Oferta shtetërore dhe ajo kriminale për imigracion

    PËLLUMB NAKO

    Tashmë është fakt më se i njohur kërkesa gjithmonë e në rritje për migracion nga vende të ndryshme me burime të kufizuara ekonomike, me probleme të rënda sociale si dhe me konflikte të dhunshme. Destinacioni mbetet gjithmonë ai i vendeve të pasura të Perëndimit. Kjo kërkesë në rritje shton automatikisht presionin e tyre mbi autoritetet administrative jo vetëm të vendeve të destinacionit, por edhe ato të tranzitit. Në mungesë të mundësive për t’u trajtuar ligjërisht duke u pritur dhe akomoduar në vendet e pasura, natyrshëm rritet edhe oferta kriminale për transportin të tyre ilegal në vendet tranzit.

    Një fenomen i tillë u bënë disa vite që ndihet në vendin tonë në një kohë që fqinji ynë jugor duket i tejmbushur me migrantë që tentojnë vende të tjera të pasura. Pikërisht kjo kërkesë e lartë ka rritur ofertën kriminale të transportit të tyre përmes vendit tonë, dëshmuar kjo edhe nga statistikat gjithmonë në rritje që zotëron Policia Kriminale për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Thënë me fjalë të tjera, krahas sfidave humane të lidhura me imigracionin ilegal, problemi më shqetësues për autoritetet tona mbetet sigurisht rritja e ofertës kriminale, ose më saktë rritja gjithmonë e më shumë e grupeve apo edhe e individëve për të kryer veprën e mësipërme penale. E gjithë kjo problematikë në vendin tonë vjen më se natyrshëm dhe për hir të së vërtetës institucionet tona të trajtimit të emigrantëve rezultojnë më shumë si viktima të fenomeneve të tilla, për të cilat ato as nuk janë shkak e as kanë mjetet e duhura ligjore për t’i zgjidhur. Pra, megjithëse imigracioni ilegal i përshkruar më sipër ka ndikimin e tij në kriminalizimin e popullsisë, ai mbetet i pashmangshëm, por problemi më i madh qëndron në një lloj tjetër migracioni.

    Krahas ofertës kriminale për migracion të paligjshëm, kemi edhe ofertën shtetërore nëpërmjet bizneseve për imigracion të rregullt, të programuar. Por, edhe pse legal, ky imigracion shpesh nuk i shpëton aktivitetit kriminal. Madje, ky i fundit bëhet më i sofistikuar sepse kushton më shumë. Kjo do të thotë se gjithë procesi administrativ për imigracion të rregullt, rrezikon të kthehet në një mbulesë për trafik të qenieve njerëzore duke shfrytëzuar hapësirat e legjislacionit administrativ të vendit tonë. Fitimet në këtë aspekt nuk janë të vogla dhe e gjitha kjo nuk është vetëm një supozim.

    Jo shumë kohë më parë, në prani të një sipërmarrësi, Kryeministri ynë deklaroi më zë të lartë dhe iu bëri ftesë bizneseve të vendit tonë që të rekrutojnë punonjës nga Bangladeshi për t’i punësuar këtu në kushtet kur të rinjtë shqiptarë nuk preferojnë të bëjnë punë të quajtura të rëndomta ose profesionale. Nisma nuk ka arsye për t’u anatemuar, por vetëm kaq nuk mjafton. Është gjithmonë i gjallë dhe real rreziku që nën petkun e punësimit, të mirorganizohet një trafik i mirëfilltë ilegal qeniesh njerëzore. Pra, shtetas nga Bangladeshi punësohen duke u krijuar mundësinë për të ardhur legalisht në vendin tonë, dhe, më pas, ata të largohen me apo ndihmën e trafikantëve vendas, drejt perëndimit.

    A ËSHTË REAL KY RREZIK APO JEMI NË KUSHTET E VETËM NJË SUPOZIMI?

    Pak ditë më parë, një portal i cili u referohej burimeve të brendshme të Policisë, njoftonte se kjo e fundit kishte gjobitur 89 biznese sepse punonjësit e kontraktuar prej tyre në Bangladesh nuk ndodheshin më në punë, por ishin zhdukur dhe kontraktuesit e tyre nuk dinin gjë se ku kishin përfunduar. Duke qenë se janë bërë garant për ardhjen e tyre në Shqipëri, bizneset janë gjobitur dhe nuk janë ndjekur penalisht sepse deklarojnë që nuk dinë gjë se ku janë zhdukur të kontraktuarit e tyre. Por kur ky numër të gjobiturish shkon në 89 biznese, me shumë të ngjarë kemi të bëjmë me një fenomen se nën petkun e punësimit, është organizuar emigracioni i tyre ilegal drejt Perëndimit dhe në këto kushte jemi përballë grupesh kriminale të strukturuara. I takon drejtësisë që ta vlerësojë fenomenin sepse pasojat janë të rënda dhe me faturë financiare nga pas. Shifrat e gjobave janë alarmante dhe rreziqet të mëdha. Vendi ynë, nga vend tranzit emigrantësh të parregullt, mund apo është kthyer në vendburim emigrantësh të shtetasve nga vende të treta që mund të krijojë probleme edhe me qarkullimin e vetë shqiptarëve në Europë.

    Duke bërë një llogari për ilustrim me supozimin se nga 89 bizneset janë larguar 4 nga secili prej tyre, do të thotë se kemi 356 emigrantë të parregullt vetëm në pak kohë. Nëse kapen nga autoritetet e sigurisë së vendeve të tjera, ata do të kthehen menjëherë në Shqipëri sepse leja e qëndrimit me të cilën janë pajisur në vendin tonë, është provë e fortë. Nëse kthehen, ç’do të bëhet me ta? Ata nuk kanë ardhur për të punuar dhe do të përpiqen përsëri të ikin, teorikisht do të kthehen në Bangladesh. Por a i pranon ky vend kur nuk kemi marrëveshje? Pa llogaritur këtu edhe koston e biletës së kthimit të tyre në vend dhe të punonjësve të Policisë që do t’i shoqërojnë. Ndërkohë, në media thuhet se tre autobusë me bangladeshas, pasi kanë mbërritur në Durrës, po vaksinohen në Tiranë. Mbarëvajtja e punësimit të tyre duhet parë me vëmendje nga autoritetet tona sa më shpejt të jetë e mundur, sepse nesër do të jetë vonë. Ata nuk bëjnë politikë, siç tha shefi i qeverisë, por krijojnë probleme politike duke hyrë ilegalisht në vende të tjera./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Manifestimi i pavarësisë do kushtojë rreth 190 mijë euro

    Lajmi i rradhës

    Kosova refuzon pjesëmarrjen e serbit të shpallur ‘non grata’ në bisedime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë