NDUE DEDA
Nxënësit e klasës së katërt të një shkolle 9-vjeçare në Mirditë ishin të shqetësuar nga lufta në Ukrainë, për çka mësuesja e tyre kishte kërkuar ndihmën e psikologut shkollor, që ai të shkonte në klasë e të fliste me ta. Me siguri që lufta ka shqetësuar jo vetëm një klasë vogëlushësh, por krejt fëmijët e botës, pasi atyre u flitet çdo ditë për paqen, kur befas ia “mbërrin” lufta!? Si mund t’i qetësojë psikologu në këtë rast tronditës? Ç’fjalë magjike mund të gjejë, ndërkohë që ata fëmijë kanë parë bashkëmoshatarët e tyre ukrainas të gjakosën nga tanket ruse rrugëve të Kievit? Po mësuesit? Prindërit? Mediat? BE-ja? SHBAja – çfarë mund t’iu thonë? Një pikëpyetje e madhe planetare e këtij shkurt – marsi 2022. Veçse, si çdo luftë pushtuese, dhe kjo e Putinit kundër Ukrainës është po aq luftë vetëvrasëse.
1. NGA “SHKRIM E KËNDIM” TEK INTERNETI
“Shkrim e këndim…” Kjo frazë erdhi deri në gjysmën e parë të shekullit XX, kur u zhvilluan kurset e fundit kundër analfabetizmit masiv. Tani në terminologjinë e re arsimore ka hyrë “analfabetizmi funksional”, një togfjalësh disi i vështirë për ligjërimin e thjeshtë, por që nënkupton sërish analfabetizmin për një kategori fëmijësh. Ngjan paradoks që sot të ketë fëmijë që nuk dinë shkrim e këndim, që nuk shkruajnë dot as emrin e tyre, siç ka një tjetër “analfabetizëm” virtual, ku sidomos të rinjtë shkruajnë në internet me gjysma fjalësh, pa lënë mënjanë jo pak tekste skandaloze këngësh me fjalor vulgar, që e kanë capërluar e sakatuar shqipen tonë të bukur.
Sot, konflikti më i madh duket se është ai libër – internet, edhe pse janë dy gjëra të ndryshme, i pari ka të bëjë me formimin dhe i dyti me komunikimin, pa qenë nevoja të “përjashtojnë” njëri-tjetrin. Për këtë përballën mësuesit me nxënësit, fëmijët me prindërit, si nga dy pole të kundërt. Në këtë rendje kah modernia, çfarë është mësuesi i shekullit XXI? Si ndihet ai në profesionin e tij? Mësimdhënës dhe edukator si dikur apo vetëm mësimdhënës? Statusi i tij sikur ka rënë. Ndihet jo pak i shpërfillur. Ai kalon dhe nxënësi nuk lëviz më nga vendi ku është ulur në shkallë. Para një gjysmë shekulli mësuesen e klasës së parë e njihte i gjithë qyteti dhe kur ajo vinte shëtitores, përshëndetej nga të gjithë, si Angje Zezaj në Rrëshen, që kishte lënë shtëpinë e saj në mes të qytetit të Shkodrës dhe kishte ardhur në Mirditë bashkë më të shoqin, farmacistin Ndoc Zezaj, me shkas biografinë, ndonëse të dy të diplomuar në Itali. Edhe pse jo e preferuar e Partisë, mësuesja shkodrane trupshkurtër ishte imponuese për një qytet të tërë me këshillat e saj se si duheshin mësuar fëmijët, por dhe për të ndryshuar jetesën e malësorëve. Ajo mbeti një qytetare nderi e pashpallur e qytetit të vogël, pa u ankuar asnjëherë se për të kishte humbur Shkodrën e saj. Në vitet ‘50-‘60 kur zysh Angjia erdhi në këtë krahinë, ende shqiptohej formula “shkrim e këndim”. U kujtuam për këtë mësuese merite dhe breznitë e edukatorëve të atyre moteve sot, teksa stafetën e ka një brezni tjetër arsimtarësh, të një shekulli të ri, po ku mësuesi i sotëm në një anë është po ai i djeshmi, që i kërkohet të punojë pa shpërblimin që do të meritonte. Pra, të jetë sërish “komisar drite”, ani se nuk është më kohë komisarësh, por kapitalistësh. Vetëm mësuesit i kërkohet ky humanizëm me tepri?…
Mësuesi vjen në këmbë në shkollë, kurse prindërit e “kamur” i sjellin fëmijët e tyre të vegjël me makinë deri te porta e shkollës, shpesh duke bllokuar hyrjen për të tjerët, shumicën që vijnë pa makina. Ama, ky prind me makinë nuk e ka forcën me ia heq fëmijës së vet telefonin nga dora mbasdite, kur atij i duhet të përgatisë mësimet për të nesërmen. Prindi bëhet përherë e më i nënshtruar ndaj fëmijës së tij adoleshent, ai nuk mund të ndërhyjë dhe kur qëllon që i biri ose e bija, orën e parë të mësimit, pi kafe me shoqërinë e vet në barin afër shkollës. Ja, kështu është kjo punë.
2. MËSUESIT DHE KARTOLINA MINISTRORE
Kohë më parë, Ministria e Arsimit i ftoi nxënësit që të shkruanin kartolina për mësuesit e tyre më rastin e festës së 7 Marsit, gjë që ata e bënë me kënaqësi. Ama, ishte ftesë për një gjë që nxënësit e bëjnë vetë nga mot pa qenë nevoja me ua kujtue ndokush. Pyetja në këtë rast do të ishte, çfarë tjetër mund të bënte Ministria për punëtorët e saj arsimorë? Një rritje page do të ishte mbase ajo që pritej, çka e ka lajmëruar dhe Kryeministri muaj më parë. Që mësuesi të mos vazhdojë të shihet prapë si “komisar i dritës”. Në raste të tilla, zakonisht gjendet justifikimi i pamundësisë së burimeve financiare. Por mësuesi ka sy dhe sheh se si ditë për ditë hidhen para publike për beton, ndërtim shkollash, pallatesh, rrugësh, urash, ndërsa për rritjen e mirëqenies ekonomike të tij nuk tepron asgjë nga të ardhurat. Vërtet thuhet për mësuesin, duke i përkëdhelur krenarinë, se ai nxjerr nga duart e tij shtetarët, kryetarët e sekretarët, deputetët e gjykatësit, ushtarakët e diplomatët, kurse pensionin e ka më të vogël se të gjithë nëpunësia tjetër e shtetit. A nuk është kjo një shpërfillje institucionale? Nga ana tjetër, jepen kaq shumë dekorata presidenciale për artistë, sportistë të merituar dhe të pamerituar, por rrallë kemi dëgjuar që dikush të dekorohet vetëm si mësimdhënës për kontribut pedagogjik apo titujt e dhënë këtyre profesionistëve nuk bëjnë bujë, pasi mësuesit nga vetë natyra e profesionit janë modestë dhe të “padukshëm”, ata nuk dalin në skena, ekrane dhe stadiume, në faqe gazetash dhe televizione – ata kanë një skenë të “vogël” ku luajnë gjithë jetën, klasën e mësimit, auditorin, shpesh pa ngrohje, edhe pse është viti 22 i të njëzetenjëtit shekull. Mirë që pritën përditë shirita shkollash të reja të një standardi bashkëkohor, por në këtë standard duhet të jetë dhe punonjësi mësimor i kësaj republike, mësuesi e pedagogu. Shteti mashtron veten se mund ta kapë Europën në lëmë të mësimdhënies vetëm me muret e hijshme të shkollave, kampuset universitare, kabinetet lëndore, bibliotekat, palestrat, teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit, pa ngritur mësuesin në lartësitë e atij europian në pagë, kualifikim, konkurrim etj. Me thërrime (pagash) sot e nesër nuk mbahet ngrehina e diturisë.
3. BURRI MË I MIRË I FSHATIT…
NJË GRUA! Aty nga viti 1995, në një ndejë kulle, dikush iu drejtua Alfredit, njërit prej djemve të Perlatit, që me ardhjen e demokracisë kishte fituar vendin e tij në shoqëri, se cili ishte burri më i mirë i atij fshati? Kishte dhe në atë sofër individë që prisnin të shqiptohej emri i tyre. Por jo! Zotëria, në mënyrë befasuese tha se burri më i mirë kishte qenë… Nënë Mrika. Ata burra panë njëri-tjetrin, si ishte e mundur që ai po i fyente, për më tepër që në atë rreth njerëzish kishte dhe të atin, burrë jo i padëgjuar për ç’kishte hequr nga regjimi i kaluar, si dhe për hokat e tij të këndshme.
Ata burra, fshikulluar ashtu pa mëshirë nga një shoq i tyre, që deri në ‘90-n e vetmja gjë që kishte bërë në jetë, ishte se kishte lexuar libra artistikë pafund, tash po i brente kureshtja të dinin se pse ai, si për t’i sfiduar në krenarinë e tyre, kishte shqiptuar emrin e një gruaje të munduar jo pak nga vështirësitë e jetës familjare, e cila ishte shuar aty nga fundi i viteve ‘60. “Nëse ti nuk po tallesh, ç’lidhje ka ajo grua me burrninë e katundit tonë?”.
“Nuk tallem aspak, por unë ashtu mendoj, që ‘burri’ më i mirë ndër ju ishte ajo që sapo iu thashë!”. Dhe vazhdoi t’i ironizonte: “Të gjithë ju mund të tregoni histori trimërish se si keni ‘vrarë e prerë’ në jetën tuaj, gjysh pas gjyshi, kurse Mrika e Pal Krosit bëri një gjë që nuk e bëri askush nga ju. Kur Prifti i tha se djali i saj, Nikolla, duhej të shkonte në shkollë, mbasi ishte i dhënë fort për mësimet, por s’i ishte e lehtë të gjendeshin lekët e bursës, ajo tha “I gjej unë paratë!”, dhe e shiti sendet e arkës së saj të nusërisë, vathët prej sermi e mbase dhe teshat e dekës dhe e shkolloi djalin, deri sa ai u diplomua për hidroteknikë në Torino, në vitin 1938, duke qenë inxhinieri i parë nga krahina e Mirditës dhe njëri nga inxhinierët më të dëgjuar të vendit në profesionin e vet. Kudo ndërtoheshin diga të larta në Shqipëri ishte dhe firma e tij e pashmangshme… Atëherë, ata burra të lënduar në sedër pak më parë, gjetën njëfarë ngushëllimi. Fundja ajo grua përmendej për diçka shkollore dhe nuk kishte hyrë, në punë burrash, si trimëria etj. Nuk ishte hera e parë që gra të thjeshta të maleve t’ona kishin qenë më të emancipuara e të sakrificës se burrat, kur ishte fjala për familjen, pasardhësit dhe anë të tjera humane e sociale.
P.S. Menduam se nuk do të kishte një rast më të volitshëm për ta publikuar këtë skicë-batutë sesa në vigjilje të Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas./Panorama/