Ridvan Azizi
Sociolog
Marrëveshja e Ohrit, që është pasojë e luftës çlirimtare, para se gjithash është fillimi i një ndryshimi ontologjik në raportin e shqiptarit me shtetin. Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga territoret e Maqedonisë deri në vitin 2002, shqiptarët ontologjikisht kanë patur raport antagonist, refuzues, armiqësor me shtetin, gjegjësisht pushtetet, duke filluar nga Mbretëria Sërbe te SKS-ja, nga Jugosllavia tek IRJM-ja. Te raporti i tillë me shtetin, veçanërisht pas ASNOM-it (1944), përveç aspektit historik e psikologjik, më shumë ka ndikuar fakti që në këtë periudhë (1945-2002) në shoqërinë maqedonase zhvillohen dy procese paralele: ai i ndërtimit të identitetit maqedonas dhe ai modernizimit të shoqërisë maqedonase.
Shqiptarët, në masë të madhe lihen jashtë procesit të modernizimit për shkak të frikës së maqedonasve për humbjen e shtetit, si mburoja e vetme e këtij identiteti në ndërtim. Frikë kjo që mbështetej në të dhëna demografike që tregonin për një shtim të madh të numrit të popullsisë shqiptare. Megjithatë, kjo humbje demografike e maqedonasve në raport me shqiptarët ishte pikërisht pasojë e privimit të shqiptarëve nga procesi i modernizimit.
Shqiptarë të braktisur dhe të margjinalizuar nga shteti zhvillojnë struktura alternative që përmbushin nevojat e tyre ekonomike e politike. Familja dhe fisi janë organizimet sociale që e përmbushin nevojën e shtetit, ndërsa bujqësia dhe kurbeti janë veprimtaritë kryesore të një lloj ekonomie e vetëmjaftueshme. Pra, me pak fjalë shqiptarët të injoruar nga shteti zhvillojnë një instinkt të organizimit shoqëror ashtetar. Pas një kohe, veçanërisht edhe me ndikimet e kontakteve me botën intelektuale të Prishtinës, këto struktura alternative fillojnë të shndërrohen edhe në struktura paralele. Referendumi për Iliridë dhe më pas themelimi i Universitetit të Tetovës janë format më të kristalizuara të një tendence për të krijuar një shoqëri paralele kundrejt shoqërisë maqedonase, ndërsa lufta e 2001-shit, mes tjerash, është edhe një zbrazje ontologjike ndaj shtetit.
Pas luftës, shqiptari i ulur në tavolinën e Marrëveshjes së Ohrit, është shqiptari i çliruar, i moderuar, i edukuar i cili ka qëruar hesapet me shtetin prej të cilit është injoruar për më shumë se gjysëm shekulli. Shqiptari tashmë është gati për t’u bërë qytetar i Republikës se Maqedonisë, ndërsa shteti është i “detyruar” për të filluar integrimin e një pakice që është aq e madhe sa s’mund të injorohet më. Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë nga “shqiptar” i bën “qytetar”, nga ëndrra për Shqipëri i çon te përpjekja për integrim brenda Maqedonisë. Nga idetë për pavarësi a federalizim i çon drejt konceptit të shtetit ‘për të gjithë’ dhe nga ashtetar i bën shtetas.
23 vite më pas, Marrëveshja e Ohrit, paradoksalisht, nga njëra anë është kulmimi i avancimit të të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë e nga ana tjetër është, ndoshta, epilogu më i keq i mundshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare në Maqedoni, përshkak se në vend që marrëveshja, që vinte nga një luftë çlirimtare, të ishte akti ku realizohen të drejtat e kërkuara ndër vite, u bë veç hallkë e një procesi të pafundëm integrues.