Gjergj Meta
Shqipëria që duam dhe ëndërrojmë, nuk do të jetë ndoshta asnjëherë e përsosur ashtu si në ëndrrat tona. Në fund të fundit, ëndrrat ndërtohen ditë pas dite, për ato “luftohet”, derdhet djersë vazhdimisht, por nuk mund të dyshojmë se ato mund të realizohen.
Ëndrrat nuk janë asnjëherë vetëm tonat, disa i kemi të trashëguara nga ata që na kanë paraprirë. Na i kanë lënë si me testament nëpërmjet veprimit, shkrimeve, dëshirave dhe fjalëve të tyre. Disa të tjera i lëmë ne, që t’i vazhdojnë ata që do të vijnë, pasi ne ta braktisim këtë banesë tonën këtu mbi tokë.
Por, kurrë të mos reshtim së ëndërruari, ndërsa ecim mbi këtë tokë e jetojmë jetën tonë, kohën që na është dhënë, hapësirën që shkelim.
Ëndrrat e mëdha nuk i ndërtojmë kurrë të vetëm. Duhet dikush tjetër, shumë të tjerë pranë nesh e së bashku, të bëjmë më të mirën tonë. Nëse nuk ëndërrohet së bashku, nuk është e mundur që ëndrrat të realizohen.
Shqipëria është një ëndërr e bukur, një ëndërr e madhe e etërve tanë; e atyre që dhanë jetën për të, që rrezikuan gjithçka, harxhuan rininë e tyre, sepse i penguan të ëndërronin, sepse u mohuan lirinë. Shqipëria është ëndrra e shumë baballarëve e nënave, që çdo ditë sakrifikojnë për fëmijët e tyre. Shqipëria është ëndrra jonë, një nga ato ëndrra që Hyji ka vendosur në zemrat tona.
Ajo shpesh mund të na duket e frikshme, nganjëherë plot ankthe e trishtim nga ato me përbindësha e dragonj, apo nga ato kur biem në zbrazëtirë, apo nuk vrapojmë dot, dhe atëherë nuk do të donim të ëndërronim, sepse druajmë se sulmet e panikut nuk do të na linin të qetë.
Megjithatë, ne nuk mund të ndalim së ëndërruari këtë ëndërr të bukur që quhet Shqipëri, edhe pse nuk është aq e përsosur sa do të donim. Nuk mund të ndalim kurrsesi, edhe sikur ta shihnim të realizuar qoftë edhe për një orë të vetme në jetën tonë.