Nipat e mi dhe malli për fëmijërinë…

    KRISTO MËRTIRI

    “Ç’thua, or mik, erdh koha të mbetesh i vetëm,/ S’ke asnjeri të të shtrydhë në buzët limonë;/ Vetëm të dergjesh në shtrat të gëlltitësh heshtjen/ Vetëm të ngrihesh natën pështetur pas murit në dhomë…”. Muzgu i jetës nuk troket më si dikur. Seç ka një trishtim të ngurosur. Por ka edhe një gëzim të pasosur, siç ndodhi dje në Tiranë e në tërë Shqipërinë. Sidomos kur shikoje qindra e mijëra vogëlushë që rendnin e fluturonin si zogjtë krahëshkruar. Mbushën rrugët e rrugicat, mbushën shkollat me lule e këngë. Cicërimat i ndjeva edhe te nipat e mi, Aiden e Tomas. Por edhe tek Irsa Skifteri e mëhallës sime, te shkolla 9-vjeçare “1 Maji”. Fillon klasën e tretë. E urtë, e pastër, e dashur, e zgjuar, fjalëkursyer. Sa herë vjen me të ëmën në kafenenë time të preferuar, ulet dhe nxjerr lojëra e fletë vizatimi.

    Dhe nis punën e pavarur. Nesër mund të bëhet një piktore me famë, një balerinë, mësuese, mjeke, ekonomiste, biznesmene… Ku i dihet?! Kjo vogëlushe me rrënjë Tirane, një ditë prej ditësh mua më bëri një surprizë jo pak të këndshme. Ashtu në vetmi, po lexoja gazetat e ditës. Kur mbarova dhe po ndizja cigaren, u afrua lehtë si në majë të gishtave, buzëqeshi ëmbël dhe më dha një fletë vizatimi. Ishte përpjekur të realizonte portretin tim. Dhe në krye kishte shkruar me dorën e saj të njomë: “Gjyshit Kristo. Nga Irsa Skifteri…”. Sinqerisht, u befasova. E përqafova, e falënderova dhe i putha dorën e djathtë. Vizatimin e saj e ruaj si kujtim të çmuar. Kamerieri nga Puka që kish mbaruar Liceun Artistik për pikturë, e përgëzoi. Për mua mbeti dhuratë e veçantë… Por dje hyri në klasën e tretë edhe Letisja e brishtë, mbesa e Peros, mikut tim me origjinë nga Progonati. Të dyja vërsnike me nipin tim, Aiden, që e dua shumë dhe më do shumë. Ditët e fundit mbaroi së lexuari librin e tetëdhjetë ! Autorë të huaj e shqiptarë. Me tregime, novela e romane të vegjël. Është kurdoherë i gatshëm të më rrëfejë për secilin. Ka pasion dhe luan shpesh futboll. Dje e shprehte hapur gëzimin pas fitores së Shqipërisë me Poloninë. “O Gjysh, do fitojmë patjetër !”, më thoshte i sigurt gjatë mbrëmjes në celular. Dhe shpesh më flet seriozisht për mjaft skuadra e lojtarë nëpër botë, për rezultatet dhe cilësitë e tyre sportive. Dhe përkëdhel e shpalos Flamurin Kuq e Zi ! Ndërsa unë bie në mendime dhe meditoj për Fëmijërinë time të dikurshme, për parajsën time të humbur atje mbi Vjosën plakë, te Gryka e Peshtan-Mezhgoranit…

    Ajku i komshiut Denis, dje filloi Parashkollorin te “Fan Noli”. Ecte si çamarrok me të atin dhe gjyshet, e thoshte ciltër:- O ba, po unë nuk i di mësimet ! Pse nuk shkojmë prapë te Kopshti ?…Qeshëm me shpirt. Dhe kujtoja Tomasin tim të veçantë, që dashuron mbiemrin e vet. Kujtova edukatoren e tij që e përcolli syrrëmbushur ditën e fundit në Parashkollor. Dhanë edhe një koncert të mrekullueshëm, të paharruar. Emri i tij më ngacmon krejt natyrshëm. Kujtoj zarfet e xhaxhait me letra nga Micigani, të cilin nuk e njoha kurrë nga afër. Eshtrat e tij prehen atje, në Eskanaba… Mbylli sytë përgjithmonë në vitet ‘70 të shekullit që shkoi. Disa zarfa të tij me emrin Tomas, i ruajmë sot e kësaj dite. Ndërsa nipin tim të vogël, dje e ftoi zilja e parë e shkollës. Dje, ishte dita e parë në klasën e parë ! Se në vendlindjen e Gjyshit, ai dëgjoi zile e këmborë të tjera. Përjetoi caste e ëndrra të shumta si në një tjetër botë. Përrallat e edukatoreve apo ato të ekraneve televizive në Kryeqytet, në fshat lihen mënjanë. Madje, sikur fshihen përkohësisht nga kujtesa. Një realitet mjaft i prekshëm e me jo pak emocione. Një sfidë e vërtetë edhe ndaj kukullave në vitrinat verbuese e marramendëse. Një fantazi e ndezur bashkë me ëndrrat fëminore. E gjallë, e prekshme në cdo hap. Që nga pemët frutore, lisat e lule bliri, lofatat, thanët, fiqtë, arrët, manat e hardhitë e rrushit, lajthitë, manushaqet e luleshtrydhet, përrenjtë e përveçëm; bujtinat e Mirës, Valit e Viktorit etj. Pasuri shpirtërore që Tomasi e adhuron. E deri te qentë e stanit, macet, lepujt, gjelat, pulat, korin e zogjve me bilbilat në krye, dhitë e kecat, lopët e viçat, mushkat e gomarët dhe… mbi të gjitha shkumën, gurgullimën shlodhëse të Vjosës nëpër këmbët e fshatit midis Golikut e Trebeshinës.

    Kur bëjnë ndonjë prapësi “pa dashje”, Aideni hidhet i pari dhe e kalon “lumin” e çastit me një fjali të mësuar herët: “Siç thotë Gjyshi, çdo kalë i kuq e ka një huq !”. Dhe del për bukuri matanë. Ose reciton shpesh një këngë për vendlindjen time, të cilën e interpretoi në mes të Përmetit 4 vite më parë ! Duke qenë i sigurt në zbutjen e inatit të më të mëdhenjve. Se Fëmijëria ime nuk kishte manekinë vitrinash, siç përmbytin sot Ti ranën e gjetkë. Çdo gjë ishte bio, bashkë me natyrën ende të virgjër. Por Tomasi i vogël e pak “rebel”, mund të tregojë mjaft episode e mbresa të bukura në klasë e jashtë saj. Jo nga revistat e ekranet, por drejtpërdrejt nga natyra, nga jeta në fshatin kapitalist. Atje era është tjetër erë. Yjet dhe xixëllonjat po ashtu. Dielli dhe hëna sikur lodrojnë me majat e maleve. Gdhihesh e ngrysesh në një terren ku pastrohen e zgjerohen mushkëritë, ku mund t’ia marrësh vetiu këngës dhe në çdo hap të mësosh një copëz historie. Ku përballë, mbi shpatullat e Trebeshinës mund të kalojnë mëngjeseve tufa me re të dendura, që nga larg ngjajnë me tufat e dhënëve në kullota. Pak më tutje, te një ulli shekullor është shkolla ime e dashur, ku mblidheshim përditë të katër klasat fillore. Dëgjoj ende zërin e butë të Stathi Kumes, mësuesit të parë. Aiden e Tomas, aty nuk ka patur dhe nuk ka oborre me hekura të lartë. Aty nuk ka patur kompiutera e celularë. Aty ka gjelbërim të paanë dhe bilbila shumë.

    Aty nuk ka sanduice nëpër çantat me libra. Mund të ketë pak bukë të ngrohtë të pjekur në saç, pak gjalpë të saponxjerrë nga dybeku e aspak të përpunuar nëpër fabrika e punishte kapitaliste. Aty ka mjaft dashuri për diturinë dhe mësuesin e shikonim gati si Perëndinë. Aty gëlojnë edhe këngë të moçme, që Gjyshi juaj i këndonte plot zjarr me Mjaftoninë e xha Jonuzit, shoqen e paharruar të klasës. Nuk kishte skena e podiume luksoze me prozhektorë si në Kryeqytet, nuk kishte “dixhei” e orkestra pompoze apo disko ku sot thyejnë gishta në tavan. Zëri shumë i dashur i Radio-Tiranës na përcillte për në shkollë. Bashkë me zërin e papërsëritshëm të zogjve në pyje. Bashkë me blegërimën e qengjave pirës dhe kakarisjen e pulave në avlli e kopshte. Një simfoni e rrallë, jetëdhënëse, që përzihej me zërat tanë mbi Abetare dhe më vonë mbi librat e leximit letrar. Nuk kishim makina llogaritëse në matematikë, por Agimi i xha Bajramit ua kalonte atyre me shpejtësinë e përgjigjes.

    Nuk kishte palestra e pishina. Por fusha jonë e futbollit në sheshin pranë Kishës së Shën Mërisë, për ne ishte më e bukura në botë. Rrethuar jo me tela e gjerdhe çeliku,por me lisa të moçëm e bar të pashkelur. Veç të tjerave, çdo pemë ruhej edhe si “vend vakëf”. Kur dikush këputi ca gjethe për bagëtitë e imta në shtëpi, e ëma e ktheu prapë te vendi i dëmtuar, bëri kryq dhe kërkoi ndjesë. Pa llogaritur bekshiun (rojtarin e pyjeve), Ramiun nga Luzati që merrte rrogën shtetërore për disa fshatra… Në atë fushë kanë luajtur edhe skuadra nga Dragoti etj. Minikampionate të gëzuara e të organizuara nga Demiri me shokë. Pa këpucë sportive me taka hekuri e pa taka. Ashtu zbathur e pa salltanete, por me shpirt sulmues e aspak qaramanë si fëmijët e qytetit…

    -Po pse nuk kishit pishina, o Gjysh ?- më pyesin në një gojë Aiden e Tomas. -As trampolinë për t’u hedhur me kokë a me këmbë? Po kamerdare dhe varka me lopata si ato që dalin për raifting? Po skafe e motorë uji ?…

    Ah, nipat e mi të shtrenjtë! Mos harroni, ua tregoni edhe Gregut e Marvit sot në Amerikë. Shqip dhe anglisht. Janë plaga e pambyllur e Gjyshit, që pikon pikë-pikë (“Më i rëndë është lot i ndarjes me të gjallët/ Se lot i ndarjes me të vdekurit”). Kurbeti, bij, kurbeti! Edhe sot u thërrasim me emër: Gurra; Rreth; Zagorie; Ngjiri i Ndiles; Dervene; Shëngjergje; Carahuar; Nivicë… I ka krijuar Zoti me dorë. Dhurata të përjetshme. Në vend të trampolinave kishim shkëmbinjtë dhe majat e rrepave, brigjet që kullojnë ende mall e dashuri. E mësuam notin pa mësues, pa leksione. Në gjirin e mëmës natyrë. Dhe nga njeri-tjetri. Gati tërë kalamajtë e fshatit tim patën një shkollë e “akademi” të vecantë : VJOSËN e dhembshur e larg rrëmetit. Ju Aiden e Tomas, sot kërkoni parqe e lulishte, kënde lojërash etj. vende pushimi e argëtimi pranë lokaleve me pagesë. Ndërsa Gjyshi, shoqet dhe shokët e tij i kishin falas në cdo hap, pa lekë e pranë shtëpive. Në natyrën e mbytur në gjelbërim. Në lagjen tonë në Tiranë (Brryli), Gjyshit dhe moshatarëve të tij u kanë vënë bërrylin! Kanë vetëm kafenetë ! Ku të shkoj e të pushoj pakëz me ju? Nën hijen e kullave grataciela apo nëpër ndërtimet që pushtuan me leje të Bashkisë çdo pëllëmbë lulishteje të dikurshme?! Në ardhtë “lali Eri” ndonjëherë, mos kini frikë, ia thoni troç. Apo për vete dhe fëmijët e tyre janë kullandrisur nëpër ishuj lumturie e babëzie në Lundër, Farkë, Gjirin e Lalëzit e gjetkë! Kryeqytetit po i merrej fryma. Vendlindja ime iu pret në cdo kohë. Tomasi u kënaq pa masë. Dhe kërkon të shkojë prapë. Ato që tregova dhe të tjera të pathëna, nuk janë si përrallat në klasë a në libra. Përkundrazi. Ja, tek ajo arra e madhe me hije të madhe, kur isha në 8- vjeçare më erdhi letra e parë nga ish-gazeta e mirënjohur “Pionieri”.

    Gëzim i paparë! Mbase iu duken si përralla ose gjë e gjëza. Në ato udhë të ngushta kam lozur, jam rrëzuar, kam kënduar e kam qarë. Bashkë me Kuqen(mushkën) e nëna Evës sonë! Bashkë me prashitjen dhe ujitjen e misrit në arë. Ditën, por edhe natën, me fener vajguri dhe nën dritën e florinjtë të hënës mbi Golik e Trebeshinë. Pa vetura e autobuza. Por “shpirti i gjyshërve fryn si erë”. Shpirt i lirë që e kapërcen Unazën e Tiranës. Po mbetët brenda kësaj unaze dhe nën sqetullat e prindërve nëpër Evropë, do të humbisni shumë. Do të humbisni një “Universitet” të rrallë për jetën dhe punën tuaj. Ashtu siç e kanë humbur Gregu e Marvin në Uashington! Nuk ka në botë si dheu juaj dhe i gjyshërve!

    Dje, nisët udhën e Diturisë. E nisët me Himnin Kombëtar! Ato që thashë pak më sipër, janë një testament shpirtëror i pacenueshëm, në brezat që vijnë e shkojnë. Nuk jeni më “picirukë” e as “njomëzakë”! Keni shumë e më shumë dritare të hapura, për të shikuar më thellë e më larg. Me Shqipërinë tonë në sy e në zemër. Sepse xhaxhi Poeti i madh, miku i Gjyshit tuaj, ka lënë edhe këto 4 vargje: “Perëndimi i jetës sa vjen e bëhet më i trishtë,/ Më i trishtë se ç’ishte dikur, se njerëzit ikën në botë,/ Mbetën pleqtë siç mbeten kaçubet diku në zallishtë/ Mes thatësirës së gushtit, kur dielli ngecet në qiell si rrotë”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Europës i kërkohet që të përgatitet për luhatshmërinë e çmimeve në tregjet e gazit

    Lajmi i rradhës

    Samiti i G20, lufta në Ukrainë, ekonomia dhe tregtia

    Lajme tjera

    Mjedisi i egos

    DR. MIMOZA AHMETI Egoja mendohej si një konstrukt. Më vonë u pa se ky konstrukt ishte një koncept…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë