Leksione demokracie për shqiptarët, nga fqinjët e gjermanët…

    XHEVAT MUSTAFA

    Protestat e këtyre rreth 4 muajve, të dy muajve të fundit të vitit 2024 e të dy muajve të parë të vitit 2025, në Serbi dhe Malin e Zi, me pjesëmarrje më masive nga studentët e universiteteve, po shprehin se ku ka popull, opozitë, rini, qytetarë, sindikata, emancipim demokratik… ka edhe protesta. Ndërsa në Shqipëri, në të kundërtën apo për paradoks të pajustifikueshëm, ka “Big Brother”, Kuvende Rinore partiake, me fjalime si në ato të kohës së Enverit; zhvillohen koncerte muzikore, festa…!

    Natyrisht, pa mundur të mbulohen me gjethe fiqsh apo me degë kanabizi; me letra pikturash të përfunduara apo për kosh plehrash të kryeministrit, lakuriqësia e realitetit, varfëria masive e në revan të pandalshëm; rritja e çmendur e çmimeve, kolonat e shqiptarëve të moshave nga 20-50 vjeç që mbushin avionët për të ikur si emigrantë nëpër vendet kryesore të Evropës Perëndimore si dhe të afrikanëve dhe aziatikëve, që i zëvendësojnë…! Për më keq, edhe pse prej mbi 11 vitesh qeverisja u ka nxirë shumicës së shqiptarëve jetën dhe Shqipërinë dhe kryeministri u qan hallet popujve të tjerë, me paga e pensione 5-10 herë më të lartë! Mbetja e Shqipërisë prej mbi 10 vitesh në këtë gjendje apatie, kome, “gjumi dimri ariu apo gjarpërinjsh”, me nga një protestë mosbindjeje civile, më shumë të ngjashme me një manifestim, shpreh shumë e jep bollëk arsyesh për reflektim dhe shqetësim të fortë e të sinqertë! Protestat e popujve komshinj kanë edhe një vlerë tjetër. Mbase, më shumë se ato të mëhershmet qeveri-rrëzuese në Sri Lanka, Kazakistan, Bangladesh…, protestat në Serbi e Malin e Zi u kujtojnë shumicës së shqiptarëve se çfarë janë në gjendje të bëjnë ballkanasit, në mbrojtje të jetëve, interesave të tyre themelore, jetike, demokratike, qytetare e kombëtare.

    Me shpresë te Zoti në qiell, ndoshta “kujtohen” edhe se shqiptarët janë edhe ballkanas, edhe evropianë, me shumë gjasa apo siç na pëlqen të vetëmburremi, më të lashtët në gadishull! Paradoksi shqiptar bëhet më absurd kur dihet se Mali i Zi i ka në rreth 50% më të lartë se sa Shqipëria treguesit apo nivelet e pagave, pensioneve, mirëqenies! Por, po kaq më të ulëta edhe çmimet e shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm dhe jetik, të ilaçeve, higjienës, kozmetikës, karburanteve…! Rreth 2.000 km më larg e më nga veriu i Europës, nga Gjermania, vjen një leksion tjetër protestash dhe demokracie edhe për shqiptarët. Qindra mijëra njerëz demonstruan në të gjithë Gjermaninë kundër ekstremizmit të djathtë dhe pro diversitetit. Në shumë qytete u zhvilluan mitingje kundër ekstremizmit të djathtë dhe kundër bashkëpunimit me AfD më 8 shkurt. Në Mynih demonstrata u zhvilluan nën moton “Demokracia ka nevojë për ty”. Sipas informacioneve të policisë, shifra e protestuesve ishte rreth 250.000 veta, ndërsa sipas organizatorëve, më shumë se 300.000. Sipas mediave gjermane, organizatorët e nismës “Mynihu është shumëngjyrësh” thanë, se ata donin të dërgonin “një sinjal të fuqishëm për diversitetin, dinjitetin njerëzor, kohezionin dhe demokracinë” përpara zgjedhjeve parlamentare më 23 shkurt. Po ashtu, të dërgonin një paralajmërim, se “urrejtja, përjashtimi dhe grupet ekstremiste të krahut të djathtë, përgjithësisht sponsorizuar nga Vladimir Putini nëpërmjet Gazpromit, po bëhen një kërcënim për demokracinë”.

    Ndërsa protestat e opozitës në Shqipëri po ngjajnë më shumë me konkurse pa votim e juri, për oratori… dhe për fuqi zëri, “blozën” Rama-qeveri edhe më tepër, me fjalë, me e nxi…! Janë shumë larg edhe atyre të afërta në Serbi…! Domethënë, fare troç apo shqip: edhe ajo e dt.8 shkurt 2025 ishte një protestë më ngjashëm me një manifestim apo konkurs se cili apo cila flet më bukur e më zë më të lartë kundër “të shurdhërve” Edi Rama me shoqe e shokë! Për më tepër, ndërsa ata zgërdhihen dhe pinë “gju më gju”, “sup më sup”, “kokë më kokë”… verëra mbi 30 mijë euro një shishe 0.75 litra e plotë! Krejt pa dashur edhe “të kujtojnë” se shumicës së shqiptarëve të varfër, nga 1001 hallet e mbijetesës, u ziejnë apo avullojnë trutë në kokë…! Ashtu si në protestat e mëparshme në Tiranë, “protesta pa protestë”, ushtria dhjetëra mijëshe e protestuesve demokratë u shpërnda, duke pritur “gështenjat e ziera”, “pulat e pjekura”, “vargjet me palë fiku”, me sytë nga qielli e dielli, nga Uashingtoni, Brukseli… Surreli apo nga… Leskoviku…!

    Nga ky krahasim realitetesh e shifrash si dhe mungesash të shumta e të mëdha në Shqipërinë socialiste, bëhet edhe më i shpjegueshëm përse kryeministri Edi Rama del e flet nga 4-5 herë në çdo emision lajmesh si dikur Enveri në Shqipërinë komuniste! Apo, edhe më keq, edhe kur është në Kryeministri e në orë me zyrat plot me femra, del në korridor gati si e ka pjellë e ëma…!? Për të fituar mandatin e katërt, me çdo rrugë, mënyrë, faturë…, Edi Ramës i duhet të bëjë shumëçka ka të trashëguar nga Enveri e Ramizi dhe di truri i tij për t’i mashtruar edhe në zgjedhjet e reja sa më shumë shqiptarë, sidomos nga “populli i majtë” dhe në masën e “rinisë socialiste”, për nga mendësitë dhe veprimet, më “e mplakur” se veteranët e LANÇL. Për më tepër e më keq, që prej mbi 80 vitesh nuk e kanë fshehur dëshirën dhe gatishmërinë prej skllavi për t’u lumturuar nga premtime që lindin dhe vdesin në fjalime, thjesht për konsum elektoral, propagandistik, manipulues! Disa mund të kapen te fakti apo e vërteta se protestat në Serbi dhe Malin e Zi kanë si shkaqe apo nxitje tragjeditë e ndodhura, me shumë viktima njerëzore, në Novi Sad e Cetinë. Këtyre, në vend të përgjigjes së drejtpërdrejtë, do t’u drejtoja këto pyetje: Po pse pak njerëz janë vrarë e vriten në Shqipëri në këto vite dhe ditë për ditë? Po pse, Shqipëria, duke mbetur pa rini e shpresë, duke u vjedhur, falur e shitur me copa apo pjesë, si mall pa zot apo si pronë familjare, sidomos kryeministrore, a nuk po vritet përditë e jo nga një çikë…? Pra, arsye, shkaqe e motive për protesta popullore demokratike ka me bollëk edhe më Shqipëri! Por, ndryshe nga në Serbi e Malin e Zi dhe në plot vende të tjerë më herët, në Evropë dhe Azi, këtu në Shqipëri nuk ka popull, rini, pozitë, opozitë, sindikata, shoqëri civile, demokraci, drejtësi…! Të tjerë, disa fare hapur në mbrojtje të mbijetesës sa më të gjatë Rama-qeverisë, edhe pse i shkaktohen gjëma të reja edhe më të rënda shumicës së popullit dhe Shqipërisë e të tjerë, më me “diplomaci”, e justifikojnë gjumin e gjatë prej ariu apo gjarpri në Shqipëri duke gogolizuar mundësinë e zëvendësimit të Edi Ramës nga Sali Berisha.

    Pa kundërshtuar tani për tani apo sot për sot kategorikisht këtë mundësi si dhe pa menduar se Saliu i 11 majit 2025 do të jetë 100% njësoj me Berishën e 23 qershorit 2013, përsëri këtij kontingjenti paranojakësh antiberishianë, më shumë si të imponuar nga lart se sa nga bindjet e veta, mund t’u them se PD-ja e tij si dhe opozita, gjithsesi, si rrjedhojë e analizave, reflektimit shumëvjeçar, nxjerrjes së mësimeve, korrigjimeve të nevojshme në ekipe, strategji, programe, objektiva do t’i ofrojnë vendit dhe shumicës së shqiptarëve një qeveri shumë më shqiptare dhe shumë më njerëzore, shumë më të mirë, shumë më pak të korruptuar se qeveria Rama–Balluku, me shoqe e shokë! Për më tepër, doza e optimizmit për këtë mund të rritet edhe nga fakti se qeveria e re, e paszgjedhjeve të ardhshme, do të jetë e monitoruar vazhdimisht dhe me rigorozitet, domethënë jo vetëm për fërkim supesh dhe deklarata me lavdërime të pasinqerta, edhe nga ekipi i ri presidencial në SHBA!

    Nga sa po shprehet, duket e kuptohet qysh nga javët e para, presidenca Donald Trump and company ka strategji të re gjeopolitike jo vetëm për vendin e vet! Por edhe për Azinë dhe për Lindjen e Mesme, edhe për Rusinë dhe Kinën, edhe për Evropën dhe Ballkanin në përgjithësi, pa përjashtuar edhe Kosovën dhe Shqipërinë, me resurse të mëdha natyrore e për pjellori shqetësimesh serioze për veten dhe për aleatët e tyre në Bruksel dhe në Uashington./Gazeta Panorama 

    Lajmi Paraprak

    Shtuni: jemi në një fazë problematike të marrëdhënieve Kosovë-ShBA

    Lajmi i rradhës

    Hamza: nuk do të koalicionojmë me LVV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë