OPOZITA E PREFERUAR E VUČIĆ

    ULTRA E DJATHTA E SERBISË DUHET T’I FALENDEROJË MEDIAT DHE PUSHTIMIN E UKRAINËS.

    Zgjedhjet në Serbi përfunduan ashtu siç parashikohej,me rizgjedhjen e presidentit Aleksandar Vučić qysh në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në të njëjtën kohë, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vučić doli e para, me 120 nga 250 ulëset e Kuvendit serb. Edhe pse dolën të parët, kjo është hera e parë që SNS nuk do të mund ta formojë qeverinë e vetme, që prej kur Vučić ka qenë në krye.

    Por  Aleksandar Vučić e brengos diçka tjetër. Gjëja e parë është fakti se do të ketë rivotim në shumë qendra të votimit në Beograd për shkak të parregullsive serioze. Kurse për brengën tjetër publikun e njoftoi natën e zgjedhjeve të 3 prillit, kur me zë të shqetësuar theksoi se “Serbia është kthyer në mënyrë dramatike në krahun e djathtë”.

    Baza për këtë deklaratë gjendet në faktin se tri lista zgjedhore të krahut të djathtë — koalicioni Nada i kryesuar nga Partia Konservatore Demokratike e Serbisë (DSS), një koalicion i kryesuar nga partia ultra-nacionaliste Dveri dhe partia Zavetnici — fituan gjithsej 35 nga 250 ulëse në Kuvendin e Serbisë.

    Kjo rritje e supozuar — që në fakt është një ngecje e së djathtës — është rezultat i luftës në Ukrainë, prej së cilës e djathta ia doli të përfitonte. Gjithashtu kishin një nivel të qasjes më të lirë në televizion dhe shtyp, gjë që opozitës nuk iu ofrua dhe praktikisht askush nuk i kritikoi gjatë tërë fushatës.

    Vorbulla e luftës

    SNS-së në pushtet iu desh t’i balanconte mesazhet e saj në mënyrë që të mos e largonte Bashkimin Evropian, por në të njëjtën kohë të mos i provokonte votuesit, të cilët i kanë shtyrë ta mbështesin Rusinë. Lufta ishte temë e pashmangshme gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe mediat në orbitën e Vučić, përfshirë shtypin e kryetitujtve dhe transmetuesin shtetëror Radio Televizionin e Serbisë, përçuan pak a shumë mbështetje të hapur ndaj Vladimir Putin.

    Nga tubimet publike e deri te studiot televizive, liderët e Zavetnici, Dveri dhe DSS vazhdimisht theksuan përkushtimin e tyre ndaj Rusisë, nënvizuan se nuk do të vendosin asnjëherë sanksione, e justifikuan pushtimin dhe në deklaratat e tyre e vunë në pah se Vučić gjoja po punon kundër interesave ruse.

    Përqendrimi medial rreth Ukrainës krijoi një hapësirë për të djathtët serbë me qëndrim të hapur pro-rus, duke e lehtësuar për ta kalimin e pragut zgjedhor prej 3%. Kurse sa i përket ideologjisë së tyre, është diçka që u shtua më pas.

    RETORIKA PRO-RUSE NUK DO TË KISHTE ARRITUR NUMËR TË MADH VOTUESISH PO TË MOS KISHIN QENË MEDIAT NËN KONTROLLIN E VUČIĆ.

    Dëshmi tjera për këtë mund të gjenden tek fakti se një parti që e quan veten të majtë, Partia Socialiste e Serbisë e udhëhequr nga Ivica Dačić, arriti ta ndryshojë trendin e saj të rënies 10-vjeçare dhe për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 2012 i rriti votat. Arsyeja është e njëjtë. Dačić është njëri nga përkrahësit kryesorë të interesave ruse në politikën serbe, me partinë e tij që kultivon lidhje tradicionalisht të ngushta me Putin.

    Për dallim nga ata, partitë e tjera të krahut të djathtë, përfshirë Suverenisti dhe Partinë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Šešelj, nuk u përqendruan aq fort në mbështetje të Putin në fushatat e tyre dhe dolën nën pragun elektoral për herë të dytë radhazi.

    Por e gjithë mbështetja e fortë e së djathtës për Rusinë nuk do të kishte kapur një numër të madh votuesish nëse ato parti nuk do të kishin pasur qasje të plotë në të gjitha mediat e kontrolluara nga Vučić.

    Pa asnjë lloj sulmi të drejtpërdrejtë ndaj reputacionit të presidentit, shtypi i kryetitujve mbuloi aktivitetet e partive të krahut të djathtë në mënyrë kryesisht pozitive, duke transmetuar apo publikuar drejtpërdrejtë deklaratat e tyre, veçanërisht kur kritikonin opozitën qytetare. Stacionet televizive, përfshirë ato me mbulim kombëtar, rregullisht u ofronin hapësirë në emisionet kryesore politike. Kjo erdhi bashkë me mbulimin bamirës, i cili ishte jashtëzakonisht i ndryshëm nga mënyra se si mediat e regjimit e trajtonin deri vonë opozitën.  

    Një shikim në të kaluarën

    Për ta parë se ku është më e fortë e djathta e Serbisë se në të kaluarën, le t’i krahasojmë rezultatet e këtij viti me zgjedhjet më të fundit relevante, ato të vitit 2016, kur pjesëmarrja (56%) ishte e ngjashme me atë të këtij viti (58.7%).

    Katër vite më parë, për dallim nga raundi i mëparshëm zgjedhor i mbajtur gati dy vjet më parë, opozita nuk i bojkotoi zgjedhjet, ndonëse kushtet në të cilat u organizuan nuk u përmirësuan. Rezultati ishte që në vend se ta kemi një Kuvend me përfaqësues të qeverisë dhe 19 përfaqësues nga partitë e pakicave, kemi pak diversitet. Pragu zgjedhor u kalua nga pesë lista shtesë këtë vit.

    Pakica kombëtare shqiptare tash ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend, pjesërisht për shkak të pjesëmarrjes së ulët në krahasim me dy vjet më parë dhe pjesërisht për shkak të ndarjes së votës së shqiptarëve në dy lista në këtë rast. Njëra udhëhiqej nga ish-përfaqësuesi Shaip Kamberi dhe tjetra nga Shqiprim Arifi, kryetari i sapozgjedhur i komunës së Preshevës.

    Çfarë bëhet e qartë është se të djathtët që kaluan pragun zgjedhor në të kaluarën — duke përfshirë SRS-në e Šešelj dhe koalicionin DSS-Dveri — bashkarisht fituan një numër identik të ulseve në Kuvend si e djathta në vitin 2022, që është 35. Nëse pragu i kaluar prej 5% do të ishte i vlefshëm këtë vit, vetëm DSS do t’i bashkohej Kuvendit të ri.

    TRAJTIMI MIQËSOR I MEDIAVE GJATË FUSHATËS PO ASHTU MBËSHTET ARGUMENTIN SE VUČIĆ PO FRYEN ARTIFICIALISHT OPOZITËN E DJATHTË.

    Nuk mund të thuhet se e djathta e tanishme është më ekstreme se më parë. Vojislav Šešelj, i cili nuk e kaloi pragun këtë herë, është kriminel i dënuar për krime lufte që karrierën e tij e ndërtoi mbi gjuhën e urrejtjes dhe partia e tij është një grup shovinistësh luftënxitës. Në krahasim me ta, Zavetnici që e kaloi pragun, duket i moderuar.

    SNS është po ashtu parti populiste e krahut të djathtë që një pjesë të vlerësimit të saj të lartë ia ka borxh retorikës së hapur nacionaliste. Por në të njëjtën kohë, shumë përfaqësues që iu bashkuan atyre dhe Partisë Socialiste të Dačić, duke përfshirë Vladimir Đukanović dhe Ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin, janë të njohur për qëndrimet e tyre ultranacionaliste, madje më ekstreme se ato të çdo përfaqësuesi të DSS.

    Orbita e SNS-së

    E djathta në fakt e ka arritur qëllimin e saj sepse Vučić i sheh si opozitë të preferuar. Sulmet kryesore të të djathtëve kundër Vučić janë se ai është tradhtar dhe kukull e Perëndimit: një etiketë ideale kundër së cilës Vučić mund të lavdërohet për patriotizmin e tij që është një nga temat e tij të preferuara.

    Ka me bollëk akuza se disa nga këto parti janë në fakt pjesë e orbitës së SNS-së, me lidhje financiare me to.

    Votimi kundër i javës së kaluar nga përfaqësuesit e DSS dhe Zavetnici ndaj kundërshtimeve të paraqitura në Komisionin Zgjedhor të qytetit si shkak i parregullsive gjatë zgjedhjeve lokale në Beograd, ofron bazë të mëtejshme për supozime të tilla. Trajtimi miqësor i mediave gjatë fushatës po ashtu mbështet argumentin se Vučić po fryen artificialisht opozitën e djathtë në mënyrë që ta paraqes veten te Perëndimi si një opsion i moderuar dhe pengesë për lëvizjet pro-ruse që synojnë ta distancojnë Serbinë nga BE.

    Sigurisht, ka ironi në faktin se mediat, të cilat për dekada kanë inkurajuar publikun serb ta adhurojnë Rusinë dhe ta shohin Putinin si idol, kanë qenë në xhepin e Vučić për një dekadë të tërë. Dhe e djathta patriotike, nëse është e nevojshme, do ta bëjë të njëjtën gjë që bëri partia e djathtë e Aleksandar Šapić kur iu bashkua Kuvendit në vitin 2020: do t’i bashkohet SNS-së.

    Në këtë rast zjarrfikësi është edhe zjarrvënës. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria fajëson sindikatën, grevistët mos të mashtrohen

    Lajmi i rradhës

    POLITIKA SI PËRGJEGJËSI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë