana tjetër, duke bërë gjithmonë një retrospektivë, në territorin shqiptar për herë të parë u kap një sasi e madhe kokaine në vitin 2014. Kurse zyrtarë të DEAs amerikane me qendër në Athinë e vizituan policinë shqiptare fillimisht në vitin 1994. Më vonë kapja e kokainës nga ana e policisë sonë dhe e policive të huaja filloi të rritej në sasi të konsiderueshme, e vlerësuar në tonelata. E njëjta gjë edhe laboratorë të saj.

    Edhe aktualisht vazhdon kapja e shpërndarësve të kokainës brenda vendit. Kjo tregon se në territor ka ende gjendje kokainë. Ndërkohë, para disa ditëve njoftohet ardhja e ekspertëve të DEA-s në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Nuk ka nevojë për komente të gjera, por duket qartë që trendi i trafikut të kokainës dhe i pastrimit të parave rezulton se është përkeqësuar. Me mjaft të drejtë propaganda mund të ngrihet e të thotë plot ngjyra se ardhja e tyre këtu forcon bashkëpunimin, rrit efikasitetin e agjencive tona në luftën e përbashkët kundër krimit i cili dihet se nuk ka kufij dhe as kombësi ( fraza këto mjaft të preferuara të propagandës), por fakti që DEA i drejtohet direkt publikut shqiptar përbën një risi që më shumë tregon rrëshqitje të institucioneve tona.

    Si konkluzion kemi parë që në këto dekada në Tiranë të rritet gjithmonë e më shumë numri i punonjësve të huaj të sigurisë dhe propaganda thotë se ata kanë besim te organet tona kompetente. Më pas rritet numri i ministrave të brendshëm të vendeve perëndimore që vizitojnë Shqipërinë për shkak të shqetësimeve që kanë nga krimi shqiptar dhe ne themi se ata vijnë ngaqë duan të ngrenë lart e më lartë bashkëpunimin. Së fundmi vjen një organizëm i huaj i specializuar në luftë kundër kokainës që u drejtohet direkt bashkëpunimit të shqiptarëve dhe në mungesë të propagandës, është fakti vetë që flet . Dhe gjithçka ndodh në një kohë që numri i qytetarëve shqiptarë në territor sa vjen e bëhet më i vogël. Fenomene të tilla përbëjnë zhvillim apo rrëshqitje të institucioneve tona drejt një asfiksie të frikshme? /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ndotje masive në Tajlandë, mbi 200 mijë njerëz shtrohen në spital

    Lajmi i rradhës

    Mes ideales dhe së mundshmes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë