BLENDI KAJSIU
Fitorja e mandatit të katërt të Viktor Orban (i treti në mënyrë konsekutive) në Hungari në zgjedhjet e 3 prillit 2022 është një lajm i rëndësishëm për politikën evropiane dhe ndërkombëtare në përgjithësi pasi konsolidon modelin nacionalist – konservator të demokracisë iliberale hungareze të zhvilluar nga Orban. Është pozitiv fakti që ky lajm i rëndësishëm është reflektuar dhe debatuar edhe në mediat tona që shpesh vuajnë nga provincializmi i thellë i zhvillimeve politike konjukturale.
Problemi është se fenomeni Orban është trajtuar aq ngushtë brenda dikotomisë tonë lokale Rama-Berisha, saqë është zhveshur nga thelbi i tij politik dhe ekonomik. Kritikët e Ramës e kanë krahasuar modelin autoritar dhe oligarkik të Orban me qeverisjen Rama. Ndërkohë që e djathta berishiste e ka pritur me entuziazëm këtë fitoren e Orban, duke theksuar ngjashmëritë mes tij dhe Berishës; ligjërimi i fortë antikomunist, konservatorizmi dhe konflikti me institucionet perëndimore.
Këto ngjashmëri sipërfaqësore fshehin dallime thelbësore mes berishizmit si filozofi politike dhe Orbanizmit si ideologji politike dhe ekonomike. Me gjithë përpjekjet e Berishës sot për t’u shfaqur konservator, berishizmi nuk ka ndonjë ngjyrim të qartë ideologjik përtej interesave të Berishës. Ky i fundit mund të shfaqet si konservator dhe progresist (qeveria e tij legalizoi martesat e të njëjtit seks), si nacionalist dhe kozmopolitan, sipas interesit të momentit.
Në fakt, përballja e Berishës me SHBA-të nuk ka asnjë element ideologjik. Ai është shpallur non grata për korrupsion dhe minim të demokracisë dhe jo si pasojë e ideologjisë së tij sovraniste, nacionaliste apo ultra-konservatore. E gjithë lëvizja sovraniste filloi pas dhe jo para shpalljes non grata. Pikërisht për këtë arsye berishistët e shikojnë si konspiracion non gratan e doktorit, pasi në sytë e tyre nuk ka asnjë diferencë mes tij dhe amerikanëve, ai është super pro amerikan.
Krejt e ndryshme është situata e Orban dhe partisë së tij Fidesz. Të paktën që nga viti 2010 ata kanë pasur një orientim politik ideologjik nacionalist dhe ultra konservator që është përplasur haptas me konceptin liberal të Bashkimit Evropian. Shumë përpara se Trump të vinte në pushtet, Orban ka artikuluar idenë e krishterimit si themel i qytetërimit hungarez dhe evropian, rrezikun që feja islame dhe emigracioni mysliman dhe afrikan përfaqësojnë për Evropën, familjen tradicionale si baza e shoqërisë dhe kombin si komunitetin suprem dhe sovran që nuk duhet të lëngojë në varësinë as të Brukselit dhe as të kapitalizmit internacional. Është ideologjia e tij politike nacionaliste dhe konservatore që ka prodhuar përplasjen me institucione të BE-së dhe SHBAsë, dhe jo anasjelltas, siç është rasti i berishizmit.
Por për të kuptuar suksesin politik të Orban, nuk mund të ndalemi thjesht te ligjërimi i tij konservator, nacionalist, antiliberal, islamofobik, homofobik dhe deri me nëntekste raciste. Fidesz nuk ka ndenjur kaq gjatë në pushtet thjesht sepse sulmon fenë Islame, emigrantët apo dhunon të drejtat e minoriteteve etnike dhe seksuale në Hungari. Fatkeqësisht, këto janë të vetmet aspekte që analizojnë mediat liberale ndërkombëtare që nga CNN deri te BBC.
Suksesi i Orbanizmit nuk mund të kuptohet pa modelin ekonomik nacionalist dhe proteksionist që ai ofron, që është mjaft i ndryshëm nga modeli neoliberal i tregtisë së lirë. Orban u rikthye në pushtet në vitin 2010 pas krizës financiare të vitit 2008 që e goditi rëndë Hungarinë, një vend i integruar thellësisht në sistemin financiar ndërkombëtar. Pjesë themelore e programit dhe e qeverisjes së tij ishte kritika e modelit zhvillimor neoliberal që kish vendosur Hungarinë në borxhe të thella dhe nën varësinë e institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN-ja.
Me të ardhur në pushtet, Orban në vitin 2010 rriti në mënyrë stratosferike taksat ndaj multinacionaleve dhe bankave ndërkombëtare, duke i detyruar ato të shisnin degët e tyre lokale në Hungari. Në shumë raste, shteti hungarez i bleu këto banka dhe më pas i privatizoi në duart e kapitalistëve vendas që ishin të lidhur në mënyrë direkte apo indirekte me partinë në pushtet Fidesz. Në këtë mënyrë, sektori bankar hungarez kaloi në pronësinë e “borgjezisë kombëtare” dhe nën kontrollin e Fidesz.
Kontrolli i kapitalit financiar i lejoi qeverisë Orban financimin masiv të biznesit lokal me kredi të buta dhe hapjen masive të vendeve të punës. Taksat e larta ndaj bankave dhe multinacionaleve lejuan uljen e deficitit, uljen e borxhit të jashtëm dhe rritjen e pagave. Theksi i programit politik dhe ekonomik të qeverisë Orban që nga viti 2010 ka qenë sovraniteti ekonomik, industrializimi dhe hapja e vendeve të punës duke fuqizuar kapitalin dhe borgjezinë hungareze.
Natyrisht, ky ishte një proces që u shoqërua me kapjen e shtetit dhe të mediave kryesore nga borgjezia e re hungareze që u krijua nga Fidesz dhe mbetet besnike ndaj saj. Kështu, një nga oligarkët kryesorë në Hungari sot, Lorinc Meszaros, është shok fëmijërie i Orban.
Por ky model arriti gjithashtu të krijonte shumë vende pune, të fuqizonte industrinë dhe kapitalin hungarez, të çlironte hungarinë nga varësia financiare ndërkombëtare dhe të prodhonte një rritje të vazhdueshme të GDP-së dhe pagës reale gjatë 12 viteve të qeverisjes së Fidesz. Pa këtë dimension nuk mund të kuptohet suksesi i Orbanizmit, mbështetja e thellë popullore që ka Fidesz në shtresa të caktuara sociale të Hungarisë, sidomos në zonat rurale, çka përbën një kontrast të thellë si me berishizmin edhe me Partinë Socialiste të Ramës.
Në artikulimin berishist nuk ka asnjë kritikë ideor ndaj modelit zhvillimor neoliberal të qeverisë Rama. Nuk ofrohet asnjë model ekonomik zhvillimor alternativ ndaj aktualit. Kritika është ndaj zbatimit dhe jo modelit në vetvete. Premtimi i berishizmit sot, sikurse edhe dje me Bashën, është se ata do e implementojnë modelin më mirë dhe me më pak korrupsion se Rama. Ama, fakti që qeveria Rama nuk ka asnjë politikë industriale nuk përbën ndonjë shqetësim real për opozitën. Fakti që ne jemi të varur nga luhatjet e tregut ndërkombëtar për naftën, bukën dhe bujqësinë, nuk është se kritikohet nga opozitarët. Madje, atyre nuk i bën përshtypje as fakti që furnizimi ynë me grurë është në dorë të Serbisë, ndërsa për plehrat bujqësore (që dikur i prodhonim vetë) varemi nga Rusia.
Dhe kjo për faktin e thjeshtë se modeli zhvillimor i Berishës dje ishte identik me atë të Ramës sot: hapja e tregut, privatizimi i aseteve kombëtare apo tërheqja e kapitalit të huaj. Mjafton të kujtojmë se shkatërrimin e industrisë së naftës e filloi Berisha dje me privatizimin korruptiv te Taçi dhe e bitisi Rama sot kur ARMO po shitet për skrap. Mungesa e politikës zhvillimore dhe industriale si majtas, edhe djathtas reflektohet qartë te fakti skandaloz se as qeveria Berisha dhe as ajo Rama nuk negociuan me gazsjellësin TAP që kalon në territorin tonë për gazifikimin e vendit, çka do ulte koston e energjisë, do diversifikonte burimet e saj dhe do nxiste zhvillimin industrial. Madje, shteti shqiptar nuk përfiton as edhe një qira për tranzitin, u mjaftua thjesht me disa investime të përkohshëm në rrugë dhe në punësim që u bënë nga ky projekt.
Ndaj modeli Orban nuk ka ngjashmëri me modelin qeverisës Rama, as në ideologjinë politike dhe as në filozofinë ekonomike. Nëse Rama është një kozmopolit liberal, Orban është një konservator nacionalist. Nëse Rama i mirëpret emigrantët afganë në Shqipëri, Orban deklaron se ata përbëjnë rrezik për Hungarinë. Nëse Rama ofron një model zhvillimi neoliberal që synon integrimin sa më të madh të ekonomisë shqiptare në tregun e huaj dhe zhvillimin e saj nëpërmjet borxhit ndërkombëtar, Orban ofron nacionalizmin ekonomik që bazohet te forcimi i kapitalit dhe i prodhimit vendas, sovraniteti ekonomik dhe pavarësia nga financat ndërkombëtare. Nëse Rama thotë se është tregu që i përcakton çmimet, Orban ka vite që kritikon tregun dhe kontrollon çmimin e energjisë dhe të ushqimeve për popullatën në Hungari.
Pavarësisht se ne sot flasim pafund për oligarkët e Ramës, e vërteta është se ata nuk janë as oligarkë dhe as të Ramës. Së pari, sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare janë duart e kapitalit të huaj, ndryshe nga rasti hungarez. Sektori ynë bankar, telefonia celulare dhe industria e naftës dominohet nga kapitali huaj. Natyrisht që ka aktorë dhe grupe të fuqishme ekonomike lokale, por ata janë tejet të vegjël në raport me kapitalin ndërkombëtar në Shqipëri.
Së dyti, “oligarkët” shqiptarë nuk janë as të Ramës dhe as të Partisë Socialistë, ndryshe nga rasti hungarez ku ata i përkasin partisë në pushtet Fidesz. Oligarkët Rama i gjeti dhe i mbajti, por nuk i solli. Ata ishin dje me Berishën dhe nesër do jenë me pasardhësin e Ramës. Ndryshe nga rasti i Orban, ekziston një lidhje interesi, por jo besnikërie mes oligarkëve dhe Ramë. Kjo e vështirëson, por nuk e pengon në mënyrë thelbësore rrotacionin politik në Shqpëri. Rama sot qëndron në pushtet, jo sepse ka mbështetjen e oligarkëve, por sepse opozita po flet me veten. Rama sot gëzon mbështetjen e mediave kryesore, por nuk i kontrollon ato në të njëjtën masë sa Orban dhe Fidesz në Hungari. Asimetria mediatike, financiare dhe politike mes pushtetit dhe opozitës është shumë me thellë në Hungari se në Shqipëri.
Ndaj sot në Shqipëri ka më shumë demokraci se Hungaria. As berishizmi dhe as ramizmi nuk janë hegjemonikë në Shqipëri siç është Orbanizmi në Hungari. Te kjo e fundit tashmë është instaluar një regjim hegjemonik në kuptimin gramshian të këtij koncepti, ku dominon një ideologji politike nacional-konservatore në sferën mediatike dhe intelektuale (universitete, revista shkencore etj.). Është një ideologji që artikulohet jo thjesht nga Orban, por nga një sërë intelektualësh organikë të regjimit. Dominimi ideologjik i nacional-konservatorizmit prodhon dhe ushqehet nga një model zhvillimor që bazohet tek nacionalizmi ekonomik, i cili prodhon një sërë aktorësh dhe interesash ekonomike të lidhura në mënyrë organike me Fidesz.
Ndaj, Shqipëria sot është më e hapur dhe më demokratike se Hungaria. Mundësia e rrotacionit politik te ne është shumë më e madhe se në Hungari. Asimetria politike, ekonomike apo mediatike mes pozitës dhe opozitës është shumë më e vogël se në Hungari. Kontrolli që Orban ka mbi sistemin e drejtësisë në Hungari (duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese) është shumë më i madh se kontrolli që Rama ka mbi sistemin tonë të drejtësisë. Fidesz që prej vitit 2010 gëzon një shumicë absolute prej 2/3 në Parlamentin hungarez çka e ka lejuar të ndryshojë Kushtetutën në vitin 2012 dhe sistemin elektoral në funksion të konsolidimit të pushtetit të saj.
Nga ana tjetër, modeli ynë zhvillimor është tejet inferior ndaj atij Hungarez. Në Shqipëri nuk ka asnjë përpjekje serioze për zhvillimin e industrisë vendase, madje as për ato fitimprurëse si industria e naftës apo e mineraleve, ndryshe nga Hungaria që tashme prodhon edhe makinat “Mercedes Benz”. I gjithë modeli ynë zhvillimor mund të përmblidhet te togfjalëshi: turizëm, turizëm, turizëm! Dhe në këtë pikë nuk ka ndonjë ndryshim themelor mes modelit berishist dhe modelit “socialist” të Ramës. Ndryshimi është mes Ramës dhe Berishës nga njëra anë dhe Orban nga ana tjetër.
Është një ndryshim që reflekton dallimin mes kontekstit historik shqiptar dhe atij hungarez. Ndryshe nga komunizmi shqiptar, ai hungarez në një masë të madhe ishte i imponuar nga jashtë, nga Bashkimi Sovjetik, siç tregoi Revolucioni Hungarez i vitit 1956, që Orban e përmend pa fund në fjalimet e tij. Ndaj në Hungari është e lehtë të kombinosh nacionalizmin me anti-komunizmin. Dhe ky është një kokteil tejet i fortë ideologjik që Orban e ka përdorur me sukses kundër kundërshtarëve të tij politk, si Partia Socialiste Hungareze. Ndërkohë në Shqipërinë e Enver Hoxhës ideologjia komuniste u shkri me ideologjinë nacionaliste për të formuar nacional-komunizmin (siç e ka dokumentuar mjaft mirë Fatos Lubonja), për dy arsye. Së pari, sepse komunizmi ynë ishte lokal dhe jo i imponuar nga sovjetikët. Së dyti, sepse në vitin 1944 Shqipëria ishte ende në procesin e komb-formimit, ndaj komunizmi ishte eksperiencë jo thjesht shtetformuese, por edhe kombformuese për ne. Ndryshe nga Hungaria që ishte një komb i konsoliduar shumë përpara vendosjes së komunizmit aty. Ndaj në tranzicionin shqiptar kombinimi i antikomunizmit me nacionalizmin nuk ishte i suksesshëm, edhe pse u tentua, sepse komunizmi shqiptar ishte thellësisht nacionalist. Kjo është një nga arsyet themelore se përse ligjërimi nacionalist nuk ka pasur sukses politik në Shqipëri krahasuar me Hungarinë, Çekinë apo Poloninë.
Po kështu zhvillimi ekonomik në Hungarinë komuniste ishte shumë më i madh se në Shqipëri. Ashtu sikurse marksizmi hungarez nuk ishte aq dogmatik sa marksizmi ynë. Çka nënkupton se mendimi ekonomik hungarez edhe nën komunizëm ishte shumë më i zhvilluar se te ne. Për pasojë, ideja e një modeli zhvillimor ku shteti ndërhyn dhe orienton zhvillimin ekonomik është shumë më e pranueshme në Hungari se në Shqipëri, ku ndërhyrja e shtetit apo zhvillimi i industrisë shtetërore perceptohet si marksizëm dhe sjell në kujtesë kolapsin ekonomik të viteve 1980.
Për këtë arsye, sot në Shqipëri është shumë e vështirë të bësh një kritikë të modelit zhvillimor neoliberal apo të ofrosh një model alternativ, si shteti zhvillimor që është aplikuar me sukses në shumë vende të botës, pa cenuar standardet demokratike. Te ne neoliberalizmi sot është identifikuar aq fort me kapitalizmin, ashtu sikurse dje stalinizmi me marksizmin. Dhe nëse dje ishim më stalinist se rusët, sot jemi më neoliberal se amerikanët. Për pasojë, programet e partive tona janë pothuajse identike. Ndaj ne sot nuk debatojmë idetë apo programet, por njerëzit. /Panorama/