Lartmadhëria e tyre – të paprekshëmit!

    Mislim Zendeli

    Prf. Dr. Mislim Zendeli

    Të mësuar me budallallallëqet, trillet, huqet e keqpërdorimet, me këto paradokse nga më të ndryshmet, kohëve të fundit po shpërlahet truri jonë i thatë edhe me një çudi të re nga bota përrallore e Lizës. Bëhet fjalë për fenomenin e “trashëgimisë së të drejtave” jashtë ligjore nga brezi në brez.

    Pushtetarët si klasë e paprekur nga ligji tanimë paprekshmërinë e tyre e përcjellin te fëmijët e vet. Fëmijët e pushtetarëve po dëshmojnë dita ditës se janë keq të edukuar nga prindërit e tyre. Të tillët nuk janë ngopur nga benefitet dhe privilegjet e nduarnduarshme që u ofrojnë ofiqe nga sistemimi pa të drejtë e pa meritë nëpër vende të përzgjedhura pune , komode dhe me të ardhura marramendëse, përfitimeve të tjera në të gjitha segmentet shoqërore, ekonomike dhe politike.

    Kemi raste madje kur partitë politike janë të uzurpuara nga fëmijët e të parëve, trashëgohen postet sikur në kohën e mbretit, dhe kjo atyre nuk u mjafton! Të mësuar në këtë frymë të njejtët dalin mbi ligjin e thyejnë, e shkelin me nuk e bëjnë ‘hesap’ fare. Ndërkohë, në anën tjetër, prindërit e tyre na çanë kokën duke rrahur gjoks e duke trumpetuar për zbatim ligji e ligjshmërie. Por siç dihet botërisht ata zbatojnë ligjet sipas përrallës e meselesë së Nasradinit për lopën e Kadiut. Kjo vjen si pasojë e zdërgjahjes e të qenurit në pushtet me dekada, që i bën të paprekshëm ata madje dhe fëmijët, familjarët dhe shokët e sojit e sorollopit.

    Veprime jashtë ligjore në të mirë të fëmijëve të llastuar e lazdrana të klasës politike, kemi pothuajse në të gjitha institucionet dhe instancat shtetërore, madje dhe në prokurori të punësuarit e së cilës marrin paga nga paratë e taksapaguesëve ndërkohë që punojnë dhe veprojnë vetëm për llogari e hesape pise të vetvetes dhe të klikave të tyre.

    Poqese nisemi nga rrethi ku jetojmë dhe veprojmë, secili nga ne ka shembuj drastik të veprimit dhe të azdisjes së këtyre fëmijëve të mbiligjshëm fuqia e të cilëve buron nga postet e gjithpushtetshmëria e pridërve të tyre. Deri kur kështu? Mbase deri sa t’u lihet kjo mundësi e rrehati për zdërhallje, nga ne të tjerët që kemi, mbyllur sytë, kemi mshelur veshët, kemi futur kokën në zall, siç thuhet dhe shtiremi dergjur duke pritur që dikush të vijë nga jashtë të rregullojë “shtëpinë” tonë.

    Gjatë do pritet për këtë, poqë se nuk reagohet, tash e menjëherë! Le të gjenden mënyrat më të përshtatshme për t’i ndërruar gishtat e fyellit!

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit

    Lajmi Paraprak

    Të jesh apo të mos jesh?!

    Lajmi i rradhës

    Jo kronika të “viktimizimit” për personat me aftësi të kufizuara!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë