Lëkura e derrit

    Daut Dauti

    Në muajin dhjetor u rritën ethet e ‘civilkave’ që na kishin kapur në nëntor. Ushtarët gjatë ditëve të fundit të shërbimit nuk mendojnë për asgjë tjetër më shumë se sa për ‘civilkat’ (rrobat civile) që do t’i veshin me heqjen e përhershme të uniformës ushtarake. Ato ditë kjo ka qenë tema kryesore e bisedës në mesin tonë. Si do të dukemi pas një viti në këto rroba kur do të lëshoheshim nga ushtria?

    Jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët tjera sllave të Jugosllavisë përdorej fjala e njejtë ‘otpuštanje’ që dmth lëshim. Kjo i binte sikur që dikush na kishte zënë e tashti po na lëshonte. Shprehja është tërësisht adekuate për shkak se asnjë nga ne, pa marrë parasyshë nga ishim, nuk kishim shkuar aty me vullnetin tonë. Sidoqoftë, tashti që po lëshoheshim dëshironim të kishim rroba të bukura. Flakja e uniformës e kishte kuptimin e largimit definitiv nga komanda, kontrolli, disciplina dhe nga gjithçka e uniformuar.

    Nga tramvaji, që e merrnin para derës së kazermës, zbritnim në ‘Trg Republike’ që sot quhet ‘ Trg Bana Jelačića’. Nga aty shpërndaheshim në katër anë. Për mua atraktive ka qenë pjesa perëndimore, aty ku fillonte Ilica, një rrugë e cila edhe sot e mban të njejtin emër dhe ruan të njejtin reputacion dhe mburrje. Kah mesi i Ilicës, në të majtë, lëshohet një rrugë që zbret te Teatri Kombëtar Kroat që është një ndërtesë mahnitëse dhe e cila në heshtje sikur dëshiron të thot së ky vend nuk është Ballkan. Para se të mbërrini te ky teatër, shihen disa ndërtesa të Universitetit të Zagrebit dhe pas tyre, po në të njejtën rrugë, ka qenë një restorant ku unë shkoja për të ngrënë kur kisha para. Nëse jo, që ndodhte shpesh, endesha me tjerët nëpër ‘gostionicat’ e Ilicës ku ushtarët nuk ishin gjithmonë të mirëpritur.

    Në nëntor, kur nuk na kishte mbetur më shumë se një muaj që të lëshoheshim nga ushtria, filluam t’i vizitonim dyqanet e veshëmbathjeve. I pritnim paratë që do të na vinin nga shtëpia dhe gjatë kësaj kohe i shënonim këpucët dhe rrobat që do t’i blenim. Në një shtëpi të mallrave në Ilica, në katin e dytë, në një kënd ka pasur të ekspozuar lloj-lloj jakne të lëkurës. Rrobat qëndronin të varura me kujdes dhe shkëlqenin nga drita që iu binte për këtë qëllim. Aty shkonim shpesh dhe i provonim disa modele që na pëlqenin. Unë ia kisha vënë syrin njërës me katër xhepa jashtë dhe dy brenda e që kishte ngjyrë kafe. Ishte pak si e rëndë dhe kjo fliste për kualitetin. Brenda kishte një ostar të zi që ngërthehej me me vija të thyera që krijonin një disajn të bukur. Ishte tamam për shijen time dhe do ta bleja kur të më vinin paratë. Shitëset nuk bezditeshin shumë nga prezenca dhe provat tona pasi që e dinin se ne ishim blerës potencialë.

    Një ditë aty e takova Obradovićin, qatën e njësisë tonë, i cili ka qenë nga Beogradi. Edhe ai ia kishte vënë syrin të njejtës jakne. Rrobat aty kanë qenë të shtrenjta, por Obradovići nuk ballafaqohej me problemin e çmimit. Ai ishte djali i vetëm, jo vetëm në shtëpinë tij, por edhe në familjen e gjërë nga e ëma dhe babai kurse unë, kush e di i sati djalë në një familje.

    “Jebo te “ – tha kur e shikoi tiketën e jaknës që e paraqiste përbërjen apo llojin e lëkurës nga e cila ishte prodhuar jakna. Lëkura ishte e derrit dhe atij nuk i pëlqeu ky fakt, i cili ia prishi qefin. Unë nuk do ta bleja kurrësesi, por pse ai nuk do ta blinte pasi që e hante mishin e derrit? Nëse kësaj shtaze ia hanë mishin, pse të mos ia pëlqesh edhe lëkurën? Arsyetimi i tij ishte paksa i çuditshëm pasi që derrin e konsideronte shtazë me karakter të papranueshëm. Ishte më shumë shprehje e rrejshme e një snobisti beogradas. Kjo ndikoi që debati të zgjerohej. Një slloven ishte kundër çdo rrobave të prodhuara nga lëkura e shtazëve.

    Në atë kohë ky ka qenë mendim revolucionar dhe sapo kishte filluar të përhapej në Evropë. Sllovenët me ide dhe veprime gjithmonë kanë qenë para neve tjerëve. Ky mendim sot është shndërruar në veprim sa që aktivistët e kësaj lëvizje në qytetet e Evropës i sulmojnë njerëzit, sidomos gratë, që bartin peliçe (bunda) me lëkurë të shtazëve. Qëndrimet politike që ai i shprehte në ushtri kanë qenë të rrezikshme. Sikur unë të shprehja qëndrime të tilla, me siguri do të përfundoja në burg. Por, në ushtri (JNA) disa kanë qenë më të ‘barabartë’ se tjerët. Megjithatë, qëndrimi i ushtarit slloven në lidhje me lëkurat e shtazëve ishte hipokrizi pasi që edhe ai ishte mishngrënës. Në këtë rast nuk e çonte idenë deri në fund. Diskutimi nëse duhet apo jo të konsumojmë mish dhe të përdorim lëkurën e shtazëve, është i pakuptimtë. Sidomos në ushtri ku as dy hapa nuk mund t’i bëshë nëse nuk ha mish. Disa shtazë mund të përjashtohen, por jo të gjitha.

    Pa marrë parasyshë debatin që filloi për shkak të lëkurës së derrit, ne asnjë nuk blemë jakne të lëkurës. Unë, madje, as që bleva rroba të reja për shkak se në vend të parave m’i dërguan rrobat që i kisha lënë para se të shkoja në ushtri. Gjithë ato rroba dhe këpucë që i kisha shënuar në vitrinat e dyqaneve të Zagrebit. Ky ka qenë një dëshpërim i madh për mua, por që nuk zgjati më shumë se një ditë. Mezi i vesha rrobat të cilat tani më nuk më binin tamam pasi që nga ushtrimet isha zgjeruar në trup.

    Në atë kohë, gjëja kryesore ka qenë që nga ushtria të lëshohesh shëndosh e mirë. Pak punë ishin rrobat civile të lëkurës apo shtofit. Megjithatë, sado e hidhur, e thartë dhe e pakuptimtë që është ushtria, kurrë më nuk kam qenë më i shëndetshëm, më i fuqishëm dhe me mendje më të përqëndruar se sa gjatë shërbimit ushtarak. Është një përvojë që nuk fitohet askund tjetër. Njeriu, vetëm nga fakti që e vesh uniformën, ndjehet i fuqishëm. Rrobat e lëkurës apo ‘civilkat’ janë për ata që mungesën e fuqisë e mbulojnë me hijeshi.

    Lajmi Paraprak

    PSG e do me patjetër Gavin në skuadër

    Lajmi i rradhës

    Ivanovska: Zgjedhja e drejtorëve nuk duhet të ndikohet nga pazaret partiake

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë