Oriz dhe… shqiponjë

    FRANO KULLI 

    Një prej atyre lajmeve me ara e me bujq, të cilët janë rralluar deri në zhdukje prej tridhjetë vjetësh, ishte ai i para tri a katër ditëve. Sipas lajmit: Altini dhe Antoni, dy vëllezërit themelues e përvijuesit e njohur e të suksesshëm të fermës e kompleksit ushqimor “Mrizi i Zanave” po vizatonin një shqiponjë në mbjelltoret e orizit që po përgatisnin. Në të vërtetë, lajmi nuk është aspak shqiponja, edhe se një shqiponjë ata po e vizatonin me të vërtetë me fara orizi të zi, në një parcelë, të cilën po e përgatisnin për mbjellje. Lajmi në këtë rast është orizi.

    Jo vetëm se lajmet me shqiponjë shumëformëshme, me gishta në gjoks dhe shumëvendëshe, në tubime e veçmas në stadiume kur luan futboll kombëtarja, po edhe në kopshte fëmijësh, janë bërë si lojë. Një retorike, me të vërtetë si lojë. Por kësaj here lajm është orizi. Se për herë të parë në Shqipëri po mbillet oriz, pas 34 vitesh. Mbas një sprove dëshpëruese që ata kishin përcjellë dy vite më parë.

    Po, po, kjo është e vërteta. Më kishte rastisur ta dëgjoja Altinin, se pas eksperimentit të mundimshëm atëherë, ai qe dëshpëruar dhe kishte hequr dorë. Por ngulmimi i tanishëm i vjen, siç thotë ai, prej një trazimi të fortë e të pashmangshëm, që lidhet me tokat djerrë, anë e kënd Shqipërisë. Këtë ai e shfaq si droje tjetërsimi të vetvetes e të vendit tonë, e të të parëve tanë. E si dhimbje njëherësh…

    Tokat djerrë, njerëzit që ikin. E prej ku?! Prej një vendi që vetë Zoti e ka bërë të begatë, me diell 285 ditë të vitit, me ujë të bollshëm, me det e me liqé, me lumenj e me përrenj me fusha e kodrina e me pllaja e me male; një peizazh mesdhetar i mahnitshëm prej larmisë e begatisë së tokës… Nejse! Retorikë ka me thanë dikush.

    Për ata që nuk e dinë, po, qoftë edhe për kureshti janë të interesuar ta dinë, orizi është një bimë që rritet në ujë; gjatë gjithë kohës së vegjetacionit të vet, që nga mbjellja në pranverë, e deri sa korret në të hyrë të vjeshtës. Është njëra prej punëve të mundimshme, që nga përgatitja e tokës, ndarja në formë oxhakësh e rrafshimi sa më i përkryer i tyre, kuadratuar me bankina si pishina, jo më të mëdha se 2-3 dynymëshe. Pastaj Altini kishte rënë në lidhje me prof. Filipin, i cili e kishte inkurajuar duke i ofruar dijet e eksperiencën e vet të dekadave italiane.

    Filip Haxhari është i vetmi specialist shqiptar, njohës i kultivimit të kësaj kulture bujqësore. Është gjenetisti shqiptar, i cili aktualisht drejton Institutin Kërkimor prestigjioz për orizin në Verçelli, në Lombardi të Italisë, ku jeton dhe punon prej 32 vjetësh. Në fund vitet ’80, pas studimeve ekselente e kishin emëruar specialist të orizit në Institutin e Misrit e të Orizit në Shkodër. Asokohe në kooperativat bujqësore, kryesisht në rajonet e Shkodrës e të Lezhës, mbillej një sipërfaqe prej më se 15 mijë hektarë.

    -Ku e ke gjet farën? – e pata pyet Altinin, para dy vjetësh, atëherë kur bënte atë përpjekjen e parë, më shumë kureshtare, se me bindjen se do t’ia dilte në orizoret e tij. Farnat qenë zhdukur tridhjetë vjet më parë, si vetë kultivimi i kësaj kulture bujqësore e bashkë me to, edhe orientimi drejt tyre. Aso farnash me të cilat, atëherë qe arritur të merrej një rendiment 60 kv/ha. Në kërkimin e pandalshëm të pasionit, shpërfaqur bukur e dobishëm këtu në Zadrimën e tij dhe me sytë nga përvoja e Italisë, Altini e ka gjet.

    Një mik i imi në Itali më ka ndihmuar – dhe më përmend emrin e Filipit. Unë buzëqesh, ai hesht. Dhe pezull i rri pyetja e hazërt për mua: A e njeh? I them se jemi miq e se Vitorja, ime shoqe e ka kushëri…

    Filipin, agronom të ri, asokohe e çojnë për një specializim për orizin në Kore (se me Kinën kishim kohë të prishur). Më pas, një tjetër specializim i dytë në Verçeli. Fati i tij. Verçeli është i dalluar jo vetëm në rajonin e Piemontes, por edhe në Itali për kultivimin e orizit. Nëntëdhjeta e gjen atje. Kthehet, por – vendi yt i punës është shkurtuar – i thanë. Instituti po shprishej, orizoret do të hynin në pragun e harresës… Rikthehet atje në Verçeli e, tani jeta e karriera i ka marrë për mbarë, atje në Itali.

    Por, le të kthehemi prapë tek orizoret e sivjetme këtu në Shqipëri… Altinit, si rrin shpirti rehat dhe e ka rimarrë sfidën. Iu është rikthyer tokave djerrë, si mjeku pasionant një të sëmuri në letargji. E i është drejtuar prapë prof. Filipit. Ai nuk e ka bërë dysh propozimin, që i vjen në sintoni me nostalgjinë e herëshmërinë e tij dhe kishte ardhë. Vetëm për dy ditë, sa për të konsultuar rishmëzi mbjelljen e orizit. Dhe pa u ndalur nga aeroporti “Nënë Tereza” në Fishtë të Lezhës te “Mrizi…”. U takuam sa për një kafe e u ndamë secili në ngutin e vet. Në darkë pashë lajmin me shqiponjën…

    Sa të sipërfashëm jemi, sa pak seriozë me veten e me Shqipërinë tonë që jemi! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Dënime nën minimum” – Drejtësi që zvarritet, gra që vriten

    Lajmi i rradhës

    Si t’i digjni 1,000 kalori për një orë pa pasur nevojë të shkoni në palestër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë